Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dumoshi nënshkruan katër aneks-memorandume me 4 komuna për mbështetje financiare

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot kryetarët e katër komunave, Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës, Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës së Vushtrrisë, Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës dhe Naim Ismajli, kryetar i Komunës së Shtimes.

Me këtë rast ajo nënshkroi me ta katër aneks-memorandume për mbështetje financiare.

Ministrja Dumoshi dhe kryetari Kastrati nënshkruan aneks memorandumin e bashkëpunimit për rinovimin dhe funksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës ‘Isa Kastrati’ dhe shtëpive të tjera komunitare. Memorandumi do të implementohet gjatë vitit 2020. Ndërsa me kryetarin Tahiri nënshkruan aneks- memorandumin e bashkëpunimit për projektin “Qendra e Kulturës në Vushtrri”, që po ashtu do të implementohet gjatë vitit 2020

Ministrja Dumoshi dhe kryetari Gjini nënshkruan aneks-memorandumin e bashkëpunimit për mbështetjen financiare për projektin “Ndërtimi i Qendrës së Kulturës në Rogovë të Hasit”, që do të implementohet gjatë periudhës 2020-2022. Ajo me kryetarin Ismajli nënshkruan aneks-memorandumin e bashkëpunimit për “ndërtimin e Arkivit të Qytetit të Shtimes”

Gjatë këtyre takimeve Dumoshi shprehu mbështetjen e saj të parezervë si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe theksoi që është prioritet i Ministrisë që drejton që të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha komunat e Kosovës, duke konkretizuar projekte të cilat do të jenë të frytshme edhe për nivelin komunal edhe atë qendror. Sipas mundësive të veta, MKRS do të mbështesë të gjitha komunat që projektet e mira kulturore, sportive e rinore t’i jetësojnë në dobi të qytetarëve.