Kulturë

Qyteti i tunelit ushtarak që pasqyron jetën nën komunizëm në Shqipëri

Bunkeri formon një rrjet merimange prej tunelesh 5 deri në 7 kilometra të gjata që mund të strehojnë 20 deri në 30 mijë civilë

Nga frika se mund të pushtohej nga Jugosllavia, lideri komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, kishte ndërtuar një bunker të madh në Kukës. Ky bunker tani pritet të kthehet në muze. Autoritetet lokale planifikojnë të rivendosin rrjetin e tunelit për t'u treguar turistëve se si banorët ishin të përgatitur të jetonin atje deri në gjashtë muaj nëse qyteti sulmohej

Qyteti në veri të Shqipërisë ka një labirint tunelesh poshtë rrugëve të tij. Tunelet u ndërtuan gjatë regjimit të dikurshëm komunist për të strehuar banorët në rast lufte. Tani Kukësi, njëri prej qyteteve më të varfra të Shqipërisë, shpreson që e kaluara një ditë të tërheqë turistë.

Autoritetet lokale planifikojnë të rivendosin rrjetin e tunelit për t'u treguar turistëve se si banorët ishin të përgatitur të jetonin atje deri në gjashtë muaj nëse qyteti sulmohej.

Një oficer i pensionuar i ushtrisë kujton me mall orët që kaloi nën tokë ndërsa udhëheqësit ushtarakë hartonin strategjinë e tyre, duke u përgatitur për një sulm nga forcat e asaj që ishte Jugosllavia e atëhershme.

Deri në vitin 1995 kur doli në pension, Haxhi Cenaj, 81 vjeç, ishte gjeneral që drejtonte një njësi të vogël këmbësorie, të caktuar për të mbrojtur një qendër komandimi të rrethuar nga një rrjet tunelesh.

“Ka pasur sallë lojërash, sallë mbledhjesh. Ishte edhe një dhomë ku të paraqitura ishin hartat”, ka thënë Cenaj.

Sistemi nëntokësor në Kukës ishte fortifikimi më i madh mbrojtës në atë kohë në vendin më të varfër të Evropës. Cenaj thotë se zyrat brenda tunelit përdoreshin rregullisht për stërvitje.

Ata po përgatiteshin se si do të përballeshin me një sulm imagjinar nga Jugosllavia fqinje, i cili nuk ndodhi kurrë.

“Duhet mbajtur të them të drejtën por do një kosto. Unë do të dëshiroja që këtë me e vënë në gatishmëri. Me e lënë të gatshëm, nuk i dihet, mund të na duhet”, ka thënë Cenaj.

Bunkerët ushtarakë janë shtatë kate nën tokë, deri në 30 metra të thellë, me mure me trashësi gjysmë metri çimentoje.

Bunkeri formon një rrjet merimange prej tunelesh 5 deri në 7 kilometra të gjata që mund të strehojnë 20 deri në 30 mijë civilë, shpjegon Bukurosh Onuzi, i cili është përgjegjës për projektin e muzeut.

“Ndërtimi i qytetit nëntokësor të Kukësit ka filluar në vitet ‘70 dhe ka vazhduar deri në fund të viteve ’90, do të thotë 91, 92. Për 22 vjet me radhë është punuar. Është rreth 5 deri në 7 kilometra degëzime. Është komplet qyteti. Ishte parashikuar që të paktën 20 deri në 30 mijë veta, popullsia e Kukësit të futën brenda, në rast të ndonjë lufte kimike, mbase edhe atomike, në mënyrë që komplet jeta të bëhej poshtë, si një qytet me gjithë veprimtarinë normale të jetës së një populli”, ka thënë Onuzi.

Tunelet e Kukësit u ndërtuan për të akomoduar banorët e qytetit për rreth gjashtë muaj.

Në këtë bunker ishte ndërtuar fabrika e bukës, shkolla, spitali, materniteti, zyra e prokurorit, policia, radio stacioni dhe një shtypshkronjë për propagandën komuniste, si dhe hapësira për burra dhe gra për të praktikuar armët dhe stërvitjet ushtarake.

