Edicioni i 20-të ashtu, siç është bërë e ditur edhe përmes një videoje 6 minuta e 22 sekonda, është një mbledhje për të festuar ditëlindjen e “DokuFestit”. Një festival që ka mbledhur me vite adhurues të filmit, por jo vetëm. Ashtu siç kanë treguar vullnetarët e “DokuFestit” në videon hapëse: Aty janë thyer kufijtë, janë parë rrenat, të vërtetat, mashtrimet, protestat, luftërat, sukseset e ëndrrat. Aventura e sivjetme kujton 20 vjet, si dhe hap një kapitull të ri. Një kapitull të cilin mbetet për ta eksploruar edhe në ditët në vazhdim, pasi që edicioni që nisi mbrëmjen e së premtes do të zgjasë deri më 14 gusht
Që nga e premtja në mbrëmje Prizreni frymon ndryshe. Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” ka ndezur projektorët. Edicioni i 20-të, ashtu siç është bërë e ditur edhe përmes një videoje 6 minuta e 22 sekonda, është një mbledhje për të festuar ditëlindjen e “DokuFestit”. Një festival që ka mbledhur me vite adhurues të filmit, por jo vetëm. Ashtu siç kanë treguar vullnetarët e “DokuFestit” në videon hapëse: Aty janë thyer kufijtë, janë parë rrenat, të vërtetat, mashtrimet, protestat, luftërat, sukseset e ëndrrat. Aventura e sivjetme kujton 20 vjet, si dhe hap një kapitull të ri. Një kapitull të cilin mbetet për ta eksploruar edhe në ditët në vazhdim, pasi që edicioni që nisi mbrëmjen e së premtes do të zgjasë deri më 14 gusht.
Për krijimin e magjisë nga pothuajse asgjë
“Kino Lumbardhi” ishte vendi ku mori krah “DokuFesti”. Pas dy dekadave, ëndrra e një grupi entuziast për rikthimin e kinemasë nxiti krijimin e Festivalit të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, duke ndikuar në zhvillimin e kinematografisë në vend, duke sjellë një program cilësor të filmave, duke inkuadruar filmin në sistemin arsimor dhe duke nxitur prodhimin e filmave krahas rritjes se vet si festival. Por nuk është rritur vetëm “DokuFesti”. Këto dy dekada të “DokuFestit” kanë rritur edhe Kosovën, por edhe njerëzit që gjatë viteve në një formë apo tjetrën u bënë pjesë e tij. Kjo u pa më së miri përmes videos hapëse të këtij edicioni.
Në të bëheshin bashkë pamje të edicioneve të kaluara, copëzave të gazetave me shkrime kushtuar festivalit, shënime të tilla si: “1607 jena minus”, kërkesa publike për ndërprerjen e rrymës rreth “Kino Lumbardhit”, copëzës së parë të kalldrëmit të festivalit “DokuFest” iu bë një shëtitje, e brenda një kopshti u panë të varura për t’u tharë disa fanella, në të cilat ishin printuar sloganet e kaluara të “DokuFestit”.
“Më kujtohet hera e dytë kur ishim në ‘DokuFest’, unë dhe kolegu im Thomas vendosëm në mes të natës, që para se të shkonim për të fjetur, të pinim një raki të fundit në sheshin e qytetit. Të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më pas , tri orë më vonë njëzet njerëz u bashkuan me ne, bëmë miq njerëz të rinj nga e gjithë bota, pimë pije dhe hëngrëm ushqim fantastik dhe po, thjesht e dua festivalin”, dëgjohet të deklaronte një i huaj në gjuhën angleze gjersa shiheshin nga afër mbishkrimet në fanella si “Future is Girl”.
“E di si, vetëm të menduarit për vendosmërinë që krijojnë vendet si “DokuFest” duket se mund të jetë e dobishme për shumë njerëz tani”, është një zë tjetër po ashtu në gjuhën angleze që dëgjohet gjersa shihen pamje nga edicionet e kaluara. Një person tjetër, sa herë që mendon për “DokuFestin” mendon për diçka të veçantë magjike dhe të fuqishme.
“Dhe për mua kjo është një shfaqje e vërtetë e magjisë në botë, dhe kjo është ajo për të cilën mendoj kur mendoj për ‘DokuFestin’, mendoj për krijimin e magjisë nga pothuajse asgjë dhe jam mirënjohës që jam përfshirë në atë magji”, dëgjohet zëri i personit, identitetin e të cilit festivali nuk e bën të ditur në videon hapëse.
