Kulturë

Çmimi “Booker” për “Këngën e Profetit” në tirani

Romani i autorit irlandez, Paul Lynch, i vendosur në një Dublin imagjinar që zhytet në një tirani të drejtuar nga të djathtit, fiton çmimin e madh letrar

Autori irlandez, Paul Lynch, ka marrë çmimin “Booker 2023” për romanin e tij të pestë “Prophet Song” (“Kënga e Profetit”), i cili zhvillohet në një Irlandë imagjinare që po zhytet në tirani. Libri u përshkrua si një roman “që të copëton shpirtin dhe është i vërtetë”, duke “kapur ankthet shoqërore dhe politike të momentit”, sipas kryetares së jurisë, Esi Edugyan.Novelistja kanadeze, Edugyan, e cila ka qenë dy herë në listën e ngushtë për çmimin “Booker”, ka dhënë Lynchut çmimin “nuk ishte unanim dhe u vendos me

diskutime dhe runde të shumta votimesh që zgjati rreth gjashtë orë”, të shtunën.

Ngjarja te “Kënga e Profetit” ndodh në një Dublin alternativ. Pjesëtarë të policisë sekrete të sapo themeluar nga një qeveri që po shkon drejt totalitarizmit, shfaqen papritmas në derën e mikrobiologes Eilish, duke kërkuar burrin e saj, një zyrtar i lartë në Bashkësinë e Mësuesve të Irlandës. Shpejt ai zhduket – bashkë me qindra civilë të tjerë – dhe Eilish mbetet e vetme duke u kujdesur për katër fëmijët e tyre dhe të atin e moshuar, duke luftuar për të mbajtur familjen gjatë një lufte civile.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme të sjell çmimin ‘Booker’ në Irlandë”, ka thënë Lynch pas pranimit të çmimit.

Fitorja e Lynch vjen disa ditë pasi protesta të dhunshme shpërthyen në qendër të Dublinit, pas një sulmi me thikë jashtë një shkolle fillore që la tre fëmijë të plagosur. Policia tha se ngjarja ishte shkaktuar nga një “grup i çmendur i drejtuar nga ideologjia ekstreme e djathtë”.

E pyetur se nëse ngjarjet e fundit kishin ndikuar në vendimin e jurisë, Edugyan ka thënë se “në një moment gjatë diskutimeve, ndoshta për disa minuta, u diskutua kjo temë”. Megjithatë, ajo tha se aktualiteti “nuk ishte arsyeja pse 'Kënga e Profetit' fitoi çmimin" - gjyqtarët thjesht ndjenë se ishte një “vepër letrare e shkruar mjeshtërisht”.

Ky është viti i dytë radhazi që një roman për konflikte politike fiton çmimin e madh. Në vitin 2022, Shehan Karunatilaka fitoi me “Shtatë Hënat e Maali Almeida”, i cili zhvillohet gjatë luftës civile në Sri Lankë.

“Irlanda distopike e Lynch reflekton realitetin e vendeve të shpërbëra nga lufta, ku refugjatët ikin në det nga përndjekja në tokë”, shkroi Aimée Walsh për “Observer”. “’Kënga e Profetit' jehon dhunën në Palestinë, Ukrainë dhe Siri, dhe përvojën e të gjithë atyre që ikën nga vendet e shkatërruara nga lufta”.

Melissa Harrison e quajti romanin “një histori kaq makabre sa do të hasni: në një realitet të fuqishëm, klaustrofobik dhe të tmerrshëm” në recensionin e saj për “The Guardian”.

Lynch u lind në vitin 1977 në Limerick, u rrit në Co Donegal dhe tani jeton në Dublin. Romanet e tij të tjera janë: “Beyond the Sea”, “Grace”, “The Black Snow” dhe “Red Sky in Morning”. Ai është autori i pestë irlandez që fiton çmimin, duke ndjekur gjurmët e Iris Murdoch, John Banville, Roddy Doyle dhe Anne Enright. Shkrimtarja nga Irlanda Veriore, Anna Burns, fitoi në vitin 2018.

Fjalimi kryesor në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Londër u mbajt nga Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e cila u lirua nga burgu në Teheran vitin e kaluar. Ajo diskutoi mënyrat në të cilat librat i ndihmuan asaj kur ishte në izolim. “Kur gardiani hapte derën dhe më jepte librat, ndieja një liri; mund të lexoja libra, ata mund të më çonin në një botë tjetër, dhe kjo mund të ma transformonte jetën”, ka thënë ajo. “Një ditë, një shoqe e qelisë mori një libër në postë; ishte 'The Handmaid’s Tale' nga Margaret Atwood, i përkthyer në farsi”, ka thënë ajo. “Kush mendonte se një libër i ndaluar në Iran mund të gjejë rrugën e tij në burg nëpërmjet postës?”

Titujt e tjerë në listën e ngushtë për çmimin ishin “The Bee Sting” nga Paul Murray, “Western Lane” nga Chetna Maroo, “This Other Eden” nga Paul Harding, “If I Survive You” nga Jonathan Escoffery dhe “Study for Obedience” nga Sarah Bernstein.

Përveç Edugyanit në jurinë e këtij viti ishin aktorja Adjoa Andoh, poeteja Mary Jean Chan, shkrimtari dhe akademiku James Shapiro dhe aktori Robert Webb. Në ceremoni, Andoh lexoi një fragment nga romani “Possession” i AS Byatt, fitues i çmimit “Booker” në vitin 1990, e cila vdiq në fillim të këtij muaji.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu Enis Bytyqi