Kulturë

“DokuFest” në kërkim të filmave që eksplorojnë kufijtë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, ka hapur thirrjen për edicionin jubilar. Për të shënuar dy dekada, organizatoret janë në pritje të veprave të reja të cilat eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë me kreativitet. Thirrja për aplikim është e hapur për dokumentarë, filma të shkurtër, animacion dhe eksperimentalë. Nëpërmjet filmave që do të përzgjidhen, “DokuFesti” do të shënojë edicionin e 20-të, të cilin synon ta mbajë vitin e ardhshëm prej 6 deri më 14 gusht në Prizren. Afati i rregullt për aplikim është 28 shkurti i vitit 2021.

Producentja e Festivalit, Alba Çakalli, ka thënë se viti 2021 do të jetë viti kur “DokuFesti” do të festojë jubileun dhe si çdo vit, fton regjisorët nga Kosova, rajoni dhe e gjithë bota për të aplikuar për programin në tetë kategori garuese dhe programet speciale të këtij edicioni.

“Përballja me sfida të ndryshme gjatë realizimit të edicionit të 19-të mund të konsiderohet si eksperiencë unike në planifikimin e edicionit të 20-të të ‘DokuFestit’. Si çdo vit, as edhe kjo situatë pandemike nuk na ndalon për planifikimet dhe entuziazmin që ekipi i ‘DokuFest’ e ka për përgatitjen e edicionit jubilar të festivalit”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se pavarësisht situatës se çfarë do të sjellë viti 2021, ekipi është duke punuar që ta organizojë festivalin në formatin hibrid: atë fizik dhe online.

“Në këtë periudhë të vitit, shpresat tona janë që t’i presim mysafirët tanë ndërkombëtarë dhe nga rajoni, në qytetin e bukur të Prizrenit me kinematë të mbushura me shikues dhe atmosferë të gjallë si edicionet e kaluara”, ka thënë ajo. Ka shtuar se në këtë fazë është ende herët të flitet për fazën finale të planifikimeve.

“Idealisht, ne dëshirojmë ta mbajmë festivalin në datat e planifikuara në formatin hibrid, por varësisht prej rrethanave formati online tanimë është pjesë e planifikimeve tona afatgjate”, ka thënë ajo.

“DokuFesti”, për shkak të pandemisë nuk i ka ndezur ekranet e kinemave në edicionin e 19-të. Prej 7 deri më 15 gusht bëri të qasshëm platformën online ku u shfaqën gjithsej 90 filma, të cilët vinin nga 51 vende të botës dhe konkurruan në 8 seksione garuese. Në mesin e tyre, edhe 8 filma të cilët ishin pjesë e programit garues të ri “Truth”, për filmat midis zhanrit të dokumentarëve dhe gazetarisë hulumtuese. Festivali për atë edicion pranoi 2 mijë e 690 filma dokumentarë dhe të shkurtër.

“Të kohës, të rëndësishëm dhe inovativë, kështu do t’i përshkruaja disa nga filmat e programit garues të sivjetmë”, i kishte përshkruar filmat garues, Veton Nurkollari, drejtor artistik i Festivalit. Kishte shtuar se edhe në këto kohë të vështira, “DokuFesti” vazhdon misionin e tij për të sjellë më të mirën dhe më të shkëlqyeshmen nga fusha e filmit bashkëkohor tek audienca e Kosovës dhe më gjerë. Inspiruar nga bendi britanik post-punk “Joy Division” dhe njërën prej këngëve të tyre ikonike, tema e edicionit të 19-të kishte tri nëntema: “Transmisionin”, “Tranzicionin” dhe “Trasformimin”.