Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Bunkeri nën qytetin e Kukësit pritet të shndërrohet në atraksion turistik

Aty mund të strehoheshin rreth 30 mijë veta dhe planet ishin që aty të zhvillohej jeta në rast të sulmeve bërthamore, apo tentimit të ish-Jugosllavisë për të shembur rendin socialist të asaj që ishte Republika Socialiste Popullore e Shqipërisë. Bunkeri kishte 5 hyrje, që do të shërbenin si “ura” emergjence për të shpëtuar qytetarët. Në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian “Adrion” hapësira që njihet si “Qytetit i nëndheshëm” do të jetë e qasshme për vizitorë. Aty do të shpjegohet krejt historia e bunkerit bashkë me mentalitetin qeverisës të asaj kohe

I ndërtuar në vitet ’70, bunkeri i Kukësit gjendet nën qytetin e Shqipërisë Veriore. Nën atë që njihet si Kukësi i Ri, regjimi monist kishte ndërtuar një tjetër qytet të fshehtë. Është fiks 30 metra nën sipërfaqen e tokës. Aty mund të strehoheshin rreth 30 mijë veta dhe planet ishin që aty të zhvillohej jeta në rast të sulmeve bërthamore, apo tentimit të ish-Jugosllavisë për të shembur rendin socialist të asaj që ishte Republika Socialiste Popullore e Shqipërisë. Bunkeri kishte 5 hyrje, që do të shërbenin si “ura” emergjence për të shpëtuar qytetarët. Tuneli shtrihet nën gjithë planimetrinë e qytetit të Kukësit. Krejt kjo hapësirë pritet të shndërrohet në atraksion për vizitorë.

Në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian “Adrion”, hapësira që njihet si “Qytetit i nëndheshëm” do të jetë e qasshme për vizitorë. Aty do të shpjegohet krejt historia e bunkerit bashkë me mentalitetin qeverisës të asaj kohe.

“Është një projekt në kuadër të Bashkimit Evropian që synon krijimin e një rrjeti të të gjithë trashëgimisë nëntokësore që lagen nga Adriatiku dhe Joni. Do të përdoret një teknologji moderne për ta rivitalizuar dhe për ta bërë më atraktive këtë hapësirë. Promovimi nuk do të bëhet vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel evropian”, ka thënë Andi Tepelena, koordinator i projektit.

Sipas raportimit të mediave shqiptare, bunkeri ndodhet më shumë se 30 metra nën qytetin ekzistues dhe kishte kapacitet për t’i zënë të gjithë banorët e Kukësit. Me shkallët në formë rrethore që nuk kanë të mbaruar në zbritje, si dhe me kryqëzime e tunele si një labirint, bunkeri ka 5 hyrje të vendosura në lagje dhe në qendër të tij janë institucionet. Në momentet e një alarmi për sulm, i gjithë Kukësi do të kishte mundësi të mbrohej nga qyteti i nëndheshëm, i tëri i ndërtuar në beton e i fortifikuar për t’iu bërë ballë shpërthimeve atomike.

“Në Kukësin e nëntokës, poshtë këmbëve të qytetarëve të tij janë të vendosura, spitali, materniteti, furra e bukës, shtypshkronja, ujësjellësi, komiteti ekzekutiv, ai i partisë, sallë e madhe për mitingje apo takime me popullin, burgu, hetuesia, si dhe Komiteti i Partisë”, ka raportuar “Report TV”. Për Kukësin nëntokësor është shpenzuar me miliarda lekë e punuar gati 20 vjet. Kadri Syla, dëshmitar i këtij ndërtimi, por edhe pronar i një lokali, në kthinën e të cilit ndodhet një prej hyrjeve të këtij qyteti të nëndheshëm, kishte thënë se asnjëherë nuk ka tentuar mbylljen e tunelit.

Edhe Qyteti i tunelit ushtarak që pasqyron jetën nën komunizëm në Shqipëri Kulturë Qyteti i tunelit ushtarak që pasqyron jetën nën komunizëm në Shqipëri

“Punime të veçanta quheshin në atë kohë. Ka pasë shumë punëtorë. Dikush me e hap, dikush më e betonua. Kanë punuar njerëzit nga viti 74-75 mesa mbaj mend. Derën e tunelit nuk e kam bllokuar, pasi duhet të jetë i gatshëm në çdo kohë, për çdo eveniment. Është bërë për mbrojtje. Kërkoj ta mbajnë, ta riparojnë, ta mbyllin që mos të dalë jashtë përdorimit dhe të jetë funksional në çdo kohë. Vlen për turizëm, vlejnë për histori. Vlejnë për çdo gjë. Janë harxhuar shumë para”, kishte thënë ai më 2019. Deri në vitin 1991 qyteti i nëndheshëm është ruajtur dhe mirëmbajtur nga strukturat shtetërore, ndërsa pas asaj kohe nisi degradimi.

Shqipëria viteve të fundit ia ka dalë që nëpërmjet restaurimit të bunkerëve nëntokësorë të marrë vëmendje të madhe nga vizitorët. Fillimisht me “Bunk’Art” në periferi të kryeqytetit e më pas me “Bunk’Art II”, që është në zemër të Tiranës e dikur shërbente si bunker i Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë krijuar hapësira që kanë marrë edhe vëmendjen e mediave prestigjioze në botë.