“Lords of the organ” ka qenë koncerti që ka shënuar mbylljen e edicionit të 19-të të festivalit “DAM”. Tingujt unikë të instrumentit të organos kanë sjellë frymë më ndryshe në skenën e muzikës klasike në vend. Duke qenë instrument që shumë rrallë dëgjohet, në mungesë të interpretuesve, për publikun në kryeqytet ka qenë një lloj eksplorimi në botën e instrumentit prej më të hershmëve në historinë muzikore
Programi kualitativ me emra të shquar të botës së muzikës, hapësira ku interpreton e repertori me kryevepra botërore është e përbashkëta e secilit edicion të Festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”. Por më vete, të 19-tët janë seri koncertesh të veçanta. Edhe sivjet, pesë netët kanë qenë rrëfime unike. Si tërësi, bashkë me koncertet që i kanë paraprirë edicionit dhe ato që e pasojnë atë, ngjan në kapitullin më të veçantë të historikut të festivalit.
“Lords of the organ” ka qenë koncerti që ka shënuar mbylljen e edicionit të 19-të të festivalit “DAM”. Tingujt unikë të instrumentit të organos kanë sjellë frymë më ndryshe në skenën e muzikës klasike në vend. Duke qenë instrument që shumë rrallë dëgjohet, në mungesë të interpretuesve, për publikun në kryeqytet ka qenë një lloj eksplorimi në botën e instrumentit prej më të hershmëve në historinë muzikore.
Por jo aq i hershëm është lloji i organos në të cilin ka luajtur organisti hungarez Rákász Gergely. Kryeveprave të kompozitorëve Vivaldi, Bach, Holst e Gershwin u ka dhënë të tjera ngjyrime në instrumentin tejet të sofistikuar. Me tingullin e organos elektrike, Gergely ka ilustruar peizazhet e New Yorkut, ato të natyrës në kohë dimri, ka luajtur pjesë liturgjike. Me njërën prej pjesëve, publikun e mbledhur në Atelienë e Pallatit të Rinisë e ka çuar në rrugëtim imagjinar nëpër univers.
Koncertin e tij e ka nisur me fragmente nga vepra “The Planets” e Gustav Holst. Nga vepra shtatë koheshe e shkruar, duke portretizuar secila prej tyre një planet, organisti hungarez ka zgjedhur të luajë të katërtën në radhë – “Jupiter, the Bringer of Jollity”. Ka qenë dinamike. Ngjante se kompozitori përshkruante me tinguj imagjinatën e tij për universin duke e vendosur ngjarjen në planetin Jupiter. Kjo kohë ngjan në një himn solemn patriotik.
Gergely angazhohet me gjithë qenien e tij për të sjellë repertorin tejet sfidues. Vetë instrumenti kërkon angazhim të tillë. Duart e tij përshkojnë tri radshet me taste në instrument dhe dy palë anash ndërsa në të njëjtën kohë luan me pedalet me këmbë. Ai zë vend herë në njërin cep të stolit në të cilin është ulur e herë në tjetrin.
Më pas ka luajtur njërin fragment të veprës “Four Seasons” të Vivaldit – kryevepra e epokës së barokut.
“Winter” është plot efekte emocionuese të dallueshme që në hapje. Shumë prej tonaliteteve janë të mbushura me drama të fuqishme, ndërsa kontrastet janë të menjëhershme. Pjesa ikonike në kohën e parë ka nisur si tejet dinamike e ritmike. Në të dytën, është përfshirë në lojë edhe violonçeli të cilin e ka zotëruar hungarezja Dénes Dorottya, duke i dhënë efekte të melankolisë. Në fakt ky instrument e ka pasur rolin qendror sa i përket melodisë derisa organoja ka shoqëruar me tinguj të lehtë.
Me këtë vepër shfaqet peizazhi i dimrit të acartë që ilustrohet edhe me projektimin e imazheve si skica. Spektakël më vete ka qenë koncerti duke e bërë atë edhe më tërheqës me përjetimin e tingujve duke e parë nga afër lojën e organistit Rákász Gergely nëpërmjet ekranit që transmeton pamjet e afërta që fokusojnë lojën me duar e me këmbë.
Organisti Rákász Gergely ka thënë se kjo ka ngjarë ashtu, pasi ngjarjet kulturore sot duhet të jenë më atraktive për të tërhequr numër më të madh të publikut.
“Në ditët e sotme, ngjarjet kulturore duhet të jenë show kulture, sepse luajmë për një audiencë që shumë prej veprave, ngjarjeve i sheh në rrjete sociale. Duhet të konkurrojmë me këtë, prandaj shtojmë i videoklipe koncertit, e tregoj atë, flas për kompozitorët, për veprat. Për ta bërë atë të kuptueshme për njerëzit që jetojnë në këtë vit”, ka thënë ai.
Vepra “Beautify thyself, o dear soul” e Johann Sebastian Bach i është përshtatur shumë. Për këtë instrument edhe ishte shkruar. Vlerësohet si himn i repertorit liturgjik, edhe sot është prezente në ritualet fetare. Tingujt e zgjatur dhe të pandërprerë janë ata që e karakterizojnë këtë vepër. Duke qenë pjesë që tekstin e ka të pandarë nga pjesa muzikore, violonçelistja Dorottya e ka mbajtur ritmin duke e improvizuar me instrument vijën vokale.
