Kulturë

Dritare shprese për artizanet shqiptare

Shqipëria në të kaluarën ka pasur 13 fabrika shtetërore për të prodhuar qilima, mbulesa, kapele, kostume tradicionale e punëdore të tjera. Kukësi, një qytet në verilindje të kryeqytetit, Tiranës, kishte pasur më shumë se 1 mijë e 200 gra të punësuara që punonin qilima. Kur ra komunizmi në vitin 1990, fabrikat u mbyllën. Sot po bëhen përpjekje që ky zanat të bartet te gjeneratat e reja

Hate Ora ka endur në veg qilima për më shumë se gjysmë shekulli, qëkur e mësoi këtë zanat si fëmijë nga halla e saj, kur fshehurazi i hynte në punishte. Ora, tani 64-vjeçare është duke ua mësuar metodat të punës, vajzës së saj, mbesës dhe grave të tjera për t’u siguruar që tradita e këtij zanati të bartet edhe te gjeneratat e tjera.

Shqipëria në të kaluarën ka pasur 13 fabrika shtetërore për të prodhuar qilima, mbulesa, kapele, kostume tradicionale e punëdore të tjera. Kukësi, një qytet në verilindje të kryeqytetit, Tiranës, kishte pasur më shumë se 1 mijë e 200 gra të punësuara që punonin qilima. Kur ra komunizmi në vitin 1990, fabrikat u mbyllën.

Image

Hate Ora (64) duke punuar qilima në veg, në punëtorinë në Kukës. Shqipëria dikur kishte 13 fabrika shtetërore për të punuar qilima, mbulesa, kapele, kostume tradicionale e punëdore të tjera. Kur ra komunizmi më vitin 1990, fabrikat u mbyllën (Foto: AP/Hektor Pustina)

Ora ndërtoi vetë tri makina dhe bleu fije leshi dhe pajisje të tjera që i nevojiteshin pas këtij kaosi që u la prapa. Sot, ajo është vetëm një nga disa shqiptaret që ende punojnë në veg, një punë që është fort me leverdi. Kukësi, një qytet me rreth 60 mijë banorë, është një nga më të varfëri në Shqipëri, që edhe vetë është një nga vendet me të varfra në Evropë.

Shumë nga të rinjtë në qytet, veçanërisht burrat e rinj, kanë emigruar në Evropën Perëndimore në kërkim për punë. Gratë shpesh mbesin të papuna në shtëpi, duke pritur për të holla nga burrat, vëllezërit apo të afërmit e tjerë.

“Ringjallja e kësaj tradite do të ishte një vlerë e shtuar, duke rritur punësimin dhe duke pasur një ndikim të drejtpërdrejtë social dhe ekonomik në jetën e njerëzve” së bashku me ruajtjen e një pjese të kulturës shqiptare, ka thënë nënkryetarja e Bashkisë, Majlinda Onuzi.

Image

Mereme Pepa (68) duke tjerrë lesh në fshatin Nangë në verilindje të Shqipërisë (Foto: AP/Hektor Pustina)

Organizata joqeveritare, “Social Development Investment”, ka marrë para nga agjencitë gjermane dhe zvicerane për të trajnuar 125 gra në prodhimin dhe endjen e leshit.

Themeluesi Elias Mazloum, ka thënë se qëllimi është që të “hapet një dritare shprese për njerëzit e papunë” në zonën e Kukësit dhe për të mbajtur gjallë traditën e prodhimit të qilimave punëdore.

Si pjesë e trajnimeve, Ora po u mëson të rinjve se si të endin leshin e marrë nga dele rude të zonës dhe ta kthejnë atë në qilima dhe sende të tjera duke krijuar nyja persiane, metodë lokale e preferuar më shumë se nyjat e stilit turk. Ajo vetë po mëson se si të pastrojnë, lajnë, krehin dhe ngjyrosin leshin me ngjyra natyrore të përgatitura nga perime e të ngjashme.

Image

Blerina Kolgjini, profesoreshë e tekstileve dhe e modës duke treguar një qilim në Kukës (Foto: AP/ Hektor Pustina)

Ora ka thënë se përpjekjet e tjera për të ringjallur industrinë e qilimave kanë dështuar në Kukës, “sepse për të pasur sukses, ata duhet të punësojnë të gjitha gratë e kualifikuara dhe të gjejnë një vend në treg për produktet“.

