Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dy aktorë refuzojnë të luajnë në Teatër shkaku i mospagesës

Nëse Teatri Kombëtar i Kosovës nuk i përmbyll obligimet ndaj aktorit Astrit Kabashi deri në fund të këtij muaji, do t’i rrezikohet pjesëmarrja në festivalin ndërkombëtar të teatrit “MESS” në Sarajevë të Bosnjë- Hercegovinës.

Kabashi, i cili luan rolin kryesor në shfaqjen “Bordel Ballkan”, atë të Agamemnonit, nuk e ka ndërmend ta portretizojë komandantin nëse TKK-ja nuk i kryen obligimet financiare ndaj tij, shkruan sot Koha Ditore.

Kabashi ka thënë se nuk do të luante as këtë muaj, por Teatri Kombëtar i Kosovës, pas grevës nëntëditore të aktorëve, nuk e ka futur në programin e këtij muaji shfaqjen me regji të András Urbán e me tekst të Jeton Nezirajt.

Programi i këtij muaji, i rishkruar pas përfundimit të grevës, të enjten, përcakton se puna në TKK do të nisë të hënën me premierën e shfaqjes “Kopshti i vishnjave” me regji të Ilir Bokshit. Sipas programit të hartuar në fillim të këtij muaji, “Bordel...” do të jepej sot (e shtunë).

“Unë e kam lajmëruar TKK-në se nuk i kanë kryer obligimet ndaj meje. Nuk është puna tek mjetet që duhet të mi japin, por kjo nuk është hera e parë që ka vonesa. Si aktorë të jashtëm jemi të diskriminuar deri në pikën e fundit”, ka thënë Kabashi, i cili nuk është aktor i Trupës Rezidente të TKK-së.

Në përkrahje gjatë ditës i ka dalë edhe aktorja Irena Cahani. Ajo ka thënë se nuk do të luajë në shfaqjen “Ana dhe Zefi” nëse TKK-ja nuk i kryen obligimet financiare. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Image
Fotografitë: Jetmir Idrizi