Viti 2001 ishte vit kthese për jetën kulturore në Prizren. Në këtë vit vuri themelet festivali “DokuFest” që për vite të tëra e bëri Prizrenin adresë të filmbërësve të huaj e vendorë. Por jo vetëm, ai u bë edhe destinacion i shumë turistëve që gjatë gushtit ia shtojnë gjallërinë Prizrenit.
Gjithçka merr tjetër ritëm në Prizren gjatë gushtit. Pos kinemave unike nëpër disa pjesë të qytetit, trashëgimia kulturore është një tjetër atraksion për vizitorët. Kalaja, xhamitë, kishat, shtëpitë disashekullore e rrugicat krijojnë mozaikun e qytetit. Por për të nxjerrë në pah krejt pasurinë e qytetit dhe potencialin e tij duhej një çelës. Ai ishte “DokuFesti”.
Gjatë dy dekadave festivali është rritur me një ritëm shumë të shpejtë.
Përveç filmave, Festivalin e përcjellin edhe një numër aktivitetesh si: punëtori, ekspozita DokuPhoto, kampingu i festivalit, koncerte e të tjera, duke i dhënë qytetit një ritëm tjetër.
Organizatorët para gati dy dekadash nuk e paramendonin se “DokuFesti” do të arrinte të ishte një dritare e Kosovës me botën dhe anasjelltas. Gjithçka kishte nisur si një ide për t’i funksionalizuar kinematë e qytetit.
“Ideja ka qenë e vogël. Ambiciet kanë qenë po ashtu të vogla. Nuk kemi pasur ne as ide, as ndonjë vizion të bëjmë diçka që do të bëhej ajo që është bërë. ideja ka qenë e ndërlidhur me kinemanë ‘Lumbardhi’, që në atë kohë ishte jashtë funksionit. Ne e menduam një ngjarje, ta them troç: se nëse mblidhemi, bëjmë diçka, lëshojmë disa filma, ndoshta mos po funksionalizohet kinemaja. Ndoshta mos po ia nisin të shfaqen filmat. Ambiciet tona kanë përfunduar aty”.
Kinemaja “Lumbardhi” dhe ajo në oborr të saj kino “Bahçe” kanë mirëpritur publikun e “DokuFestit” që nga ditët e para të tij. Megjithatë Festivali nuk është ndalur vetëm në këto vende filmi, ekranet janë ndezur edhe në destinacione më të veçanta.
Adhuruesit e filmave në Kosovë mund të shihnin ata në qiell të hapur. Në edicionin e tetë kinemaja “Lumi” ia jepte mundësinë publikut që të përjetonte historitë e filmave pranë gurgullimave të ujit të Lumbardhit të Prizrenit.
Në edicionin e nëntë, me instalimin e kino “Kalaja”, Prizreni u bë me kinemanë më të jashtëzakonshme që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovë. “DokuFesti” bëri që kinemaja të lëvizë edhe jashtë qytetit me kinemanë solare.
Gjatë viteve ngjarja u rrit me shpejtësi të madhe. Deri në masën që bota kulturore ta njohë Kosovën nëpërmjet “DokuFestit”. Ky festival ia ka dalë që ta fusë Kosovën në hartën botërore të ngjarjeve të rëndësishme kulturore.
"Është ndër 25 festivalet më të njohura sa i përket filmit dokumentar në botë për disa vjet me radhë. Në dy vjetët e fundit është i vetmi festival nga Evropa në listën e top 25 festivaleve më ‘cool’ në botë. Për ne është më shumë se një festival i filmit. Për qytetin e Prizrenit është ngjarja kryesore kulturore. Besoj që edhe për Kosovën është ndër ngjarjet më të mëdha kulturore", shton Nurkollari.
“Qyteti frymon me kinemanë. Kinemanë e shohim pak më shumë se vetëm argëtim. E shohim si mjet për ndryshimin e zemrave dhe të mendjeve të njerëzve që mund të çojë deri te ndryshimet shoqërore. Gjithmonë po flas për ndryshime pozitive”, deklaron Eroll Bilibani, udhëheqës i programit “DokuLab”.
