Kulturë

“DAM”-i virtuoz mban ritmin e misionit për skenën e muzikës

Nëse për festivalin ndërkombëtar të muzikës “DAM” edicionet do të ishin thjesht numra, sivjet do të ishte zyrtarisht i maturuar me edicionin e 18-të, por një ngjarje si kjo ka kohë që është pjekur. Tok me të edhe shumë muzikantë, dikur të rinj. Sot (e hënë) nis kapitullin e radhës, misioni mbetet i njëjtë, virtuozë botërorë ngjitin skenën, dhe kjo nuk është e tëra

Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” synon të sjellë magjinë e muzikës klasike me gjashtë ditë aktivitet. Edhe në edicionin e 18-të, ngjarja tradicionale synon të konfirmojë misionin që ka: të sjellë në skenë emra të shquar dhe interpretime me vlera. Por mbi të gjitha ta mbajë fokusin te të rinjtë. Me figura virtuoze, garë dhe promovim të artistëve të rinj, Festivali synon të hapë kapitullin unik të muzikës klasike.

Prej 4 deri më 9 shtator, “DAM” do ta mbërthejë kryeqytetin me frymën e veprave klasike. Figura të shquara si virtozet hungareze Amira dhe Mariam Abouzahra në violinë e Nora Emody do të ngjiten në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet në eksplorim të veprave botërore. Ato edhe do ta hapin programin e edicionit të sivjetmë të Festivalit me kryeveprat e hungarezit Leó Weiner, spanjollit Pablo de Sarasate, austro-amerikanit Fritz Kreisler dhe francezit Maurice Ravel. Koncerti i parë “Virtuosos” sjell dy motra violiniste me nënën e tyre në lojë me piano.

Një ditë më pas, më 5 shtator, në të njëjtin lokacion në qendër të ngjarjes vjen violina e Arsim Gashit me përcjellje të Andi Durakut në koncertin “Violinissimo”. Në koncertin e radhës më 7 shtator “Podium Juvenis”, ngjarja tradicionale e “DAM”, sjell potencialin e talenteve të reja. Në mbrëmjen që zhvillohet në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare do të interpretojnë Arlind Lamaxhema dhe Era Kume në piano, e cila është fituese e çmimit “DAM” në edicionin e kaluar të garës “Pianisti i Ri”. Gjithashtu do të interpretojë orkestra e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” nga Prishtina; Lindi Pasha dhe Sibora Resyli në violinë nën dirigjimin e Lirjona Sylejmanit.

Më 8 shtator podiumi i festivalit “DAM” i dedikohet klarinetës së francezit Florent Charpentier. Gjithashtu do të interpretojë edhe Pranvera Hoxha në piano. Dita e fundit i kushtohet zhvillimit të teknikave muzikore nëpërmjet punëtorive të drejtuara nga muzikantë të huaj.

“Në këtë edicion i kemi gjashtë koncerte të hapura për publikun dhe disa punëtori, ajo me flautisten italiane Luisa Sello dhe klarinetistin francez Florent Charpentier. Hapja është rezervuar për dy violiniste virtuoze, Amira dhe Mariam Abouzahra, të shoqëruara në piano nga nëna e tyre, pianistja hungareze Nora Emody”, ka thënë organizatori i festivalit “DAM”, Dardan Selimaj. Pjesëmarrësit në punëtori do të prezantohen në koncert të veçantë më 10 shtator në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në atë që vjen si “Post DAM”.

Koncerti “Flutestravaganza” do ta përmbyllë programin e edicionit të sivjetmë me flautisten italiane Sello dhe flautistë nga vendi.

“Gjithçka do të mbyllet me bashkëpunimin e flautistes eminente italiane Luisa Sello, e cila do të bashkëpunojë me flautistet kosovare Zanë Abazi dhe Jeta Gërqari, si dhe Orkestrën e të Rinjve të Kosovës nën dirigjimin e mjeshtrit Kushtrim Gashi, i cili jeton në Gjermani”, ka thënë Selimaj.

Qysh prej zanafillës, “DAM” ka dëshmuar se të rinjtë janë mision i përhershëm i tij. Vjet festivali ka pasur dedikim të veçantë për veprat e kompozitorëve shqiptarë. Ishte rikthyer i plotë te publiku pas dy edicioneve të fragmentuara si pasojë e pandemisë.

Ende këmbëngul në misionin për të cilin u themelua. Këtë e ka dëshmuar edhe me organizimin e garës ballkanike të kompozitorëve “BCCP”.

“Këtij edicioni i kanë paraprirë pesë koncerte në muajin mars dhe prill, kur e kemi organizuar Garën e 3-të të Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë në bashkëpunim me NEC – Ansamblin e Muzikës Bashkëkohore në Zvicër, ku fitues doli Ylli Daklani nga Kosova, si dhe bashkëpunimin tradicional me ‘Pianistin e Ri’ dhe Filharmoninë e Kosovës”, ka thënë Selimaj, i cili ka treguar se vitin e ardhshëm nuk do të organizohet edicioni i festivalit “DAM”, pasi krejt energjia koncentrohet te formati i ri, si dhe për shkak të përgatitjeve për Garën e 4-të të Kompozitorëve të Ballkanit .

“Gjithçka do të rikthehet në vitin 2025. Gara e Kompozitoreve e ka përmbyllur për këtë vit misionin që në prill sa i përket Prishtinës. Vepra fituese është interpretuar edhe në Zvicër. Tani fokusi është tek edicioni i 4-të në vitin 2025”, ka shtuar Dardan Selimaj, organizator i “DAM”.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës qe nismuar nga studentë të Degës së Muzikës në Fakultetin e Arteve. Qysh prej fillimit u është dedikuar muzikantëve të rinj. Jo rastësisht “DAM” u jep hapësirë talenteve të reja, traditë të cilën e mban edhe këtë edicion, krahas figurave të shquara nga skena ndërkombëtare.