Në Tiranë u ndërtuan dy bunkerë për të strehuar vetëm ish-udhëheqjen komuniste.

Regjimi komunist ndërtoi rreth 175 mijë bunkerë betoni në të gjithë Shqipërinë.

Çdo pallat në Kukës kishte pikën e saj të përcaktuar nën tokë, me qarkullim të mirë ajri dhe ruajtje të furnizimit me ujë. Tunelet e Kukësit nuk janë përdorur që nga viti 1995.

Qendra e komandës ushtarake në periferi të qytetit është e vetmja pjesë deri më tani e restauruar pjesërisht dhe e hapur si një muze që synon të tërheqë turistë të huaj. Ajo ka 37 dhoma, disa ende me numra në dyert e tyre prej çimentoje 20 centimetra.

Disa dhoma kishin një tualet të veçantë dhe një lavaman të përdorur nga oficerët e lartë.

Onuzi thotë se muzeu do të sjellë në jetë të kaluarën për turistët dhe të rinjtë që nuk e kanë përjetuar jetën në komunizëm.

“Po punohet për ta kthyer në një muze. Është pjesë që ka lidhje me turizmin e hijes ose turizmin e kuq dhe në këtë sens shohim se është shfaqur interesi, sidomos i të huajve që nuk e kanë përjetuar komunizmin, por edhe i të rinjve që nuk kanë njohuri dhe nuk kanë marrë informacion dhe nuk kanë jetuar në komunizëm”, ka bërë të ditur Onuzi.

Ish-autoritetet komuniste mbajtën vetëm një provë në vitin 1988 ose 1989 kur e dërguan “me sukses” popullsinë në nëntokë, sipas Onuzit.

Turizmi është një burim kryesor për Shqipërinë e vogël postkomuniste.

Rreth 7.5 milionë turistë vizituan vendin në vitin 2022, shifër që tregon se ishin një e treta më shumë se një vit më parë.

Në vitin 2021, të ardhurat nga turizmi u sigurua 17 për qind e fuqisë blerëse të vendit.

Kryetari i Bashkisë, Safet Gjici, ka thënë se muzeu do të sjellë të ardhura shumë të nevojshme në qytet.

“Vendosja në punë e këtij qyteti muze, jo vetëm tregon vlerat tona, prodhimet bio të Kukësit apo edhe veshjet tradicionale të gjithë zonave të Kukësit edhe elementet kulturore, por do të na krijojë edhe të ardhura për Bashkinë dhe punësime për qytetarët kuksian”, ka thënë Gjici.

Pas Luftës së Dytë Botërore, diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, ndërpreu lidhjet me Jugosllavinë në vitin 1949, me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 dhe me Kinën në vitin 1978, të gjitha pasi u grind me udhëheqësit e tyre dhe refuzoi t'u bindet rregullave të tyre.

Më pas, paranojak për një potencial pushtimi, regjimi i Tiranës shpenzoi rreth 5 për qind të buxhetit të tij vjetor për mbrojtje.

Qyteti i vjetër i Kukësit u fundos në vitin 1978, për të akomoduar ndërtimin e hidrocentralit në lumin Drin.

Rreth 16 mijë banorë u zhvendosën në qytetin e ri të ndërtuar me blloqe apartamentesh pesëkatëshe me tulla të bardha të stilit sovjetik.

Kukësi është zona më e varfër e vendit me vetëm dy të tretat e të ardhurave mesatare të vendit, sipas shifrave të Institutit Publik të Statistikave në vitin 2021.

Pavarësisht se janë të pasura me minerale dhe Alpet e saj të bukura e krenare, të mos gjesh punë ose pagat e ulëta kanë shtyrë shumicën e të rinjve vendës të largohen për një jetë më të mirë diku tjetër.

Kukësi është një qytet i vogël, 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit shqiptar, Tiranës, afër kufirit me Kosovën.

Një fond prej 2 milionë eurosh nga një plan i Bashkimit Evropian që promovon 10 qytete në vendet e ish-Evropës Lindore do të ndihmojë në restaurimin e tuneleve të qytetit.

(Përktheu: Gent Mehmeti)