Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Botimet akademike dhe shkencore shqiptare bashkohen në Tiranë

Mbi 30 ente botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi janë bërë bashkë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, i hapur të premten në Tiranë. Sivjet ky panair vjen me edicionin në kuadër të veprimtarive kushtuar 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe organizohet në bashkëpunim midis AShSh-së, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në fjalën e tij në hapje ka thënë se ky panair, që organizohet me iniciativën e akademive të Shqipërisë dhe të Kosovës, ngjalli menjëherë interesimin e gjithë botuesve të librit akademik dhe shkencor në universitete dhe qendra e institucione të tjera të kërkimit shkencor, në entet botuese publike e jopublike.

“Ky është një panair me fushë interesimi të përcaktuar qartë: botimet më të fundme shkencore në të gjithë hapësirën shqiptare”, ka thënë ai, duke shtuar se asnjëherë botimet e studiuesve shqiptarë, akademikë e profesorë, kërkues në agjencitë qendrore të kujtesës dhe studiues të lirë, nuk kanë qenë kaq së bashku, përkrah njëri-tjetrit. “Ky panair na jep mundësinë të shohim me sytë tanë cili është produkti shkencor i shqiptarëve”, ka thënë ai, duke e cilësuar Panairin si manifestimin më të madh të deritashëm për këtë fushë të gjerë dhe delikate botimesh. Ai ka bërë të ditur se i kanë vënë vetes detyrë të krijojnë qasje të hapur për botimet shkencore shqiptare dhe e kanë nisur këtë me periodikët shkencorë.

“Me këtë panair duam që rrjetit të botuesve të librit shkencor t’i mundësohet funksionimi si një i tërë, që botuesit e tij ta shohin njëri-tjetrin si pjesë të një familjeje, që marrëdhëniet midis tyre të jenë plotësuese po aq sa dhe konkurruese”, ka thënë akademik Gjinushi.

Akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka thënë se “libri shkencor nuk është libër i reklamës dhe i tirazheve të mëdha, bestsellerët shkencorë janë të rrallë dhe zakonisht për t’u bërë të tillë u duhet të heqin dorë nga – nëse jo në tërësi – së paku nga një pjesë e natyrës së tyre”.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, ka paralajmëruar se pos ekspozimit të botimeve deri më 24 prill, sa zgjat Panairi, do të organizohen 50 aktivitete “që kërkojnë të kthejnë në diskursin publik diskutimet e munguara”.

Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik e Shkencor, në edicionet e ardhshme, pritet të “zhvendoset” edhe në Prishtinë.

Artikuj të ngjashëm