Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dita e Alfabetit drejt statusit si festë zyrtare në Shqipëri

Dita e Alfabetit, më 22 nëntor, është edhe një hap më afër që të bëhet festë zyrtare në Republikën e Shqipërisë. Komisioni për Politikën e Jashtme i Kuvendit të Shqipërisë ka shqyrtuar Projektligjin për një shtesë në ligjin nr.7651, datë 21.12.1992, për festat zyrtare e ditët përkujtimore, të ndryshuar.

E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo, e cila u shpreh se kjo nismë ligjore ka të bëjë me përfshirjen e datës 22 nëntor, Dita e Alfabetit, në listën e festave zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

“Kjo datë është përkujtimore, jo vetëm për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, por edhe për diasporën shqiptare. Ishte pikërisht dita kur u mblodh diaspora shqiptare në samitin e saj të tretë nëntorin e vitit të kaluar, ku u lansua edhe angazhimi i Qeverisë shqiptare për ta përfshirë këtë ditë në listën e festave zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Kjo është një nga datat më të mëdha të historisë sonë”, citohet të ketë thënë Malo.

Deputetja Etilda Gjonaj u shpreh se ky është një ndryshim që ka rëndësi të madhe.

“Do të kemi një ditë tjetër që të përqafohet nga të gjitha trevat shqiptare, siç e ka Maqedonia e Veriut, tashmë edhe ne me alfabetin”, ka thënë Gjonaj, e cila ftoi kolegët të votojnë pro këtij projektligji.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim nen për nen dhe në tërësi Projektligjin.

Nisma për shpalljen e 22 Nëntorit, Ditë Kombëtare të Alfabetit si festë zyrtare, kishte bërë hapa konkretë qysh në nëntorin e kaluar në Samitin e Diasporës Shqiptare në Tiranë.

Edhe 2024-a si Vit i Gjuhës Shqipe në Shqipëri kulmon me Ditën e Alfabetit Kulturë 2024-a si Vit i Gjuhës Shqipe në Shqipëri kulmon me Ditën e Alfabetit

“Me një sugjerim shumë të arsyeshëm të presidentit dua ta kornizoj këtë fjalë edhe në funksion të frymës së këtij samiti, por edhe në funksion të asaj që ka rëndësi të jemi bashkë, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Është e çuditshme, por Arbën Xhaferi, i cili nuk jeton më, por pati vizionin të kërkojë që dita e alfabetit, 22 nëntori, të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Tani mendoj se është koha që kjo të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër unë besoj se edhe presidentja e Kosovës t’ia japë këtë sugjerim kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj presidentin për veten time”, kishte thënë asokohe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Dita e Alfabetit në Kosovë nuk figuron as në listën e ditëve përkujtimore.

Muajin e kaluar, Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur 2024-n Vit të Gjuhës Shqipe. Qëllimi: ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe. Aktivitetet do të kulmojnë më 22 nëntor, në Ditën Kombëtare të Alfabetit Shqip, që sivjet për herë të parë pritet të shënohet si festë zyrtare.