Në ditën e 20-të të grevës, aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës janë rikthyer me aksion simbolik para objektit të Ministrisë së Kulturës. Me atë që aktorët e kanë quajtur “Monologu i Ministrit”, një manekin bart figurën e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ndërsa zbërthehet një fragment i shfaqjes “1984” të autorit George Orwell. Për situatën si rrjedhojë e kërkesës për rritje pagash, grevistët kanë thënë se Ministria e Kulturës po vazhdon të heshtë, ndërsa greva e aksione të tilla nuk do të ndalen
Aktorët grevistë të Teatrit Kombëtar të Kosovës janë shndërruar në spektatorë të performancës së tyre. Në skenë e kanë vënë ministrin Hajrulla Çeku si personazh të “monodramës”. Janë rikthyer para hyrjes së objektit të Ministrisë së Kulturës në ditën e njëzetë të grevës së përgjithshme. Është protesta e dytë simbolike brenda dhjetë ditësh në të njëjtin vend. Këshilli Grevist ka bërë të ditur se greva nuk ndalet derisa kërkesat e tyre të realizohen. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë.
Performanca “Monologu i Ministrit” e instalon portretin e ministrit Çeku në një manekin me veshje solemne, nën përcjelljen e audios së një fragmenti të shkëputur nga shfaqja “1984” të autorit George Orwell, që qe inskenuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës, në fund të shtatorit të vitit të kaluar.
Protesta simbolike e aktorëve e bën interpretues ministrin Çeku e vetë ata spektatorë të një monologu që e godet dhe ironizon pushtetin. Shfaqja nën regji të Igor Mendjisky sillte paradokset e jetës e konceptin e lirisë. Kishte nxjerrë në skenë aftësinë e pushtetarëve për të manipuluar e për ta shtrirë sistemin totalitar.
Në shfaqje këtë rol e mban aktori Adrian Morina.
Të enjten nuk ka qenë në rol. Në cilësinë e anëtarit të Këshillit Grevist, ai ka thënë se Ministria po hesht ndaj grevës, porse greva nuk ndalet derisa kërkesat e tyre realizohen.
“Greva nuk do të ndalojë derisa të drejtat tona nuk do të realizohen, të drejta ligjore që po shkelen në mënyrë flagrante qe 18 muaj. Është e çuditshme se si ka mundësi që absolutisht as të mos merret mundi të adresohen kërkesat tona që edhe ashtu janë minimale. Flasim për investime milionëshe në kulturë, në objekte të kulturës, në të cilat objekte njerëzit e tyre janë në grevë. Kjo infrastrukturë po ndërtohet për njerëz”, ka thënë Morina.
Ka thënë se më me vlerë për institucionin ka qenë prerja e një druri pranë objektit të TKK-së për të cilin Ministria pati reaguar, sesa kërkesat e tyre.
“Për më shumë shohim edhe lajme më të vështira sesa kjo, ku një dru që pritet para Teatrit Kombëtar shkruhet me tri deklarata nga ana e Ministrisë. Sigurisht që është mëkat të pritet, por reagimi për një dru është shumë më i madh sesa për njerëz të gjallë. Po besoj se Teatrin janë duke e rinovuar, mbase kur përfundon pas 15 vjetësh, për lisat dhe jo për njerëzit”, ka thënë Morina duke vazhduar fjalën e tij.
Për aksionin e së enjtes paradite ka thënë se është shenjë e aktivizmit të tyre për të realizuar kërkesat.
“Andaj ne si aktorë e kemi shënuar ditën e 20-të në grevë duke dashur të tregonim se nuk jemi të mbyllur atje, porse të gjitha sheshet e qyteteve, jo vetëm në Prishtinë, por edhe më gjerë, do t’i shfrytëzojmë për të adresuar kërkesat tona deri në realizimin e plotë”, ka thënë ai.
Është bërë e ditur se të mërkurën paradite ndërmjetësuesi ligjor i Shoqatës Sindikale të TKK-së është takuar me sekretarin e Ministrisë së Kulturës, Xheladin Krasniqi.
Aktori Shkëlzen Veseli, po ashtu anëtar i Këshillit Grevist, ka thënë se nuk ka pasur deklarata të tjera jashtë atyre që u janë thënë aktorëve më parë.
“Kanë qenë fjalët e njëjta që kemi dëgjuar qe një kohë të gjatë. Se ‘po punohet, ka vullnet, do të zgjidhet, kërkon kohë’. Në një situatë paralele, i bie sikur Ministria të na thotë ne aktorëve se kur do të bëhet premiera dhe ne të mos dalim me premierë, por të themi se ne po punojmë fort. Nuk ka logjikë me këtë, puna e fortë është me rezultat të pritshëm dhe kohor”, ka thënë aktori Veseli.
Ai ka paralajmëruar se aksionet e tyre do të zgjerohen e shpërndahen edhe në forma të tjera.
“Ne jo vetëm në oborrin e Ministrisë së Kulturës, por grevën dhe reagimin tonë sindikal do ta shpërndajmë kudo që mundemi që të tregojmë se dinjiteti i aktorit me ligj është duke u shkelur në mënyrën më të keqe të mundshme. Të mos e harrojmë një fakt: nuk është në pyetje më as paga në vetvete në kuptimin e parave, ka të bëjë direkt me dinjitetin e aktorëve”, ka thënë Veseli duke u shprehur se nuk kanë pasur zgjidhje tjetër pos grevës.
“Ne vërtet jemi mbështetur për muri duke dashur të jemi modestë dhe të mos vijmë në këto pozita që janë të palakmueshme për ne, si mbyllja e repertorit. Më shumë sesa Ministria ne e duam teatrin dhe e respektojmë publikun tonë. Por jemi në një gjendje që nuk mundemi ndryshe pasi të gjithë hapat e tjerë janë shterur dhe nuk ka pasur reflektim prej Ministrisë”, ka thënë ai derisa ka paralajmëruar se aktivitete të ngjashme do të publikohen edhe në rrjete sociale.
Dhjetë ditë me parë aktorët grevistë, në një tjetër aksion simbolik, shpërndanë portretet e tyre në shkallët para objektit të Ministrisë së Kulturës. Ishte si thirrje për t’i shkelur ashtu siç konsiderojnë se janë në realitet.
Pos bllokimit të punës së institucionit më të lartë teatror në vend, greva ka bërë që edicioni i tretë i festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu” të anulohet. Do të niste në ditën e 20-të të muajit të kaluar
Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”. Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 19 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.