Në listë janë alamet kryeqendrash botërore, e aty është edhe Prizreni. Mediumi global “Time Out”, Kinemanë në Kalanë e Prizrenit e ka radhitur në vendin e 16-të në atë që e quan shëtitje nëpër kinematë më spektakolare në ambient. “Natyrisht, u gëzuam shumë për vlerësimin, i cili sa është për kinemanë dhe ‘DokuFest-in’, aq është edhe për Prizrenin dhe Kosovën. Kur vlerësimi vjen nga një media globale sikur ‘Time Out London’, gëzimi është edhe më i madh”, ka thënë Veton Nurkollari, drejtor artistik i “DokuFestit”
Vlerësimi i radhës në arenën ndërkombëtare ka ardhur gjatë këtyre ditëve për “DokuFestin”. Kësaj radhe kinemaja e këtij festivali në Kalanë e Prizrenit është renditur në mesin e alamet kinemave botërore. “Time Out” e ka listuar atë në mesin e 40 kinemave më të bukura nën qiell të hapur, teksa i ka ftuar lexuesit e vet që ta realizojnë një shëtitje nëpër kinematë më spektakolare nën yje në planet.
Mediumi global, Kinemanë në Kalanë e Prizrenit e ka radhitur në vendin e 16-të, duke përshkruar se si në këtë vend gjatë festivalit, në muajin gusht, mirëpriten turmat ndërkombëtare për një javë me filma dokumentarë dhe të shkurtër me ndikim. Derisa përmendet themelimi i festivalit nga një grup i shokëve, afër dy dekada më parë, “Time Out” u jep merita edhe ndërtuesve të këtij monumenti të trashëgimisë kulturore.
“Kjo platformë e krijuar për një qëllim, me pamje nga qyteti – Kino Kalaja – plotësohet nga një arenë më e madhe brenda Kalasë”, shkruan ky medium, duke mos harruar që të përmendë edhe ndejat e gjata pas programit të filmave.
“Hollywood Bowl” – Los Angeles, “Westpac OpenAir” – Sydney, “Cine Thisio” – Athinë, “Cinespia, Hollywood Forever Cemetery – Los Angeles, “Cinéma de la Plage” – Cannes, “Rathausplatz” – Vjenë, “Arene de Pula” – Kroaci, “The Skyline Drive-in” – New York, “Galileo Open Air Cinema” – Cape Town, “Mies van der Rohe Pavilion” – Barcelonë, “Somerset House” – Londër, “Piazza Grande”, Locarno janë vetëm disa prej 40 kinemave nën qiell të hapur që janë veçuar nga “Time Out”.
Renditjen në mesin e të mirëve të globit, e kanë mirëpritur edhe drejtuesit e “DokuFestit”, të cilët pohojnë se në këtë mënyrë përhapen lajme të mira për vendin.
“Natyrisht, u gëzuam shumë për vlerësimin, i cili sa është për kinemanë dhe ‘DokuFest-in’, aq është edhe për Prizrenin dhe Kosovën. Kur vlerësimi vjen nga një media globale sikur ‘Time Out London’, gëzimi është edhe më i madh”, ka thënë Veton Nurkollari, drejtor artistik në “DokuFest”.
Sipas tij, përfshirja në lista të kësaj natyre është burim frymëzimi për angazhimin e mëtejmë.
“Ka domethënie shtytëse, nëse mund të shprehem kështu. Në punën të cilin e bëjmë ka nevojë për vlerësime të tilla, të cilat atëherë bëhen element shtytës për të vazhduar punën”, ka deklaruar Nurkollari.
Në të njëjtën kohë e ka pranuar se arritja deri në këtë pikë nuk ka qenë e lehtë, pasi që ideja fillestare për improvizimin e një kinemaje verore në Kala nuk ka ngjallur entuziazëm tek të gjithë.
“Më duhet ta ndaj me lexuesit një informatë rreth idesë fillestare të ndërtimit të kinemasë në Kalanë e Prizrenit dhe skepticizmit fillestar në lidhje me to. Ideja është e Jeton Jagxhiut, sikurse edhe ideja e kinemasë në lumë. Askush më shumë se ai nuk i ka besuar idesë dhe askush nuk ka këmbëngulur më tepër për ndërtimin e tyre. Natyrisht se realizimi i një projekti në dukje spektakolar ka qenë me sfida, por në të njëjtën kohë edhe jashtëzakonisht shpërblyes”, është shprehur Nurkollari.
Ky nuk është vlerësimi i parë i kësaj natyre për kinematë e “DokuFestit”, pasi që vizitorë të shumtë të tij gjatë një dekade kanë rënë në dashuri me arenat e filmit të shpërndara në pjesë të ndryshme të qendrës së Prizrenit. Veçanërisht me ato që vendosen në shtratin e Lumbardhit dhe afër mureve të Kalasë. Madje për to kanë shkruar mediat prestigjioze si “The Guardian”, “Mladina”, “Hurriyet” e të tjera, ndërkohë që vite më parë edhe “Daily Mail” i kishte futur ato në mesin e 10 kinemave më atraktive në botë.
Në vitin 2015, Jeton Jagxhiu, ideator dhe realizues i projekteve të kinemave në lumë dhe në Kala kishte theksuar se këto kanë qenë kinema të zorit, meqë në Prizren, rreth një dekadë më parë, nuk kishte kinema aktive.
“Mungesa e kinemave dhe jo vetëm e tyre, pra zori, të bën me qenë inovativ dhe të bën me gjet zgjidhje të reja. Them se sa më shumë që je në zor, aq më të mëdha janë gjasat me kriju’ diçka të vlefshme. Si analogji, kjo punë është sikur rasti i futbollistëve të suksesshëm që zakonisht dalin prej lagjeve më të varfra. Ashtu është edhe rasti ynë, sepse nuk ka asgjë spektakolare në përbërjen e këtyre kinemave: pak skele, pak fosne, disa karrige, zërim, projektor dhe pëlhurë elementare për projektim”, kishte rrëfyer Jagxhiu për KOHËN. Sipas tij, nevoja për instalimin e kinemave të reja në Prizren ka lindur shkaku i planit për të pasur më shumë shikues në festival, ani pse shumë njerëz kanë qenë skeptikë lidhur me këto ide. Ai e kishte pranuar se deri te realizimi ka pasur përkrahje prej organizatorëve të “DokuFestit”, i cili besim është shpaguar shumë shpejt, ku rritja e numrit të shikuesve në kinemanë në lumë është pasuar vitin e ardhshëm me improvizimin e kinemasë pranë mureve të Kalasë. E fjala e mirë për këto kinema në industrinë e filmit dhe festivaleve vazhdon që të përhapet edhe sot e kësaj dite.
Mirëpo pandemia COVID-19 dhe zbatimi i masave kufizuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit kanë bërë që edicioni i vitit të shkuar të mbahet online, pa praninë fizike të adhuruesve të filmit. Kësisoj, ka munguar ndjenja e shikimit të filmave në Kinemanë në Kala, por edhe në kinematë e tjera të hapura të “Dokufestit”. Nurkollari shpreson që këtë vit të ketë rikthim të këtyre kinemave.
“Na ka munguar edhe neve, por shumë më tepër publikut tonë, besoj. Por, nëse situata do të na mundësojë këtë vit, do të ketë një rikthim të kinemave në Kalanë e Prizrenit, përfshirë edhe disa surpriza të vogla në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Lista e plotë e “Time Out” me 40 kinematë më të bukura nën qiell të hapur