Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Camaj në dritën e re kundër hijeve të së kaluarës

Kishte lindur në një vis të egër “aty ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit, kaq i thyeshëm ashtë ky vend”. Ky ishte filli i jetës së atij që do të vdiste i ostracizuar nga atdheu, ku u mohua për gjysmë shekulli. I bërë subjekt diskutimesh edhe 28 vjet pasi i ka dhënë shëndenë kësaj bote, Martin Camaj tani rri në “gostinë e engjujve”, me shandanët e ndezur, ku ekzistojnë mirëkuptimi e harmonia.

Përpjekja për të vlerësuar trashëgiminë letrare dhe profilin e shkrimtarit dhe intelektualit të lindur në Temal të Dukagjinit, ka bërë bashkë miq, studiues e njohës të Camajt në tryezën e rrumbullakët “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja”, të organizuar mbrëmjen e së premtes nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, shkruan KOHA.

Në mjediset e jashtme të Pallatit të Brigadave, një dokumentar disaminutësh mbi ecejaket jetësore të Camajt ka hapur siparin e aktivitetit të parë madhor që përkujtoi shkrimtarin e lindur 95 vjet më parë.

Për organizatorët e kësaj tryeze, hapja e dosjeve nuk i ndryshon sot për sot parametrat ekonomikë të vendit, por përbën një ndryshim themelor në raport me të shkuarën si pjesë e raportit me të ardhmen, raportit të shoqërisë me vetveten dhe me gjeneratat e ardhshme.

Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, ka thënë se tryeza e rrumbullakët është përpjekje për t’ia bërë një lexim të përbashkët dosjes që ish-Sigurimi krijoi për Camajn.

Për këtë dosje, sipas saj, kanë aplikuar gjer më tani vetëm gjashtë studiues, por në debat janë përfshirë rreth 50 autorë e publicistë.

“Duke admiruar veprën e Camajt, ne do t’i përgjigjemi pyetjes se cili ishte raporti i tij me regjimin e kohës dhe cila është kostoja e mungesës së Camajt në formimin tonë individual dhe kolektiv”, ka thënë Sula.

Ajo ka thënë se rreth ish-Sigurimit është krijuar miti i verbër i një organizate të sofistikuar spiunazhi.

Artikuj të ngjashëm