Shtojca për Kulturë

“Booker Prize”: Shpërthimi i dytë i letërsisë latino-amerikane

Veprat nga Amerika Latine përbëjnë çerekun e të nominuarve për këtë vit për “International Booker Prize” me romane nga Argjentina, Venezuela, Brazili dhe Peruja. “Bumi” i parë ndodhi në vitet ‘60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar kur një grup romancierësh të Amerikës Latine, duke përfshirë Gabriel García Márquez dhe Mario Vargas Llosan, fituan lexues në mbarë botën

Lista e gjerë e “International Booker Prize” sinjalizon “një shpërthim të të dytë në letërsinë e Amerikës Latine”, është paralajmërimi që ka bërë juria, duke iu referuar një të katërtës së autorëve të nominuar nga Amerika e Jugut.

Poetja argjentinase Selva Almada, shkrimtari venezuelas, Rodrigo Blanco Calderón, shkrimtari brazilian, Itamar Vieira Junior, dhe gazetarja peruane, Gabriela Wiener, janë të gjithë në garë për çmimin, i cili njeh romanet e përmbledhjet më të mira të tregimeve të shkurtra nga e gjithë bota që janë përkthyer në anglisht dhe botuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Irlandë.

“Bumi” i parë në letërsinë e Amerikës Latine ndodhi në vitet ‘60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar kur një grup romancierësh të Amerikës Latine, duke përfshirë Gabriel García Márquez dhe Mario Vargas Llosan, fituan lexues në mbarë botën.

Lista e gjerë përfshin libra që “flasin për guximin dhe mirësinë, për rëndësinë jetike të komunitetit dhe për efektet e qëndrueshmërisë, kundër tiranisë”, kishte thënë administratorja e çmimit Fiammetta Rocco, në fillim të javës kur u bë publike lista e gjerë. “Ndërsa disa autorë dhe librat e tyre mund të mos jenë të njohur për lexuesit anglishtfolës, ata vlerësohen në vendet e tyre”. “Kairos” nga autorja gjermane Jenny Erpenbeck, përkthyer nga Michael Hofmann dhe “The Silver Bone” nga autori ukrainas, Andrey Kurkov, përkthyer nga Boris Dralyuk, u renditën në listën e gjerë, së bashku me “A Dictator Calls” nga shkrimtari Ismail Kadare, përkthyer nga John Hodgson. Kadare fitoi çmimin inaugurues “Man Booker International” më 2005, i cili më pas iu dha për një pjesë të plotë të punës së tij. Juria e këtij viti vlerësoi mënyrën se si “A Dictator Calls” – i botuar në shqip me titullin “Kur sunduesit grinden” – eksploron “tensionin midis politikanëve autoritarë dhe artistëve krijues” dhe e përshkruan atë si “një kërkim për të vërtetën përfundimtare ku nuk gjendet kurrë". Nëse do të fitonte, Kadare do të bëhej shkrimtari i parë që do të fitonte dy herë këtë çmim.

Libri i Kurkovit, “The Silver Bone: Mysteries of Kyiv” zhvillohet në Kievin e shkatërruar nga lufta e vitit 1919. Romani është “i mbushur me ndjenjën e ironisë dhe absurdit të Kurkovit”, ka vlerësuar juria. Ndërkohë “Kairos” i Erpenbeck dhe Hofmann është historia e dy të dashuruarve të vendosur kundër rënies së Republikës Demokratike Gjermane. “’Kairos’ është një nga romanet më të zymta dhe më të bukura që kam lexuar ndonjëherë”, shkroi Natasha Walter në një përmbledhje të “The Guardian”.

Autori dhe përkthyesi fitues do të marrin secili nga 25 mijë funte. Çdo fitues dhe përkthyes i përzgjedhur në listën e ngushtë do të marrë 2500 funte secili. Gjashtë librat e përzgjedhur në listën e ngushtë do të zbulohen të martën më 9 prill dhe fituesi do të zbulohet në një ceremoni në Londër, e cila gjithashtu do të transmetohet drejtpërdrejt, të martën më 21 maj.

Shkrimtari italian Domenico Starnone – i përfolur se është autori “i vërtetë” pas emrit artistik Elena Ferrante, diçka që ai e ka mohuar fuqishëm – është gjithashtu në listën e gjerë për çmimin me librin e tij “The House on Via Gemito”, përkthyer nga Oonagh Stransky. “Një roman i mrekullueshëm i Napolit dhe rrethinave të tij, i vendosur gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar juria e çmimit.

Juria e këtij viti kryesohet nga shkrimtarja Eleanor Wachtel. Asaj i bashkohen poetja Natalie Diaz, romancieri Romesh Gunesekera, artisti William Kentridge dhe shkrimtari, përkthyesi dhe redaktori Aaron Robertson.

Romancieri koreano-jugor Hwang Sok-yong dhe përkthyesit Sora Kim-Russell dhe Youngjae Josephine Bae është në listën e gjerë për “Mater 2-10”, një roman që gjurmon një shekull të historisë koreane përmes tre brezave të një familjeje punëtorësh hekurudhash.“Narrativa përthithëse kapërcehet mes realizmit të ashpër dhe asaj që autori e quan ‘realizëm mindam’ – siç vërejnë përkthyesit, “në gjysmë të rrugës mes folklorit dhe fjalës së thjeshtë”, shkroi Maya Jaggi në një përmbledhje të “The Guardian”. “Rezultati është një histori gojore e nuancuar me detaje unike.”

Gjithashtu në listën e gjerë me 13 tituj janë edhe “Not a River” nga Selva Almada, e përkthyer nga Annie McDermott, “Simpatía” nga Rodrigo Blanco Calderón, përkthyer nga Noel Hernández González dhe Daniel Hahn, “Details” nga Ia Genberg, përkthyer nga Kira Josefsson, “White Nights” nga Urszula Honek, përkthyer nga Kate Webster; “What I’d Rather Not Think About” nga Jente Posthuma, përkthyer nga Sarah Timmer Harvey, “Lost on Me” nga Veronica Raimo, përkthyer nga Leah Janeczko, “Crooked Plough” nga Itamar Vieira Junior, përkthyer nga Johnny Lorenz, dhe “Undiscovered” nga Gabriela Wiener, përkthyer nga Julia Sanches.

Fituesit e mëparshëm të çmimit përfshijnë Han Kang, Olga Tokarczuk dhe Lucas Rijneveld. Shkrimtari bullgar, Georgi Gospodinov dhe përkthyesja Angela Rodel, fituan çmimin në vitin 2023 për librin “Time Shelter”.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Enis Bytyqi