Duke e mbajtur të fshehur identitetin e tyre, e duke lënë vetëm zërin, në një formë tregimet e tyre kthehen në mesazhe me të cilat mund të identifikohen edhe të tjerët. Veten mysafirët mund ta kenë gjetur edhe te “Witches of the Orient”, nën regji të francezes Julien Faraut. Një film për ëndrrat, për këmbënguljen dhe për suksesin, që hapi këtë edicion të festivalit.
Brenda 100 minutave, në filmin që është pjesë e programit special “View from the world” shpaloset rrëfimi i lojtareve japoneze të volejbollit që njiheshin si “Shtrigat e orientit” për shkak të fuqisë së tyre, që në dukje ishte e mbinatyrshme. Brenda filmit kapërthehet tregimi i tyre që nga krijimi i skuadrës në fund të viteve ‘50, si ekip i punëtoreve në një fabrikë tekstili, deri te triumfi i tyre më 1964 në Lojërat Olimpike të Tokios. Një punim mjeshtëror ku gërshetohen e vërteta dhe legjenda.
Nga riaktivizimi i kinemasë te dy dekadat si festival
Drejtori artistik i “DokuFestit”, Veton Nurkollari, ka thënë se ajo që i ka shtyrë përpara është pikërisht ky vend. E, sipas tij, “Kino Lumbardhi” është shpirti dhe zemra e “DokuFestit”.
“Ne nisëm gjithçka për ta ringjallë këtë kinema, aty ka qenë dhe qëllimi ynë kryesor dhe nuk mendonim se do të nisnim një festival të madh siç është tani. Atëherë nuk ka pasur ngjarje kulturore, nuk ka pasur kinema në Kosovën e pasluftës, as në Prizren dhe ajo na ka shtyrë”, ka thënë Nurkollari. Ka shtuar se ambicie e tyre ishte riaktivizimi i kinemasë dhe mendonin se me aq do të përfundonin. Mirëpo vazhduan dhe arritën edhe më shumë. Për dy dekada transformuan në shumë mënyra edhe vendin.
“Nëse më duhet me folë për suksesin e filmit kosovar në kohët e fundit, e sidomos në këtë vit, atëherë mendoj që ndikimi i ‘DokuFestit’ është mjaft i madh. Nuk di nëse bën me imagjinu një Kosovë pa ‘DokuFest’, e me këtë lloj suksesi. Më duket se është iluzore të tentosh e ta imagjinosh, sepse ‘DokuFesti’ ka bërë mjaft për të promovuar kulturën e filmit, filmbërjen, ndoshta edhe ëndrrat e disa të rinjve me u marrë me film dhe ato me u realizu”, ka thënë ai. Ka shtuar se ky rrugëtim 20- vjeçar ka qenë sfidues, dhe vazhdon të jetë i tillë edhe sot e kësaj dite.
Në këtë edicion do të shfaqen mbi 230 filma, prej të cilëve 106 janë në garë në tetë kategoritë e festivalit.
“Është një program fantastik, i jashtëzakonshëm, shumica e filmave janë të rinj dhe do të ketë disa filma, që do të shihen edhe më vonë dhe do të garojnë edhe nëpër festivale më të mëdha”, ka thënë Nurkollari, i cili ka theksuar se nuk do të ndalen.
“Nuk bën me u ndalë, si me u ndalë, as nuk e kemi menduar me u ndalë. Të vetmin problem e kemi pasur vitin e kaluar, ashtu si e gjithë bota, por sivjet na është hapur një dritare për ta rikthyer festivalin”, ka thënë ai.
Një vend me rëndësi këtë vit, ashtu si çdoherë, do të zërë edhe kategoria kombëtare, që do të vërë në garë regjisorë të rinj, por edhe të tillë që tashmë kanë bërë karrierë në vend.
Për një “Re:Set”, “Re:Mix” dhe “Re:Act”
Përzgjedhësi i programit të filmave të shkurtër dhe atij kombëtar, Samir Karahoda, ka kujtuar se si në vitet e para të festivalit nuk ka pasur kategori të ndara të filmave, dhe se seksionet kanë nisur që të ndahen prej edicionit të 5-të, duke rritur cilësinë si te gara kombëtare ashtu edhe te programi i filmave të shkurtër.
“Sa i përket filmit të shkurtër ka pasur rritje graduale, dhe mund të them që komplet programi është njëri prej më të mirëve, pasi këtë e kanë konstatuar kritikët e filmit, si dhe përzgjedhësit e festivaleve të tjera, prandaj dhe duhet të ndihemi krenar me këtë program”, ka thënë Karahoda. Ai ia ka bërë edhe një zbërthim temës së sivjetme: “Re:Set”, “Re:Mix” dhe “Re:Act”
“’Re:Mix’ nënkupton që do të shfaqin edhe gjëra që janë shfaqur në ‘DokuFest’ gjatë viteve të kaluara, normal të bëjmë një ‘Re:Set’ të fillojmë diçka nga e para pas izolimit dhe ‘Re:Act’ është ajo ana që e kemi gjithmonë të aktivizohemi dhe të reagojmë në padrejtësi”, ka thënë ai.
