Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka bërë të ditur filmat që janë pjesë e programit “20 FOR 20: REPLAY”, i përbërë nga 20 filma që janë shfaqur në “DokuFest” gjatë 19 edicioneve të kaluara. “Për të mos thënë 20 filmat më të mirë, por më tepër filma që disi përcaktojnë shijen dhe praktikën kuratoriale të ekipit programues të ‘DokuFestit”, është përshkrimi që ia ka bërë ekipi programit të veçantë që sjell në edicionin jubilar
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka zbuluar vetëm një pjesë të asaj që do t’i ofrohet publikut në edicionin e sivjetmë. “20 FOR 20: REPLAY” është titulli i programit kurues që në njëfarë forme sjell historinë e festivalit e frymën e tij.
“’DokuFest’ ka kënaqësinë të shpallë programin e parë të filmave nga një seri programesh të kuruara, posaçërisht për edicionin e tij të 20-të, jubilar, me titull ‘20 FOR 20: REPLAY’, i përbërë nga 20 filma që janë shfaqur në ‘DokuFest’ në këto vitet e fundit”, është shkruar në komunikatën për media.
Sipas stafit, “për të mos thënë 20 filmat më të mirë”, në program janë përzgjedhur filma që “përcaktojnë shijen dhe praktikën kuratoriale të ekipit programues të ‘DokuFestit”.
“Një program që feston 20 vjetët e festivalit me 20 filma të mrekullueshëm! Ne mund të bënim më shumë, por duhej të ndaleshim diku!”, është shkruar tutje në komunikatë.
Ndër titujt që do të shfaqen janë disa nga fituesit e kaluar të festivalit, si filmi “La Bocca Del Lupo’” i Pietro Marcellos, “Dubina Dva” i Ognjen Glavoniqit, “Sans le Kosovo” i Dea Gjinovcit dhe filmi i shkurtër emocionues “Sun Dog” i Dorian Jespers.
Siç është bëtë e ditur në komunikatë, programi përfshin filma të jashtëzakonshëm.
“Filmin tejet inovativ ‘Leviathan’ nga dyshja Verena Paravel dhe Lucien Castaing-Taylor, të paharrueshmin ‘Black Sun’ nga Gary Tarn, filmin magjepsës të Bill Morrisonit – ‘Dawson City: Frozen Times’, turbullirën e kufirit kinematografik të vëllezërve Ross – ‘Bloody Nose, Empty Pockets’, filmin e shkurtër me një kuadër të Lendita Zeqirajt – ‘Ballkoni’, ‘America’, një film mahnitës i shkurtër nga Garrett Bradley apo vështrimin imagjinar të Iain Forsyth dhe Jane Pollard të 24 orëve në jetën e rock ikonës Nick Cave, në filmin “20,000 Days on Earth’, si dhe një mori filmash të tjerë fantastikë”, shkruhet në komunikatë.
Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” kishte hapur thirrjen për edicionin jubilar në nëntor të vitit të kaluar. Për të shënuar dy dekada, organizatorët patën thënë se janë pritje të veprave të reja të cilat eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë me kreativitet.
Thirrja për aplikim ishte e hapur për dokumentarë, filma të shkurtër, animacion dhe eksperimentalë. Këtë vit “DokuFest” do të mbahet prej 6 deri më 14 gusht në qytetin e Prizrenit në formatin hibrid, me shumicën e filmave të cilët do të shfaqen në kinema me audiencë. Programi i plotë i festivalit, përfshirë filmat e kategorive garuese, do të publikohet më datën 9 korrik, kur edhe pritet të bëhet e ditur tema e këtij edicioni. Inspiruar nga bendi britanik post-punk “Joy Division” dhe njërën prej këngëve të tyre ikonike, tema e edicionit të 19-të kishte tri nëntema: “Transmisionin”, “Transicionin” dhe “Transformimin”.