Kulturë

“DokuFesti” përshkruhet si festival magjik, midis 20 më të mirëve në botë

“’DokuFest’ shpesh përshkruhet si festival ‘magjik’ dhe kështu është – që mbahet në qytetin rrëzë Sharrit të Kosovës, me hapësira për shfaqje të filmave që janë të vendosur, duke nisur nga kinemaja e vjetër Jugosllave deri te themelet e Kalasë së periudhës osmane. Shumë mund është dhënë për ta shndërruar këtë festival në një destinacion ndërkombëtar dhe ju mund ta ndieni këtë”, shkruan “MovieMaker”

Filmat e shkurtër, vlerësohet të jenë qenësor për filmbërës ambiciozë. Madje filmat më të mirë të shkurtër tregojnë rrëfime edhe më drejtpërdrejtë sesa të gjatët. Prandaj sipas revistës amerikane “MovieMaker” festivalet dedikuar filmave të shkurtër kanë rol kyç. Këto janë vetëm dy prej arsyeve që e kanë shtyrë këtë mediumin që të publikojë listën me 20 festivalet me të mira në botë, dedikuar filmave të shkurtër. Mes tyre vend zë edhe festivali i Kosovës “DokuFest”, që në gusht të këtij viti shënoi edicionin e 20-të.

Me asistencën e filmbërësit, Anderson Matthew, i njohur për filmin e tij “Baja Come Down” dhe producentes, Katie White, e njohur për filmin “Best Summer Ever, Caity”, “MovieMaker” ka bërë bashkë një grup të filmbërësve dhe producentëve që kanë ndihmuar në përpilimin e listës që bënë bashkë 20 festivalet më të mirë në botë e që u dedikohen filmave të shkurtër.

“Përderisa edhe festivalet e tjera janë të rëndësishme, ne kemi përzgjedhur këto 20 festivale që ju japin filmave të shkurtër një shprehje speciale”, shkruhet në arsyetim.

“MovieMaker” është e fokusuar në art dhe industrinë e filmbëries me një fokus të veçantë të filmat e pavarur. Ishte themeluar në vitin 1993 nga Timothy Rhys, si një publikim i vogël me bazë në Seattle. Sot është një ndër mediumet kryesore amerikane të artit amerikane dhe është zhvendosur me bazë në Los Angeles të Kalifornisë.

Mbishkrimi dedikuar festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” nis duke treguar se kritikja e filmave njëkohësisht pjesë e stafit të “MovieMaker”, Courtney Stephens kishte shfaqur filmin e saj në edicionin e 20-të të “DokuFestit”. Bëhet fjalë për filmin 62-minutësh “Terra Femme”. Ne këtë copës shkrimi Stephens tregon se “DokuFesti” e përshkruan në mënyrë të përsosur atë tërheqjen ballkanike.

“’DokuFest’ shpesh përshkruhet si festival ‘magjik’ dhe kështu është – që mbahet në qytetin rrëzë Sharrit të Kosovës, me hapësira për shfaqje të filmave që janë të vendosur, duke nisur nga kinemaja e vjetër Jugosllave deri te themelet e Kalasë së periudhës osmane. Shumë mund është dhënë për të shndërruar këtë festival në një destinacion ndërkombëtar dhe ju mund ta ndieni këtë”, e ka cituar “MovieMaker” regjisoren amerikane Courtney Stephens.

Tutje tregohet se Festivali shfaq filma dokumentarë, po ka një vend të veçantë edhe për filmat e shkurtër. Po ashtu potencohet se gjatë nëntë ditëve, përveç shfaqjes së filmave, mbahen edhe ekspozitë, debate, masterklasa dhe ka mbrëmje me muzikë live.

Potencohet edhe qëllimi kryesor i Festivalit e që është rivitalizimi i kinemave dhe jetës kulturore në Prizren. Po ashtu përmendet edhe “DokuLab”, një iniciative tjetër me shumë vlerë, sipas “MovieMaker”, brenda së cilës gjenden të digjitalizuar mbi 150 filma dhe 80 filma me udhëzues për studentë.

Linda Llulla Gashi, drejtoresha ekzekutive e “DokuFestit” ka thënë së të jesh në mesin e festivaleve, si “Clermont-Ferrand International Short Film Festival”, që mbahet në Francë apo “Tampere Film Festival”, që mbahet në Finlandë, është me të vërtetë privilegj.

“Kjo listë është një tregues i mirë dhe vlerësim i punës sonë ndër vite. Ky vlerësim është i rëndësishëm për kualitetin e filmave apo edhe kuantitetin me të cilit konkurrojnë të ne, por në anën tjetër është përgjegjësi e jona për ta mbajtur këtë titull edhe në vitet e ardhshme dhe normal ta arsyetojmë këtë titull me program të jashtëzakonshëm të filmave të shkurtër”, ka thënë ajo.

Vitin e kaluar pikërisht ky medium e kishte radhitur “DokuFestin” për herë të dytë në mesin e festivaleve më “cool”.

“Se çfarë e bën dikë ‘cool’, është gati e pamundur për ta artikuluar”, kishte shkruar atëherë stafi i mediumit të njohur amerikane dedikuar artit dhe kulturës, “MovieMaker”. Mirëpo, sipas tyre, njerëzit e kuptojnë që diçka është e mirë kur e shohin atë. E syve të pesë panelistëve, që e kishin përpiluar listën, nuk iu kishte ikur festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

“Disa kanë bërë në mënyrë të qartë ndryshime të mëdha së fundi për të mirën e të gjithëve. Kjo është gjëja më ‘cool’ që ne mund ta imagjinojmë”, shkruhet në artikull. Sipas përshkrimit, panelistët kanë përfshirë edhe festivalet që janë aranzhuar për në fund të atij viti dhe festivalet që synojnë të rikthehen me organizime tradicionale.

Përtej Festivalit, Departamenti edukativ i “DokuFestit”, “DokuLab” menaxhon Qendrën e Produksionit të Filmit për të Rinj dhe fuqizon mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audiovizuale në procesin mësimor dhe ndërlidhjen e tyre me metodat tradicionale e që i adresojnë çështjet komplekse, zhvillojnë mendimin kritik dhe promovojnë zhvillimin shoqëror tek të rinjtë.