Impakti ekonomik i Festivalit shkon përtej pritshmërive. Sipas një studimi të Institutit GAP, në vitin 2015 Prizreni kishte arkëtuar mbi 4.7 milionë euro më shumë gjatë kohës së Festivalit.
Për shumëkënd, festivali me dhjetëra programe i ka dhënë shpirt qytetit.
Ares Shporta, udhëheq fondacionin “Lumbardhi”. Si i ri ishte vullnetar i “DokuFestit”. Nga perspektiva e tij, Festivali lidhi qytetin por edhe Kosovën me botën.
“Definitivisht ‘DokuFesti’ na ka hapur dyert me botën dhe ka vendosur standarde të reja për atë se çfarë mund të bëjmë në Prizren. E ka shfaqur atë se përderisa je në gjendje të imagjinosh, ke vullnet dhe e ndjek atë ëndërr, secili send është i realizueshëm. Për mua si i ri edhe në kohën kur kam shkuar në studime jashtë vendit, ka qenë njëfarë motivi. Kam thënë se nëse në këtë qytet është bërë diçka si ‘DokuFesti’ dhe në këtë shtet është bërë diçka e tillë, aty mund të bëhet gjithçka. Ndoshta ka qenë ajo bindje që më së shumti më ka motivuar të kthehem në vendin tim”, deklaron Ares Shporta nga fondacioni “Lumbardhi”.
Pandemia ia ka pamundësuar “DokuFestit” t’i hapë kinematë. I mbajtur online, “Dokufesti” vitin e kaluar nuk e kishte imazhin e atij të 18 edicioneve të kaluara me kinematë e qytetin plot, hotelet pa asnjë vend të lirë dhe ndikimin e pazëvendësueshëm kulturor dhe ekonomik.
Por organizatorët s’janë dorëzuar. I janë kundërpërgjigjur pandemisë me “transmision” digjital. E mesazhi ishte i fuqishëm. “Transmisioni” ka qenë tema e përzgjedhur që në shumë mënyra ka vënë në pah transicionin nëpër të cilin po kalon shoqëria.
E “DokuFesti” tash i ka dhënë vetes detyrë që të nxisë kreativitetin te të rinjtë. Programet e Festivalit e veçanërisht “DokuLab” synojnë që të lidhin filmbërësit e rinj me botën.
“Mendoj se nëse nuk investojmë sot te rinia, nëse nuk investojmë kur janë ata në shkollë të mesme, atëherë e ardhja jonë nuk do të jetë fort e ndritur. Nëse vazhdojmë të merremi kështu me veten, me investim në infrastrukturë, asfalti nuk do të na ushqejë pas 20 vjetëve. Edhe nëse e lëmë trurin të na ikë, siç po ndodh ku shumica e të rinjve nuk po shohin perspektivë këtu e po ikin jashtë dhe nuk po kthehen , atëherë nuk do t’i kemi punët mirë”, thotë udhëheqësi i programit “DokuLab”, Eroll Bilibani.
Ideja fillestare e “DokuFestit” me atë që është sot ka të përbashkët vetëm shfaqjen e filmave. Ngjarja ka tejkaluar pritjet. Duke u bazuar në këtë, askush nuk mund të thotë saktë se si do të duket Festivali në të ardhmen.
“Ambiciet tona nuk janë shumë të mëdha, pasi kemi kuptuar që me ambicie të vogla e me hapa të vegjël mund të mbërrish më shumë sesa të kesh ambicie të mëdha menjëherë. Kosova nuk është ambient aq i shëndoshë për të pasur mundësi t’i shtysh përpara ambiciet e mëdha”, deklaron drejtori artistik i Festivalit, Nurkollari.
“DokuFest” që nga viti 2020 është edhe festival kualifikues në BAFTA. Festivali që ka dëshmuar veten në dy dekada edhe në kapituj të tjerë do të vazhdojë të jetë një dritare e kulturës kosovare me botën.