“Dentro e Fuori: viaggio nell’introspezione” (Brenda dhe jashtë: një udhëtim në introspeksion) titullohet ekspozita kolektive, e cila bashkon artistë nga vende të ndryshme të botës në “Medina Art Gallery”, në Romë. Aty do të ekspozohen edhe dy vepra të piktorit Ramë Dardania. Nuk janë kryekëput të lidhura me Kosovën, emri i tij flet vetë, por me artin e tij ai eksploron botën e brendshme. “Janë sociale, përmes problemeve e gjërave që na ndodhin në jetët tona plot kaos. Mundohem me dërgu mesazhe si kritika për ta mbrojtur ‘të mirën’”, ka thënë Dardania
Me art bashkëkohor, ngjyrash e formash që thyejnë çdo rregull e kufi të konformitetit, artisti nga Kosova, Ramë Dardania, ndërton karakterin e tij si artist në Evropë. Karriera e tij në pikturë kishte nisur më 2006 me t’u transferuar në qytetin e Gjenevës. Në këtë qytet, që shtrihet në majën jugore të liqenit me formë gjysmëhënore me po të njëjtin emër, artisti gjeti inspirim që në takimin e tij të parë. Bukuria e këtij qyteti, liqeni, dinamizmi që ia jep atij një epitet të një qyteti që s’fle kurrë, e rrugët me kalldrëm qenë koordinatat që e shpien atë drejt pikturës. Udhëtimin me artin e kishte nisur me teatrin, por takimi me pikturën qe i mirëseardhur e krejt i natyrshëm.
“Kam frekuentuar shumë rrugica të vogla në këtë qytet që më dërgonin në galeri arti, rrjedhimisht kam vizituar shumë galeri dhe piktorë të ndryshëm. E duke e bërë këtë mendova të krijoja një udhë që do ta lidhte disi interesimin tim me teatrin dhe pikturën”, ka thënë Dardania për KOHËN.
Një galeri e artit bashkëkohor e quajtur “Medina Art Gallery” në Romë do të jetë nikoqire e një ekspozite të titulluar “Dentro e Fuori: viaggio nell’introspezione” (Brenda dhe jashtë: një udhëtim në introspeksion), e cila do të bëjë bashkë artistë nga vende të ndryshme të botës në një ekspozitë kolektive.
E Kosova do të përfaqësohet me dy pikturat e artistit Ramë Dardania. Prej 12 deri më 25 janar aty do të prezantohet arti bashkëkohor me tërë kompleksitetin e tij duke filluar nga pikturat, fotografia, skulpturat, instalacionet e performancat. Përmes temës së përzgjedhur synohet të eksplorohet koncepti i botës së brendshme të artistëve. Arti aty do të ftojë të pranishmit në një eksplorim të thukët të labirinteve të ndërlikuara të brendisë së tyre. Aty pikturat kapin trazirat e shpirtit, skulpturat përçojnë natyrën e ndërlikuar të emocioneve, teksa instalcionet ngjallin vetëdijen mbi çështje të ndryshme që prekin njerëzit në një formë apo tjetrën.
Të njëjtin motiv e mesazh synojnë ta përcjellin edhe dy pikturat e Dardanisë që do të zënë vend në këtë ekspozitë, e cila pos tjerash do të shërbejë dhe si hapësirë që ato vepra arti të shiten.
“Janë sociale, përmes problemeve e gjërave që na ndodhin në jetët tona plot kaos. Mundohem me dërgu mesazhe si kritika për ta mbrojtur ‘të mirën’”, ka thënë Dardania, kur ka zbërthyer inspirimin për dy veprat pjesëmarrëse në ekspozitë.
“The sun, the star of the stars” (Dielli, ylli i yjeve) është njëra pikturë, e cila do të ndriçohet nën dritat e galerisë “Medina” në Romë. Akrilik në pëlhurë me dimensione 80 me 80 centimetra pritet të magjepsë publikun me ngjyrat dhe kompozicionin abstrakt të dendur me tekstura e ngjyra si një vepër e përfunduar në vitin 2022. “The music score” (Partiturë) është piktura e dytë, sërish akrilk, e cila shfaq mes nuancës së të kaltrës e të verdhës, një kompozicion i cili paraqet forma sferike të nënvizuara si perceptim artistik i notave muzikore.
“Sensualiteti im nis nga zemra dhe ngjyrat e mia janë fjalë që nuk mund të thuhen ndryshe”, ka thënë Dardania duke folur për përqendrimin që ia jep ai shpërfaqjes së botës së brendshme në kanavacë, si një hapësirë për të soditur refleksionin e artistëve, e cila fton çdo admirues e shikues në një shfaqje të realitetit.
Angazhimi i Ramë Dardanisë në artin figurativ i nisur vite më parë spikati menjëherë me piktura origjinale, të cilat përçonin përtej individualitetit të artistit dhe copëza të identitetit të tij shqiptar. Ka ekspozuar pikturat e tij në Milano, në galerinë “Arcadia art Gallery”, në Bolonjë, Gjenevë e Sarajevë. Dhe në këtë udhëtim të tijin ai veten e ngarkon dhe me përpjekjen për të promovuar vendin e tij. Krahas promovimit të artit të tij ai gjen vend edhe për Kosovën, promovimin e saj si vend nga i cili arti gurgullon e kërkon skenë për t’u shfaqur.
“Pjesë e kësaj ekspozite do të jenë edhe njohës të shumtë të artit dhe rrjedhimisht për mua ka rëndësi të madhe pjesëmarrja në këtë ekspozitë, sepse do të shërbejë në njohjen e emrit tim si artist dhe në promovimin e vendit tim”, ka thënë ai.
Pikturat e Dardanisë paraqesin vijën e hollë midis të dukshmes dhe diskrecionit, aty hapësira e interpretimit del të jetë mundësia e vetme që u jep atyre kuptimin. Varësisht nga sytë që i sodisin, arti që ai bën, teknikat, format e ngjyrat që ai zgjedh të përdorë, përcjellin mesazhe që u përgjigjen qartazi emocioneve njerëzore.
Pas Romës, artistin e pret Parisi me “Javën e Modës” në mars të 2024-s, në një ngjarje të organizuar nga revista e njohur “Elle”, ku do të ketë mundësinë të shpalosë veprimtarinë e tij artistike. Si pjesëtar i fondacionit “Way”, ai do të ketë mundësinë të jetë pjesë e ekspozitave e galerive të njohura në botë gjatë vitit 2024.