“Në qoftë se nuk fillon një industri për endjen e qilimave, atëherë unë ose ndonjë tjetër si unë, vështirë se mund të tërheqin individualisht vëmendjen e Tiranës, ku koncentrohen i gjithë biznesi dhe tregu”, ka thënë ajo.

Mazloum ka thënë se programi i trajnon pjesëmarrësit që të prodhojnë produkte për të cilin tashmë sigurohet blerësi. Të paktën gjysma e grave në program kanë filluar punën me lesh në shtëpi, ka thënë ai.

“Është një punë shumë e vështirë dhe nuk shpërblehet me një vlerë reale. Çmimi është i ulët, nëse merr parasysh kohën dhe vështirësinë e kësaj pune”, ka thënë Mazloum.

Blerina Kolgjini, profesoreshë e asociuar e tekstileve dhe e modës në Universitetin e Tiranës në Shqipëri, veçon punën artistike në qilimat dhe produktet e tjera të shfaqura në një galeri në Kukës: cilësia e leshit të deleve rude që gjendet vetëm në atë zonë, Kosovë dhe Kroaci, dendësia e nyjave, trashësia e fijeve dhe vëmendja që u kushtohet detajeve “nuk dallon shumë nga puna e piktorëve në të gjithë botën”.

Image

Hate Ora demonstron një qilim të përfunduar (Foto: AP/ Hektor Pustina)

Kolgjini ka thënë se qilimat dhe produktet e tjera të leshit ishin malli i dytë më i eksportuar i Shqipërisë para fundit të komunizmit. Ka treguar se artikujt e prodhuar ne Shqipëri ishin me cilësi aq të lartë, sa që një kompani italiane do t'i blinte dhe t'i rishiste në Evropë për 10 herë më shumë krahasuar me çmimin fillestar dhe do të thoshte se ishin prodhuar në Iran, një vend i vlerësuar për prodhimin e qilimave.

“Barinjtë prodhonin leshin dhe gratë artizane endnin fijet e tij. Ajo që Shqipërisë tani po i mungon është hapi ndërmjet përpunimit të fijeve, fabrikës e tjerrjes”, ka thënë ajo.

Një studim nga organizata joqeveritare “Mazloum” gjeti se 85 për qind e leshit të qethur të vendit hidhet, duke krijuar një humbje të mundshme vjetore prej 20 milionë eurosh (24 milionë dollarë). Në fshatin Nangë, jo shumë larg Kukësit, 68-vjeçarja Mereme Pepa është e vetmja që ende tjerr leshin që e përdor për të thurur xhup, bluza dhe çorape.

Nipi i saj, Ernesti, dhe disa nga shokët e tij të shkollës së mesme, po marrin pjesë në programin e trajnimit për “Investimet e Zhvillimit Social”. Ai ka thënë se në fillim, ata morën pjesë sa për t’u argëtuar, por disa nga vajzat e pëlqyen aq shumë saqë duan ta mësojnë zanatin, “duke mos dashur që ai të humbet dhe t’u lihet të huajve të bëjnë atë që mund ta bënin vetë”, tha ai.

Ora përshkroi me entuziazëm se si ajo mësoi vegun duke “vjedhur” metodat e hallës së saj dhe si ajo ndihmoi financiarisht prindërit e saj gjatë epokës komuniste, duke bërë qilima dhe më pas edhe familjen e saj për gati pesë vjet, periudhë shumë e vështirë në periudhën e post-komunizmit.

Edhe para se të fillonte programin e trajnimit, ajo i mësoi vajzës së saj të bënte qilima. Nusja e Oras, infermiere, e ndihmon përkohësisht. Një mbesë 23-vjeçare që po studion kimi industriale gjithashtu e ndihmon dhe ndonjëherë sjell miq dhe vajza që ajo njeh nga shkolla e janë të etura të mësojnë nga halla Hate të cilën të gjithë në qytet e quajnë Ora.

U duhet tre muaj kohë qilimbërësve me eksperiencë që të përfundojnë një qilim me imazhin e Nënë Terezës ose një tjetër me simbole shqiptare.

“Pse një biznesmen apo qeveria nuk i kthen sytë nga ne”, pyet ajo. “Ne bëjmë vepra arti, apo jo?”

Image

Elias Mazlum duke mbajtur lesh në qendrën e tij të trajnimeve në Kukës (Foto: AP/ Hektor Pustina)

Përktheu: Alberina Haxhijaj