Vitin e kaluar Ismail Kadare publikoi “Kur sunduesit grinden” botuar në anglisht me titullin “A Dictator Calls”, një roman tjetër që shërben si një rikthim në veprimtarinë e tij të mëhershme dhe të kaluarën e tij. Megjithëse nuk është një vazhdim i plotë, kjo vepër e fundit është në linjë të drejtë me romanin e tij të mëparshëm “Muzgu i perëndive të stepës” i vitit 1978. Libri i ri, i përkthyer në anglisht nga John Hodgson, gjithashtu trajton trashëgiminë e Kadaresë dhe trashëgiminë e atyre që janë detyruar të punojnë nën hijen e një sistemi politik që kërkonte të kontrollonte zërin dhe të përcaktonte fatin e tyre. I shkruar mjeshtërisht nga penda e Kadaresë, është në listën e ngushtë të çmimit
Prestigjiozi “The International Booker Prize” paraqet njërin ndër çmimet më të nderuara letrare, zhvillohet çdo vit si një festë e cila vlerëson krijimet letrare që i dedikohen romanit si gjini letrare. Themeluar në vitin 1968, ky çmim është tashmë i destinuar për romanet dhe rrëfenjat e shkurtra nga e gjithë bota, të përkthyera në gjuhën angleze dhe të publikuara në Mbretërinë e Bashkuar ose në Irlandë.
Në këtë edicion të 56-të të ndarjeve të çmimeve, në mesin e 149-të librave të publikuar midis 1 majit të vitit të kaluar dhe 30 prillit të 2024-tës, trembëdhjetë libra arritën të bëheshin pjesë e listës së gjerë nga vlerësimet e jurisë së përbërë nga gazetarja Eleanor Wachtel, poetja Natalie Diaz, romancieri i njohur ndërkombëtarisht Romesh Gunesekera, artisti vizual Willam Kentridge dhe shkrimtari, redaktori dhe përkthyesi Aaron Robertson. E në listë është edhe “A Dictator Calls” i Ismail Kadaresë, siç është përkthyer në anglisht “Kur sunduesit grinden”.
Ajo çfarë e karakterizon listën e gjerë të këtij viti është pjesëmarrja e madhe e autorëve nga vendet e Amerikës Latine, si Brazili, Argjentina, Peruja e Venezuela, pjesë kjo e cila e përbën çerekun e listës së plotë.
Lista e gjerë përfshin libra që “flasin për guximin dhe mirësinë, për rëndësinë jetike të komunitetit dhe për efektet e qëndrimit kundër tiranisë, derisa disa autorë dhe librat e tyre mund të mos jenë të njohur për lexuesit anglishtfolës, ata festohen në vendet e tyre", ka thënë Fiammetta Rocco në një prononcim për prestigjiozen “The Guardian” .
“’Kairos’ nga autorja gjermane Jenny Erpenbeck, me përkthim nga Michael Hofmann dhe “The Silver Bone” nga autori ukrainas Andrey Kurkov, i përkthyer nga Boris Dralyuk, u renditën në listën e gjerë, së bashku me ‘A Dictator Calls’ nga shkrimtari Ismail Kadare, e përkthyer nga John Hodgson”, shkruhet tutje në “The Guardian”.
Kadare e fitoi çmimin “Man Booker International” në ceremoninë inauguruese të tij në vitin 2005, si vlerësim për arritjet e tij në letërsi.
“Anëtarët e jurisë së vitit vlerësuan mënyrën se si ‘A Dictator Calls’ eksploron ‘tensionin midis politikanëve autoritarë dhe artistëve krijues’ dhe e përshkruan atë si ‘një kërkim për të vërtetën përfundimtare ku nuk gjendet një e tillë’ Nëse do të fitonte këtë çmim, Kadare do të bëhej shkrimtari i parë që do të fitonte dy herë çmimin”, thuhet mes tjerash në “The Guardian”.
“A Dictator Calls”, përveçse si një roman, del edhe si një hetim për një ngjarje historike reale. Duke përzier kujtimet e tij personale dhe reflektimet mbi natyrën e shtypjes nga pushteti, Kadare heton në një episod të shkurtër, por domethënës në historinë ruse të shekullit XX, telefonatën midis Stalinit dhe Boris Pasternakut.
Gjithashtu në listën e gjerë me 13 vepra janë “Not a River” nga Selva Almada, përkthyer nga Annie McDermott, “Simpatía” nga Rodrigo Blanco Calderón, përkthyer nga Noel Hernández González dhe Daniel Hahn, “The Details” nga Ia Genberg, përkthyer nga Kira Josefsson; “White Nights“ nga Urszula Honek, përkthyer nga Kate Webster; “What I’d Rather Not Think About” nga Jente Posthuma, përkthyer nga Sarah Timmer Harvey, “Lost on Me” nga Veronica Raimo, përkthyer nga Leah Janeczko, “Crooked Plough” nga Itamar Vieira Junior, përkthyer nga Johnny Lorenz; dhe “Undiscovered” nga Gabriela Wiener, përkthyer nga Julia Sanches.
Veç çmimeve nderuese autori dhe përkthyesi fitues do të marrin secili nga 25 mijë funte. Ndërkaq ata që arrijnë të hyjnë në listën e ngushtë do të marrin nga 2500 funte secili. Gjashtë librat e përzgjedhur në listën e ngushtë do të bëhen të ditur më 9 prill, ndërkaq fituesi do të shpallet në një ceremoni në Londër, e cila gjithashtu do të transmetohet drejtpërdrejt, të martën e 21 majit.