Kulturë

“DokuFesti” jubilar në vitin historik për filmin e Kosovës

Në atmosferën “Pa Vend” në Cannes, “DokuFesti” të hënën në Prizren ka shpalosur detajet e radhës të edicionit të sivjetmë. Përderisa është rikonfirmuar se premiera e këtij filmi do të vijë më shtatë gusht, me mbi 100 filma nga 60 vende të botës, “Re:set Re:mix Re:act” krejt synimet i ka t’i kthehet publikut. E këtë e pret me edicionin e një viti historik për sukseset e kinematografisë së Kosovës. Fotografi të papara të aktorit me nam, Bekim Fehmiu, janë vetëm disa prej ekskluziviteteve që paralajmëron “DokuFesti”

Për organizatorët e “DokuFestit”, tetëmbëdhjetë ditët deri në hapje të edicionit të sivjetmë jubilar, janë sfidë pune dhe entuziazmi deri te ribashkimi me publikun në kinematë e qytetit të Prizrenit.

Hovi për ta kompletuar programin veçse është shtuar, pasi që viti i kaluar i pandemisë s’kishte lejuar një edicion të zakonshëm. Pas një përzgjedhjeje të vështirë në mesin e 3 mijë aplikimeve, që konsiderohet numër rekord e që dëshmon për rritjen e festivalit, organizatorët kanë thënë se janë të gatshëm për t’ia kthyer gjallërinë kulturore e ekonomike qytetit historik.

Në tetë kategori garuese janë 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës që do të bëhen pjesë e festivalit më të madh të filmit në vend. Për t’iu përmbajtur rregullave të pandemisë, pjesa më e madhe e filmave do të shfaqen në kinematë në ambient të hapur në qytetin e Prizrenit dhe në Kala. Një pjesë e programit do të shfaqet edhe online nëpërmjet platformës virtuale të festivalit, kurse 16 filmat e kategorisë së filmave kombëtarë do të shfaqen për diasporën në Suedi, Gjermani e Zvicër. Përveç filmave, një përkushtim i madh është bërë edhe në fushën e arteve pamore, ku për herë të parë do të vijnë fotografitë e pazbuluara më herët të Bekim Fehmiut.

Derisa një pjesë e madhe është zbuluar, aktivitete të tjera sipas organizatorëve, pritet të zbulohen deri të mërkurën, por që deri në këtë ditë interesimi i profesionistëve për t’iu bashkuar festivalit veçse po e prek kulmin.

“Ajo çfarë mund t’ju tregoj në këtë moment është një interesim në rritje për prezencë e autorëve, filmbërësve dhe njerëzve profesionistë nga Kosova, rajoni dhe bota”, ka thënë drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkullari në konferencën e mbajtur të hënën në mesditë Prizren. Është shprehur se shpresojnë që situata me pandeminë të mos përkeqësohet, në mënyrë që publikut t’ia sjellin një festival dinjitoz sikurse edicionet paraprake.

“Re:set Re:mix Re:act” janë tri shtyllat konceptuale mbi të cilat “DokuFesti” do ta fuqizojë komunikimin me publikun për të reflektuar në një botë pa COVID19. Pas një viti shkëputjeje që u shkri në një edicion virtual, “DokuFest” është duke u shtrirë në një edicion hibrid, i cili megjithatë, do ta vazhdojë komunikimin virtual me audiencën e vet.

Viti që shënon 20-vjetorin e “DokuFestit”, sipas Nurkullarit, është vit historik për filmin kosovar.

Këtë e ka thënë një ditë pas kthimit nga Festivali Ndërkombëtar i Cannes, pjesë e të cilit Kosova u bë me filmin “Pa Vend” të Samir Karahodës e që do të shfaqet premierë për publikun kosovar më 7 gusht në Prizren. Si një dhuratë për këtë jubile, “DokuFesti” e ka konsideruar filmin e shkurtër të “4 Pills at Night” të nxënësit të programeve të këtij festivali, regjisorit Leart Rama. Filmi i Ramës i bashkëprodhuar nga “DokuFest” dhe Festivali i Filmit të Shkurtër në Winterthur në Zvicër u zgjodh për të garuar në konkursin kombëtar të 74-t të Festivalit të Filmit në Locarno. Një ditë pas premierës në këtë festival prestigjioz, do të vijë si premierë vendore në “DokuFest”.