Karahoda ashtu si i gjithë stafi i “DokuFestit” është vaksinuar për të sjellë një festival sa me të sigurt për të gjithë. E drejtoresha ekzekutive e organizatës, Linda Llulla-Gashi ka thënë se tema është një nxitje edhe për reflektim.
“Të reflektojmë për një të nesërme tjetër, pasi që më bota nuk do të jetë siç ka qenë. Pas pandemisë gjërat kanë ndryshuar dhe koncepti i çdo gjëje ka ndërruar, kështu që po dëshirojmë me i nxitë njerëzit që me e rifillu jetën e tyre”, ka thënë ajo. Ka shtuar se edhe vetë festivali ka pësuar një rifillim pas edicionit pandemik dhe se rikthimi në kinematë bashkë me publikun është gëzimi më i madh i këtyre ditëve dhe arsye e punës së palodhshme të stafit.
Transformimi i Prizrenit
Energjia e stafit dhe e qytetarëve u spikat që në fillim të ditës. “A ja nisi ‘DokuFest’ a?”, ishte pyetja me zë të lartë e një burri në moshë të shtyrë me një triko ngjyrë të bardhë e pantallona të kaltra. Ishte në biçikletë dhe prandaj e ngrinte zërin që të dëgjohej gjersa kalonte. Pyetja e tij i drejtohej Shpat Kajtazit, një adoleshent në shkollë të mesme. I lindur në Prizren, Kajtazi ka tre vjet që është pjesë e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentarë dhe të shkurtër, “DokuFest” si vullnetar. I ka rënë hise që të shoqërojë të premten në mesditë edhe stafin e KOHËS për në shtëpinë ku do të qëndrojnë për tetë ditë. Vitin e kaluar festivali nuk pati asnjë vullnetar si Kajtazi, shkak ishte bërë pandemia, e cila e ktheu të gjithë edicionin në formatin online. Atë vit, Prizreni ishte i qetë, pa mysafirët që ngrehnin rrugëve të kalldrëmit valixhet e tyre, e që ndihmoheshin nga vullnetarë për t’u sistemuar. Zymtësia e vitit të kaluar, sikur i ka dhënë edhe më shumë zemër festivalit.
“Kanë filluar të vijnë mysafirë, por më së shumti pritet të vijnë nga 10 gushti. Pra gjatë katër ditëve të fundit. Është ngjallë edhe Prizreni”, ka thënë vullnetari. Pas kësaj, është nisur për në aeroport. “Kemi për të marrë atje do mysafirë”, ka treguar ai. Ardhja e mysafirëve, që në mëngjes vërehej veçanërisht afër kinemasë “Lumbardhi”, aty ku u vulos nisja e edicionit të 20-të.
Askush më mirë se vendasit si Kajtazi nuk e njeh transformimin që i ndodh qytetit. Ilir Shala, pronar i lokalit “Queen”, është i lumtur jo vetëm për faktin se mendon se financiarisht do të ketë më shumë fitim. Lumturia e tij e madhe është diçka tjetër: lokalit i është kthyer gjallëria.
“Që në ditën e parë po vërehet se njerëzit janë me të lumtur. I sheh njerëzit, vullnetarët duke punuar, ka entuziazëm, vërehet energji pozitive përreth ngjarjes”, ka thënë ai. Ka shtuar se beson se festivali do të ndikojë jo vetëm në Prizren, por edhe në nivel vendi.
“Po ndikon pozitivisht në harmoni, pasi që zymtësia ka kohë që kishte ndikuar të ne, maskat, masat, të gjitha këto. E një festival i tillë i sjell të paktën një fotografi të jetës që ka qenë më herët”, ka thënë ai. Ngjitur me këtë lokal, jeton Arsim Futko. Shtëpia e tij është më e afërta me kino “Lumbardhin”. Ka dy hyrje, një të vogël pikërisht nga hyrja e kinemasë. Pak qaste para se të niste ceremonia e hapjes, me mirësi u kishte kërkuar mysafirëve që kishin zënë vend që t’ia lironin pak vend për të kaluar. Pasi që kishte hyrë brenda në oborr e rehatuar biçikletën e tij, ai kishte dalë përsëri. Kishte nisur të fliste me mysafirët.
“Shyqyr për të mirë po bëhen bashkë njerëzit e po ka pak ndryshime”, ka thënë prizrenasi, i cili pranë vetes kishte marrë edhe dy mbesat.