Organisti Gergely, ka thënë se shumë njerëz mendojnë se organoja luhet vetëm në ceremoni të tilla, por ajo shkon përtej këtij aspekti.
“Shumë njerëz kur mendojnë për organon u shkon mendja për muzikën në kishë, por ky është edhe një instrument për të bërë show. Organot e para janë prezantuar në Romën antike të konstruktura për t’u bartur me karroca kau në arenat e gladiatorëve, ato ishin forma e argëtimit për masën dhe të gjitha koncertet e mia janë të tilla, argëtuese për publikun”, ka thënë Gergely për të cilin ka qenë hera e parë që ka interpretuar në kryeqytetin e Kosovës. Ka thënë se publiku në Prishtinë veçse ia ka rrëmbyer zemrën.
Koncerti ka qenë edhe homazh për kompozitorët përkatës. Në fund ka interpretuar “Rhapsody in blue” të kompozitorit amerikan, George Gershwin. Ka ngjarë të jetë me natyrë improvizuese, shpesh të parregullta dhe me plot kontraste e sekuenca emocionuese. Tingujt ngjajnë më pianistikë, ndërsa vepra në përgjithësi si një fantazi.
Vepra e shkruar për piano e orkestër, e ka thënë edhe organisti në skenë, por edhe është dëshmuar si jashtëzakonisht sfiduese për t’u luajtur nga një instrumentist i vetëm. Ai ka treguar se kompozitori e kishte shkruar duke u frymëzuar në zhurmën e New Yorkut, që njihet si qyteti që nuk fle kurrë.
Duket se midis tingujsh projektohen imazhet e turmës së njerëzve, komunikacioneve, ngritjen e rrokaqiejve duke u zhvendosur edhe në jetën kulturore të qytetit kur tingujt koordinohen në një linjë të ngjyrës më klasike.
Violonçelistja Dorottya Dénes ka interpretuar në koncert veprën e saj “Dawn song”.
“Ishte eksperiencë shumë e mirë të luaj këtu. Kam luajtur pjesën time të cilën e kam shkruar në pranverë. Është pjesë folklorike nga Transilvania, në fakt është një pjesë për Krishtlindje, por sonte nuk e kam interpretuar këtë sekuencë. E kam kënduar vetëm pjesën tjetër. E kam shkruar për organo dhe violonçel”, ka thënë ajo.
Për bis organisti Rákász Gergely ka luajtur pjesë folklorike hungareze si prezantim i kulturës si dhe një fragment nga pjesa “Jupiteri”.
Koncerti është përkrahur nga Ambasada e Hungarisë në Kosovë.
“Faleminderit që na jeni bashkuar në këtë koncert. Kjo është hera e parë që bashkëpunojmë me festivalin ‘DAM’ dhe shpresojmë se nuk do të jetë e fundit”, ka thënë ambasadori hungarez, Bela Bozsik.
Me këtë koncert, të pestin radhazi, “DAM” e ka mbyllur rrugëtimin e 19-të ndërsa dy koncerte të tjera e pasojnë edicionin e sivjetmë. Më 30 shtator në Atelie do të mbahet koncerti “Prismatica” me solistët Francesco Tristano në piano dhe Pascal Schumacher në perkusione nën shoqërimin e ansamblit të Filharmonisë së Kosovës. Koncerti tjetër “Directly from Japan” mbahet më 8 tetor në të njëjtën hapësirë me Tempei Nakamura në piano.
Drejtori artistik i festivalit “DAM”, Dardan Selimaj, ka thënë se edicioni i sivjetmë është konceptuar për të pasur koncerte të njëpasnjëshme.
“Sonte ka qenë koncerti i fundit me organistin hungarez. Jemi të lumtur që ambasada hungareze ka qenë e gatshme të mundësojë këtë koncert i cili është i veçantë pasi në skenën tonë nuk kemi mundësi të dëgjojmë organistë dhe në momentin kur dëshirojmë t’i ftojmë ata nuk kemi instrument ku ata mund të luajnë. Kjo ka qenë një mundësi e rrallë dhe për ne ka qenë kënaqësi që kemi arritur ta kemi pjesë të festivalit. Derisa mbetet të realizojmë edhe dy koncerte që vijnë si post koncerte të edicionit të 19-të”, ka thënë Selimaj.
Ai ka bërë të ditur se vitin e ardhshëm, “Dam” e përmbyll rrugëtimin me përmbledhjen e programeve të të gjitha edicioneve. Ka thënë se ngjarja do të shënohet me një koncert madhështor dhe me një monografi që shpalos gjithë aktivitetin përgjatë këtyre viteve.
“Viti i ardhshëm nuk do të ketë një edicion të 20-të, do të ketë një ngjarje që do të përmbledh rrugëtimin 19-vjeçar të festivalit. ‘DAM’ në këtë format si është përmbyllet me këtë edicion, derisa nga viti i ardhshëm organizata do ta ketë fokusin në Garën e Kompozitorëve të Ballkanit që do të jetë një ngjarje që do të vazhdojë të organizohet një herë në dy vjet. Vitin e ardhshëm është edicioni i katërt i Garës, por festivali ‘DAM’ në formatin që e kemi parë edhe sivjet edhe viteve të kaluara përmbyllet me këtë edicion”, ka thënë ai.
“DAM” madje edhe duke e mbyllur rrugëtimin kujdeset t’i lërë shije të këndshme muzikore publikut për shumë gjatë. Kjo mbetet të dëshmohet edhe në dy koncertet e radhës.