Prishtinë, 24 nëntor – Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj kanë nënshkruar Memorandum të Bashkëpunimit për Atashetë Kulturorë. Ky hap fillestar është vlerësuar si lajm i mirë për kulturën e Kosovës.
“Pas bisedimeve të shumta kemi ardhur në përfundim që të nënshkruajmë këtë marrëveshje të shkallës së shërbimit që është një hap i parë drejtë avancimit të kësaj fushe dhe përfaqësimit kulturor në botë”, ka thënë ministrja Haradinaj.
E ministrja Vlora Dumoshi ka thënë se përveç atasheve që shteti i ka tash, Ministria e Kulturës në bashkëpunim me MPJ-në kemi vendosur që të kemi edhe atashetë kulturorë.
“Me anë të kësaj marrëveshjeje mundësohet emërimi i atasheve kulturore që do të promovojnë kulturën dhe sportin në vendin ku emërohen”, ka thënë ajo.
Në bazë të kësaj marrëveshje do të punohet në rregullimin e infrastrukturës ligjore për emërimin e atasheve kulturor.