Për edicionin me të cilin shënon 21-vjetorin, festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” është i fokusuar të ketë një program divers. Sipas Veton Nurkollarit, drejtor artistik i festivalit, trendët e rinj në filmbërje, temat e shumta dhe diversiteti i tyre janë në përputhje me filozofinë programatike të festivalit, i cili është gjithmonë në kërkim të shprehjeve të reja nga autorë të guximshëm e të cilët avancojnë gjuhën filmike. “Kjo edhe mund të jetë sfiduese, por ne jemi të mësuar me sfida të ngjashme, sepse tekefundit ato na shpien në program dhe festival cilësor”, ka thënë ai
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka hapur thirrjen për edicionin e 21-të. Për të shënuar këtë edicion organizatoret janë në kërkim të shprehjeve të reja nga autorë të guximshëm. Thirrja për aplikim është e hapur për dokumentarë, filma të shkurtër, animacion dhe eksperimentalë. Nëpërmjet filmave që do të përzgjidhen “DokuFesti” do të shënojë edicionin e 21-të, të cilin synon ta mbajë vitin e ardhshëm prej 5 deri më 13 gusht në Prizren. Afati i rregullt për aplikim është 28 shkurti i vitit 2022.
Stafi i cili është duke punuar për këtë edicion ka thënë se “DokuFest” synon të prezantojë një program të pasur dhe të larmishëm të filmave dokumentarë bashkëkohorë, filmave të shkurtër dhe filmave të animuar, si dhe një numër masterklasash, panele, diskutime dhe punëtori. Pas një edicioni online në vitin 2020 dhe edicionit hibrid më 2021, “DokuFest” shpreson që edicioni i ardhshëm të zhvillohet plotësisht në formë fizike.
Aplikimet do të pranohen ekskluzivisht përmes platformës “Freeway”.
Veton Nurkollari, drejtor artistik i festivalit, ka thënë se “DokuFesti” vazhdon misionin e tij për të sjellë më të mirën dhe më të shkëlqyeshmen nga fusha e filmit bashkëkohor tek audienca e Kosovës dhe më gjerë.
“Ne edhe këtë vit presim një interesim të shtuar nga ana e filmbërësve nga e gjithë bota. ‘DokuFesti’ tanimë është një festival me renome dhe interesimi për të aplikuar dhe për të qenë pjesë e tij është i madh, prandaj besojmë se edhe këtë vit ky interesim do të jetë njëjtë, në mos edhe më i lartë”, ka thënë ai.
Sipas tij, interesimi i festivalit, sikurse edhe i audiencës së tyre është i shumanshëm, prandaj ne besojmë se edhe nevoja për një program divers është imperativ.
“Po ashtu, trendët e rinj në filmbërje, temat e shumta dhe diversiteti i tyre janë në përputhje me filozofinë programatike të festivalit, e cila është gjithmonë në kërkim të shprehjeve të reja nga autorë të guximshëm, të cilët avancojnë gjuhën filmike”, ka thënë ai. Sipas Nurkollarit, kjo edhe mund të jetë sfiduese, por ne jemi të mësuar me sfida të ngjashme, sepse tekefundit ato na shpien në program dhe festival cilësor.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” është festivali më i madh i filmit në Kosovë. I vlerësuar si një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore dhe i radhitur dy herë në mesin e 25 festivaleve më të bukura të filmit nga “Filmmakers Magazine”, çdo vit festivali mbush kinematë rreth Qendrës Historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filmash nga e gjithë bota.
I themeluar në vitin 2002, me synimin për të rigjallëruar kinemanë dhe jetën kulturore në Prizren, “DokuFest” u rrit dhe u zgjerua në ngjarjen më të madhe kulturore në vend dhe një nga festivalet më të mira të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropë. Që nga viti 2019 “DokuFesti” është festival kualifikues i BAFTA-s i Seksionit B për çmimin e filmit të shkurtër britanik.
Vitin e kaluar për edicionin jubilar, që ishte mbajtur nga 6 deri më 14 gusht nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali kishte përzgjedhur që të prezantonte 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës, të cilët konkurruan në 8 kategori garuese. Filmi “Reconciliation” nga Marija Zidar ishte shpallur filmi më i mirë i atij edicioni që si temë pati “Re:Set”, “Re:Mix” dhe “Re:Act”.