Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Botuesit përballë krizës, shkaku i çmimit të letrës e rënies së blerjeve

Në Panairin e Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, i cili është përmbyllur këtë të diel, janë ekspozuar më shumë se 2000 ekzemplarë të librave. Drejtuesit e shtëpive botuese u ankuan për vështirësitë që ata po përballen. Treguan se është rritur çmimi i shtypit e është ulur numri i lexueseve. Për të njëjtën gjë kishte alarmuar edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë gjatë Panairit të Librit të mbajtur në Tiranë në nëntor

Një numër botuesish të dielën kanë diskutuar për vështirësitë që kanë sidomos kohëve të fundit. Rritja e çmimit të letrës e rënia e numrit të lexuesve janë telashet me të cilat po përballen.

Të dielën është përmbyllur editonin i tretë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur. Në kuadër të këtij panairi u organizua diskutimi me temën “Sfidat e botuesve”, në të cilin drejtuesit e shtëpive botuese folën për vështirësitë që ata po përballen.

Ata kanë treguar se vështirësitë për të botuar libra vetëm po rriten, ndërsa kërkesa për libër po ulet në një kohë që gjithçka është digjitale dhe elektronike.

Berat Dakaj, organizues i Panairit, si dhe pronar i shtëpisë botuese “Armagedoni”, kishte vërejtje për mungesën e përkrahjes institucionale.

“Përkrahja materiale nga Ministria e Kulturës, për një vepër letrare, përmbledhje me poezi, japin 500-600 euro. E llogaritin vetëm punën e shtypit, kurse te referencat, përshkrimet fizike të shpenzimeve llogariten lekturë, faqosje, dizajn, shtypje, radhitje kompjuterike. Buxheti që japin është shumë i vogël”, ka thënë ai.

Edhe Drejtuesit e shtëpive botuese ankohen se po e kanë të vështirë ekzistencën Arbëri Drejtuesit e shtëpive botuese ankohen se po e kanë të vështirë ekzistencën

Hajdar Fejzullahu, nga shtypshkronja “Lena Grafik”, ka thënë se inflacioni e ka bërë më të vështirë edhe botimin e librave. Sipas tij, Kosova përkrah më pak shtypshkronjat sesa Maqedonia e Veriut.

“Kemi diku 80% rritje të çmimit të letrës, Kosova e ka hyrjen, ashtu që ne paguajmë TVSH në letër 18%”, ka thënë ai.

Me shqetësim u përshkrua edhe kultura e leximit e krijuar viteve të fundit, ku libri, sipas tyre, ka humbur rëndësinë që kishte, sidomos te gjeneratat e reja.

Sadik Beqiri, drejtor i gazetës “Epoka e re”, ka thënë se pos librave, tani mungon edhe kultura e leximit të gazetës, e cila që nga periudha e pandemisë nuk shtypet më në Kosovë.”

“Me zbutje të pandemisë nuk pati më interesim të mediave, siç është ‘Koha Ditore’ që ka qenë pak më aktive dhe e fuqishme, e ndërpreu botimin e saj”, ka thënë ai.

Edhe Panairi i Librit në Tiranë, festë me alarmin e krizës Kulturë Panairi i Librit në Tiranë, festë me alarmin e krizës

Për të njëjtën gjë, sa i përket botimit të librave kishte alarmuar edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë gjatë Panairit të Librit të mbajtur në Tiranë në nëntor. Të dhënat që kishin shpalosur bënin të ditur se botimet nuk shkojnë mbi 300 kopje.

Në Panairin Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur u ekspozuan më shumë se 2000 ekzemplarë të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur. Ky Panair vjen gjashtë muaj pas edicionit të 22-të të Panairit të Librit, kur jo pak botues kishin konstatuar edhe efektet e krizës ekonomike. Pa moto, pa bujë e me organizim modest, Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur është kthyer në bibliotekën e hapur të qytetit. Krahas Panairit, kanë qëndruar të ekspozuara kornizat me imazhet e dokumenteve arkivore në ekspozitën e organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë. Bashkë me librat e ofruar për shitje “Të ndarë, por të pashkëputur” ka shpalosur dokumente të rëndësishme historike, si ato të nënshkrimeve të delegatëve të Kuvendit të Vlorës me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë që shoqërohen me fotografitë e personaliteteve të Ismail Qemalit, Abdi Toptani, Petro Pogas, Luigj Gurakuqit, Mid’hat Frashëri e të tjerë. Po ashtu, janë paraqitur pamje nga festimet e përvjetorëve të pavarësisë në zona të ndryshme si në Kukës, në Tropojë, Gjirokastër, Tepelenë e Tiranë me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Panairi kishte filluar me edicionin e parë në vitin 2020 që ishte mbajtur në korridorin e Institutin Albanologjik, ndërsa një vit më pas lokacioni i tij kishte qenë hapësira para Teatrit Kombëtar.

Në ditën e hapjes, Albert Mirdita, ekonomist nga Prishtina, e kishte parë Panairin si reflektim sesa lexon shoqëria sot derisa kishte thënë se libri sot ka çmim të lartë për lexuesin, e për këtë duhet të intervenojë shteti.

Edhe Librat e vjetër matin pulsin e lexuesve dhe koleksionuesve Kulturë Librat e vjetër matin pulsin e lexuesve dhe koleksionuesve

“Panairi është i qëlluar pasi shihet sa lexohet sot, por nuk është faji te popullata, por tek institucionet tona që nuk i japin rëndësi. Duhet të intervenojë ministria që të rinjve t’ua ngulitë që i vetmi ushtrim i trurit është leximi. Për çmime, është kritikë pasi çmimet janë të ekzagjeruara. Zakonisht librat e vjetër janë të shtrenjtë për shkak se nuk mund të gjenden, kurse prej këtu shumicën i kam në bibliotekën shtëpiake”, kishte thënë ai. pas hapjes në ditën e premte gjithashtu është përuruar libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare” si përmbledhje me kumtesa e sesionit të mbajtur për UÇK-në në Institutin Albanologjik të Prishtinës me intelektualë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Të shtunën është mbajtur tryeza “Drama shqipe” në Fakultetin e Arteve me të ftuar profesorët Haqif Mulliqi dhe Emin Emini. Kurse pasdite ora poetike “Dritë mbi plagë” në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.

E në përmbyllje të tij janë dhuruar disa libra të cilët pastaj do t’i dërgohen bibliotekës “Hivzi Sulejmani”.