Baneri me thënien e Thomas Jeffersonit “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë”, është midis sallës ku jepen shfaqjet e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Aty ka zënë vend prej së dielës së 17 nëntorit, kur u shpall zyrtarisht greva e përgjithshme. Kur greva po hyn në javën e tretë, në TKK ka pak lëvizje. Hapësira është e pandriçuar, nuk dëgjohen zëra aktorësh e prova nuk ka. Të mërkurën pasdite, kur ekipi i KOHËS ka vizituar TKK-në, aty ka takuar menaxhmentin.
Drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se kërkesat e aktorëve janë legjitime pasi edhe vetë ata më parë kishin të njëjtën kërkesë paraprakisht. Greva si hap sindikal kthehet në TKK pas asaj të vitit 2018.
“Jemi shumë të palumtur për situatën. Urojmë shumë që të zgjidhet sa më parë. Nuk e dimë se si do të bëhet zgjidhja, sepse nuk e kemi në dorë. Në fund të fundit jam i sigurt që zgjidhja do të jetë në atë që menaxhmenti e ka propozuar qysh para 18 muajve edhe në raport me shpjegimet ligjore dhe me të drejtën për paga të dinjitetshme për aktorët e TKK-së, të cilët kohëve të fundit, por edhe më parë kanë bërë një volum të madh të punës”, ka thënë Sheremeti.
Ka thënë se kanë mbetur pezull disa projekte të planifikuara duke përfshirë edhe bashkëprodhime e prezantime në skenën ndërkombëtare.
“Ne po vazhdojmë të punojmë, të bëhemi gati për vitin e ardhshëm për të punuar me të njëjtin entuziazëm të gjithë në TKK që të vazhdojmë me të njëjtin trend ku nuk ka bileta të lira, ku prodhohen shfaqje kualitative e të mëdha. Kemi shumë projekte të paraplanifikuara ndërkombëtare, bashkëprodhime, prezantime nëpër festivale. Të gjitha këto për momentin po mbesin pezull për shkak të kësaj situate”, ka thënë Sheremeti.
Kur ka folur për dëmet që shkaktohen gjatë ndërprerjes së punës së teatrit, ka përmendur edhe emancipimin e shoqërisë.
“Jo vetëm Teatrit, por edhe publikut i mungon ai. Dëmet janë të mëdha, është e vërtetë që shoqëria nuk mund të jetojë pa bukë, por në të njëjtën kohë nuk mund të emancipohet pa teatër. Zhvillimi i emancipimit shoqëror që bëhet prej teatrit, si një prej arteve më të angazhuara, fatkeqësisht është duke munguar e ky duhet të jetë alarm për të gjithë shoqërinë”, ka thënë Sheremeti.
Drejtori artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme grevën, pasi ka nevojë për kohë, për plotësimin e kërkesave të aktorëve. Megjithatë ka thënë se greva është legjitime dhe e drejtë e aktorëve.
“Nuk e shoh grevën si opsionin e mirë, por është e drejtë e tyre, kështu që unë do të doja që Teatri Kombëtar i Kosovës të vazhdojë punën e vet me ansamblin rezident, të kryhen punët, siç është shfaqja që është anuluar pesë ditë para premierës, por edhe festivali”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij, greva e ka dëmtuar shumë Teatrin.
“Teatrin e ka dëmtuar shumë. Po flasim për kohën e fundit kur Teatri Kombëtar pjesën dërrmuese të shfaqjeve i ka pasur të gjitha biletat e shitura. Ka qenë një publik që gradualisht, jo pse nuk ka pasur publik më herët, por ambientimi në një vend ndryshe, të ri, derisa ka filluar të etablohet. Teatri ka publik të jashtëzakonshëm”, ka thënë Mehmeti.
Greva kthehet si “reprizë” në TKK pas asaj të gjashtë vjetëve më parë. Kishte qenë pikërisht Shoqata Sindikale e Teatrit që në vazhdimësi kishte bërë thirrje për rangim tjetër në paga. Më 2018 aktorët kishin hyrë në grevë në kohën kur ministër i Kulturës ishte Kujtim Gashi. Pas negociatave, ish-ministri Gashi ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind. Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues, pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore. Më 1 nëntor të atij viti 228 punonjës kishin marrë pagat me rritje. Dy konferenca për media e një ndejë në një hotel luksoz në periferi të Prishtinës ishin organizuar për këtë vendim. Pavarësisht kësaj, rritja në shumë raste nuk është bërë për 50 për qind, ashtu siç kishte premtuar ministri i asokohshëm i Kulturës, Kujtim Gashi.