Një anije e dytë turke ka kaluar nëpër ngushticën e Hormuzit, tha ministri i transportit i Turqisë, Abdulkadir Uraloglu.
Sipas Uraloglut, kishte 15 anije turke në ngushticë kur shpërtheu lufta, dhe dy prej tyre janë larguar. Duke folur për CNN Turk, ai tha se katër anije nuk kanë kërkuar të largohen, dy janë transportues energjie dhe dy janë të angazhuara në tregti rajonale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo"Ne po punojmë në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të larguar nëntë anijet e mbetura," tha ai.
Nuk ishte e qartë se kur anija e dytë kaloi nëpër ngushticë. Uraloglu njoftoi kalimin e sigurt të anijes së parë më 13 mars pasi autoritetet morën leje nga Irani.
Ngushtica e Hormuzit, e cila transporton një të pestën e naftës botërore, është mbyllur pas kërcënimeve të Iranit ndaj transportit detar, shkruan The Guardian.
Megjithatë, disa anijeve u është lejuar kalimi i sigurt përmes ngushticës, sipas raportimeve, përfshirë një anije kontejnerësh në pronësi të kompanisë franceze të transportit detar CMA CGM, e cila doli nga Gjiri dje. Besohet të jetë anija e parë në pronësi të një linje perëndimore transporti detar që ka bërë kalim të sigurt që nga fillimi i luftës më 28 shkurt.
Ministri iranian: Kurrë nuk kemi refuzuar të shkojmë në Islamabad për bisedime
Ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se vendi i tij "kurrë nuk ka refuzuar" të marrë pjesë në bisedimet në Pakistan që synojnë t'i japin fund luftës. Ai shtoi se Irani dëshironte kushte "përfundimtare dhe të qëndrueshme" për t'i dhënë fund konfliktit.
Në javët e fundit, Pakistani e kishte vënë veten në qendër të përpjekjeve për të sjellë një armëpushim për t'i dhënë fund luftës, zyrtarët e së cilës kanë shprehur gatrishmëri për mbajtjen e bisedimeve në Islamabad.
Në një postim në X, Araghchi tha se pozicioni i Iranit po keqinterpretohet nga mediat amerikane.
“Ne jemi thellësisht mirënjohës ndaj Pakistanit për përpjekjet e tij dhe kurrë nuk kemi refuzuar të shkojmë në Islamabad. Ajo që na intereson janë kushtet e një FUNDI përfundimtar dhe të qëndrueshëm të luftës së paligjshme që na është imponuar”, shkroi ai.
Ndërsa Araghchi fajëson mediat amerikane për keqraportimin rreth gatishmërisë së Iranit për t'u angazhuar në negociata, agjencitë iraniane të lajmeve kishin raportuar se Teherani refuzoi bisedimet me Washingtonin. Zyrtarët iranianë më parë akuzuan SHBA-në se po përdorte bisedimet si një hile për të nisur më shumë sulme.
Pesë kushtet e Iranit për t’i dhënë fund luftës
Si një nga kushtet për përfundimin e konfliktit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin, Irani ka vendosur respektimin e të drejtës së tij për përdorim civil të energjisë bërthamore, ka thënë një burim diplomatik nga Republika Islamike, raporton agjencia shtetërore ruse RIA Novosti.
“Ndër kushtet për përfundimin e luftës është paqja e qëndrueshme në rajonin tonë, jo vetëm një armëpushim, me të cilin kemi përvoja të hidhura. Mekanizmi për arritjen e paqes së qëndrueshme përfshin dënimin e agresorit, reparacionet e luftës për dëmet materiale, heqjen e të gjitha sanksioneve dhe respektimin e të drejtës së Iranit për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore”, ka thënë ky burim.
Irani po kërkon paqe të qëndrueshme (garanci se nuk do të ketë më luftë), jo vetëm armëpushim, dënim të agresorit, dëmshpërblim për pasojat nga lufta, heqjen e sanksioneve dhe përdorimin civil të energjisë bërthamore.
I njëjti burim theksoi se nuk ka pasur bisedime mes Teheranit dhe Washingtonit që nga fillimi i konfliktit, edhe pse SHBA-ja thuhet se po i kërkon.
Në fund të marsit, presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se të dyja palët kishin filluar bisedimet për zgjidhje të konfliktit.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Iranit mohoi se po zhvillohej dialog i drejtpërdrejtë, por konfirmoi se Teherani ka marrë mesazhe përmes ndërmjetësve lidhur me dëshirën e Washingtonit për të nisur bisedimet.
Ndërkohë, SHBA-ja po dërgon gjithnjë e më shumë forca ushtarake në Lindjen e Mesme. Donald Trump ka kërcënuar me sulme të forta ndaj Iranit në dy deri në tre javët e ardhshme, ndërsa sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka thënë se Washingtoni nuk e përjashton mundësinë e një operacioni tokësor.