Në teatrin e shquar “Marigny” të Parisit, pranë “Fushave të Elizeut”, u shfaq, së voni, vepra “Evgeni Onegin” e Pushkinit si dramë. Regjinë e kësaj drame e bëri lituani Rimas Tumin i cili drejton kompaninë e teatrore “Vakhtangov” të Moskës, e cila këtë vit feston 100-vjetorin e themelimit.
Romanin në vargje, me strofa prej 14 rreshtash dhe me varg oktosilab “Evgeni Onjegine” Pushkini e shkroi gjatë tetë vjetëve (1823-1830). Më parë, kjo vepër u pati vënë në skenë si balet. Ndërkaq Tchaikovsky më 1878 e realizoi një operë nga kjo vepër madhore e Pushkinit dhe arriti sukses të madh. Por regjisori Tumin ishte i pari që i hyri punës që ta vërë në një skenë teatrore si dramë,“Evgeni Onegin”, shkruan Koha Ditore.
Muzika, pantomima e vallëzimi në këtë dramë poetike mëtojnë ta bëjnë të dukshme vorbullën e pasioneve, në ambientin e një fshati idilik, shpresat që lindin dhe shuhen, dëshpërimet dhe melankolinë e thellë të disa personazheve, në veçanti të Oneginit. Skenat fillestare me vallëzimet e vajzave në një shkollë vallëzimi, që reflektohen në një pasqyrë të madhe, si sfond i skenës, arrijnë të nxjerrin në shesh hirin e poezisë vallëzuese të Pushkinit dhe rrjedhën e stuhishme e ngjarjeve. Disa kritikë, si Fabienne Darge, e shpjegojnë këtë përzgjedhje të regjisorit me ambicien për ta transponuar në skenë gjuhën poetike të autorit dhe poezinë e tij mahnitëse. Kjo dramë vë në pah ndjenja të fuqishme që kaplojnë personazhet dhe i bëjnë të bredhin e të vrapojnë kah mirazhi i lumturisë, e cila shpejt venitet. Lirizmi i skenave, vrulli rinor i personazheve me etjen për t’i përmbushur pasionet e ëndrrat gërshetohen me melankolinë e Oneginit. /Muhamedin Kullashi
-
“Chopini në Vjenë” e fut Prishtinën në teatrin e viteve 1800
-
14 prill 1987: Dita kur e gjithë Jugosllavia mbeti e nemitur
-
“Liqeni i mjellmave” sinkronizon gjenerata në hap për të ardhmen e baletit
-
Pianoja në dialog me fuqinë e lëvizjeve në “Chopin Piano Fest”
-
Interpretuesi gjenial i dramës muzikore që peshon çdo notë