Se “DokuFesti” është bërë përfaqësimi më i mirë ndërkombëtar, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se konfirmohet në çdo takim të tijin me zyrtarë ndërkombëtarë që vijnë në Prizren. E shumë prej sukseseve të filmave të Kosovës, sipas tij, janë kurorëzim i punës së madhe që e ka bërë “DokuFesti” ndër vite.

“Me prezencën e filmit në Cannes, e kemi marrë si Kosovë dhe si Prizren një reklamë prej miliona eurosh. Frytet e ‘DokuFestit’ po shihen tash dhe me të vërtetë është kënaqësi të shohësh filmat e Kosovës së bashku me shtetet të cilat e kanë zbuluar filmin. Në shumë takime që kam me ndërkombëtarë, kur flitet për Prizrenin, flitet për ‘DokuFestin’ dhe këtu e kuptoj që ‘DokuFesti’ ka bërë një punë të jashtëzakonshme”, ka thënë ai gjatë konferencës.

Samir Karahoda, regjisori i “Pa Vend”, në konferencë ka qenë pak orë pasi ka ateruar në Kosovë. Si udhëheqës i programi të filmave të shkurtër, ka thënë se në këtë edicion do të shfaqen 25 filma nga një punë e gjatë e seleksionimit mes 1 mijë aplikimeve. Kurse në programin e kategorisë së filmave kombëtarë do të përmblidhen 16 filma që do të shfaqen mbrëmjeve të 16, 17 dhe 18 gushtit dhe shumica prej tyre do ta kenë premierën në Kosovë. Mes tyre ai ka veçuar filmin “Go go Kosova” nën regji të Jane Stockdales dhe Jordan Lairdit, bashkëprodhim mes Kosovës, Skocisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Dua ta përmend edhe filmin që do ta ketë një shfaqje speciale që ka të bëjë me rrugëtimin e sportistëve të Kosovës në Olimpiadën në Brazil. Është një film të cilin mendoj që ia vlen ta shohë audienca” , ka thënë Karahoda gjatë konferencës. Një vëmendje e veçantë, këtë vit “DokuFest” i ka kushtuar edhe programit “DokuPhoto” në kuadër të të cilit do të organizojnë trajnime nga dy fotografë me nam botëror.

Ron Haviv dhe Paul Lowe në kuadër të masterklaseve dyditore do të eksplorojnë mbi hulumtimin dhe modifikimin e fotografive dokumentare ose projekteve filmike. Masterklasa gjithashtu do t’i shqyrtojë dhe vlerësojë në mënyrë kritike shqetësimet etike në lidhje me përfaqësimin e dokumentarëve a burimet e financimit.

Për edicionin e 20-të të “DokuFestit”, Nurkollari ka zbuluar se kanë vendosur të bashkëpunojnë edhe me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në një program të titulluar “Imazhe nga rrethimi – kronika e historisë së Shqipërisë Komuniste” i kuruar nga Iris Elezi dhe Thomas Logoreci.

“DokuFesti” do të paraqesë gjithashtu një ekspozitë fotografike me imazhe bardhezi dhe të papara ndonjëherë, të bëra gjatë një vizite në Shqipëri nga aktori i mirënjohur kosovar, Bekim Fehmiu, në vitin 1972. E gjithë kjo do të zërë vend në shtëpinë e Shani Efendiut që është një monument i trashëgimisë kulturore në Prizren.

“Do të dalin për herë të parë jo vetëm fotografitë e Bekim Fehmiut, por edhe shumica e materialeve të xhiruara në kohën e komunizmit dhe kjo është një dritare e jashtëzakonshme për ta parë se çfarë ka ndodhur në gati pesëdhjetë vjet të komunizmit në Shqipëri”, ka zbuluar Nurkullari.

Festivali i cili vlerësohet si një dritare e Kosovës me botën, do të fillojë më 6 gusht në qytetin e Prizrenit. Dhe ky vjen si një ribashkim i fuqishëm i publikut me festivalin që i ka qëndruar besnik traditës tashmë dydekadëshe.