Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë të martë është mbajtur tryeza shkencore “Martin Camaj në sistemin letrar shqiptar”. Studiues të ndryshëm janë paraqitur me kumtesat e tyre duke veçuar Camajn si një figurë përmbajtorësore të letërsisë shqipe. Akademik Shaban Sinani ka thënë se Camaj është shkrimtari më i rëndësishëm i nënsistemit letrar shqiptar të diasporës në një gjysmë shekulli. Sipas tij, ai qe paraprijës i letërsisë së botuar shqipe në Kosovë e themelues i saj. “Ai mbetet fenomen unik në letërsi dhe studiuesit do të kenë punë për një kohë të gjatë me të”, ka thënë Sinani për shkrimtarin që ka jetuar në Gjermani
Si një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë nga diaspora gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar është vlerësuar Martin Camaj në vitin kur janë mbushur 30 vjet nga vdekja e tij. Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë të martën është mbajtur tryeza shkencore “Martin Camaj në sistemin letrar shqiptar”. Studiues të ndryshëm janë paraqitur me kumtesat e tyre duke veçuar Camajn si një figurë përmbajtjesore të letërsisë shqipe.
Akademik Shaban Sinani ka thënë se Camaj është shkrimtari më i rëndësishëm i nënsistemit letrar shqiptar të diasporës në një gjysmë shekulli. Sipas tij, ai qe paraprijës i letërsisë së botuar shqipe në Kosovë e themelues i saj.
“Ai mbetet fenomen unik në letërsi dhe studiuesit do të kenë punë për një kohë të gjatë me të”, ka thënë Sinani për shkrimtarin që ka jetuar në Gjermani.
Sipas Sinanit, në figurën e Camajt kanë qenë të shartuar në harmoni të plotë tiparet më të vyera të malësorit tradicional shqiptar dhe të intelektualit evropian. Ka thënë se Martin Camaj u largua në moshë shumë të re nga vendi i tij dhe u kthye ngadalë dhe shumë vonë te lexuesi i vet. Sipas Sinanit, Martin Camajt iu privua kjo e drejtë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Ka shpjeguar se Camaj e nisi krijimtarinë me dy vëllime me poezi shkruar si një rapsod i veriut me gegërishten e Elbasanit. “Në Romë shqipja e tij dhe kodi i krijimtarisë u bë më vetjak, duke i tradhtuar të dyja shkollat tradicionale shkodrane, sipas shprehjes së njohur të Koliqit. Gjatë gjithë jetës së tij shkroi shumë vëllime me poezi e romane, duke u shquar si themeluesi i një gegërishteje mbidialektore, as e Shkodrës, as e Kosovës, që mund të lexohej lirisht edhe në të folmet jugore”, ka thënë ai. Sipas Sinanit, në fazën e pjekurisë letrare, kur te Martin Camaj u krijua bindja e mjeshtrit, ai krijoi letërsi të vërtetë bashkëkohore, mbështetur në rrjedhat evropiane të modernizmit, në fillim duke ndjekur modelin e profesorit të tij italian Ungareti, e më pas duke absolutizuar kultin e formës dhe përmbajtjen shumështresore.
“Martin Camaj donte një Shqipëri tjetër, jo si ajo pasluftës, prandaj dhe u largua, por kurrë nuk tha një fjalë të keqe për të as para të huajve, as para të vetëve. Qëndroi larg saj me dinjitetin e njeriut që nuk mund të mohonte as vendlindjen, as atdheun”, ka thënë Sinani. Sipas tij, Martin Camaj bën pjesë te të paktët shkrimtarë-shkencëtarë që ka letërsia shqipe dhe mbetet fenomen unik në letërsi.
Në këtë tryezë shkencore që është transmetuar në rrjete sociale kanë marrë pjesë edhe studiuesit si Francesco Altimari, Bashkim Kuçuku, Bardhyl Demiraj, Stefan Çapaliku, Mimoza Priku, Evalda Paci, Viola Isufaj, Belfjore Qose-Zifla, Ledio Hala, Blerina Suta, Jolanda Lila e Matteo Mandalà.
Studiuesi, dramaturgu e romancieri Stefan Çapaliku ka shpalosur disa letërkëmbimin me Camajn i cili u lind më 21 korrik 1925 në Temal të Shqipërisë dhe vdiq më 12 mars 1992 në Lenggries, një vendbanim në jug të Gjermanisë.
Çapaliku ka thënë se ka qenë fillimi i dhjetorit të vitit 1990 kur radio “Zëri i Amerikës”, fundin e një edicioni lajmesh ia kushtoi një figure krejtësisht të panjohur për të deri atëherë. Bëhej fjalë për Camajn. Çapaliku ka kujtuar se ishte koha kur radio “Zëri i Amerikës” ndiqej nga i madh e i vogël.
“Elez Biberaj foli bukur gjatë atë natë për këtë malësor shqiptar që na ishte jo vetëm linguist, shef i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Mynihut, por ajo që më interesonte mua më së shumti, që edhe shkrimtar dhe posaçërisht poet. Në fund të emisionit u duk sikur zoti Biberaj e ngadalësoi kaq shumë të folurën sa edhe një fëmijë i klasës së parë mund ta merrte shënim adresën e këtij profesori të çuditshëm”, ka thënë shkrimtari shkodran. Ka thënë se kishte kuptuar që Camaj kishte studiuar në Beograd fill pas arratisë. E studiuesi Safet Hoxha i kishte sjellë veprat e Camajt, “Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vrrinit”. Më pas Çapaliku kishte shkruar në shtypin e kohës për Camajn, pas demokratizimit të Shqipërisë. E më 19 mars 1991 kishte pranuar një letër.
“Letërsia ime nuk është funksionale d.m.th. nën ndikimin e ideologjive apo ideologjive të manipulueme nga njerëz fare injorantë: Nuk due të kem të njëjtin emërtim me kolegët letrarë të kohës sime: për ta due të jem një njeri e asgja tjeter. Si e shihni, nuk jam modest dhe e di se çka kam shkrue dhe nuk pendohem për asnjë varg të shkruem. Përpunoj fort vargun apo shprehjen e jam i dashunuem në gjuhën shqipe, si tingull, formë e shkrueme dhe kuptim shumë dimensionesh”, kishte shkruar midis të tjerash Camaj në letrën e gjatë për Çapalikun. Fliste për biografinë e tij, edukimin e shumë tema të tjera. Çapaliku ka thënë se letra është shumë intense, e ngjeshur, e thukët dhe me shestime esenciale. Ka ricituar se Camaj midis tjerash kishte shkruar: “dëshiroj të merreni me veprën time letrare edhe për arsye se unë jam shumë i sëmurë”. Po ashtu Çapaliku ka ricituar edhe disa pjesë të tjera, duke thënë se çdonjëra prej këtyre tezave të shkëputura nga letra mund të jenë argumente studimesh të veçanta.