Kulturë

“Black Lotus” me Edon Rizvanollin nis rrugëtimin nëpër kinema

Është film tipik i zhanrit aksion, ku lufta midis së mirës dhe së keqës është e ashpër. Filmi “Black Lotus” nën regjinë e Todor Chapkanov është bërë pjesë e repertorit të kinemave të Holandës. Aktori me prejardhje nga Kosova, Edon Rizvanolli, në këtë film vjen në rolin e një agjenti të fshehtë të “Interpolit”

Premiera e filmit “Black Lotus” me kastë të përbërë nga aktorë të njohur, ka nxjerrë edhe njëherë në ekran aktorin, Edon Rizvanolli. Është roli i 36-të për aktorin dhe regjisorin kosovar.

Filmi ndjek historinë e një ish-pjesëtari të forcave speciale, i cili zhvillon një luftë me një njeri nëpër rrugët e Amsterdamit për të shpëtuar vajzën e mikut të tij nga sindikata lokale e krimit. Në rolin e një agjenti të fshehtë të “Interpolit” vjen Rizvanolli. Ai ka thënë se premiera ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe se për rolin e tij ka marrë komente të mira.

“Ka qenë një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë, sepse filmin e kemi punuar vitin e kaluar edhe natyrisht se premiera është kurorëzimi i krejt asaj pune të gjatë. Edhe ka qenë e veçantë se kanë ardhur shumica e aktorëve që kanë qenë pjesë e kastës. Ka qenë një organizim i madh, është shfaqur premiera. Reagimet kanë qenë shumë të mira. Ka qenë ndjenjë jashtëzakonisht e mirë”, ka thënë Rizvanolli.

Kasta e filmit “Black Lotus” vjen në përbërje të aktorëve të njohur nga SHBA dhe Evropa si Frank Grillo, Rico Verhoeven nga Holanda e Rona-Lee Shimon nga Izraeli. Rizvanolli ka thënë se kjo është një kastë e bukur e që i shton veçantinë edhe më filmit që premierën e kishte më 13 prill

“Filmi është bashkëprodhim në mes Amerikës dhe Holandës. Është gjiruar vjet gjatë verës, edhe pse ka qenë e planifikuar të xhirohej në vitin 2020 por për shkak të pandemisë është shtyrë për këtë verë. Është xhiruar kryesisht në Amsterdam dhe disa sekuenca janë xhiruar në Bullgari. Pjesë e ekipit kanë qenë kryesisht punëtorë profesionistë. Filmi është i zhanrit aksion dhe pjesë e kastës janë aktorë të ndryshëm”, ka thënë ai. Ka treguar se prej Amerikës ka qenë Frank Grillo, i cili njihet kryesisht për filmat “Capatin America” dhe ka luajtur edhe në “Avengers”. Nga Evropa ka pasur aktorë nga Danimarka të cilët luajnë në seriale si “Vikings” e të tjerë.

“Mund të them se është një kastë e bukur e përzier dhe interesante gjë që ia ka shtuar edhe më shumë veçantinë filmit”, ka thënë aktori.

Filmi fillimisht do të fillojë së shfaquri nëpër kinematë e Holandës e më pas edhe në ato të Amerikës.

Rizvanolli është larguar nga Kosova në fillim të viteve ‘90, pas shpërthimit të luftërave në ish-Jugosllavi. Fillimisht kishte shkuar në Austri dhe karrierën e tij të aktrimit e nis në vitin 1992, në Salzburg. Katër vjet më vonë ai zhvendoset në Nju Jork dhe pranohet në Institutin e Teatrit Lee Strasberg ku studion për aktrim. Me kthimin e tij në Vjenë në vitin 1998, ai e sjell filmin e tij të parë të shkurtër dhe shkruan dy skenarë, të cilët financohen nga Komisioni Austriak i Filmit. Njëkohësisht, ai është i punësuar si aktor teatri dhe krijues e prezantues i programeve radiofonike për Korporatën e Transmetimeve Austriake.

Në vitin 1999 Rizvanolli kthehet në Kosovë dhe punon si regjisor, shkrimtar dhe montazher në projekte të ndryshme duke filluar nga videoklipet e deri te dokumentarë dhe filma artistikë. Që nga viti 2007 jeton në Amsterdam dhe punon si aktor dhe regjisor. Filmi i vitit 2017, “T’padashtun”, nën regji dhe me skenar të tij, ishte kandidati i Kosovës për “Oscar” në vitin 2018. Filmi e vazhdon edhe tash udhëtimin nëpër festivale të shumta në mbarë botën. Ka fituar disa çmime, duke u bërë filmi më i suksesshëm i tij. Rizvanolli është anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2017. Sa i përket angazhimit të tij si regjisor, ai ka thënë se është duke punuar në dy filmat e tij të radhës.

“Momentalisht jam vetëm duke i pritur premierat, vitin e kaluar kam pasur më shumë punë. Në nëntor të vitit të kaluar kam marr pjesë ë një film në Zvicër, i cili në fakt është prodhimi i parë i ‘Netflixit’ në Zvicër, ka qenë bashkëprodhim midis Gjermanisë dhe Zvicrës. Filmi do të shfaqet sivjet e gjithashtu jam duke i pritur edhe tri premiera të tjera. Njëkohësisht jam duke u marrë edhe me filmin tim të dytë dhe të tretë, me shkrimin e skenarit dhe përgatitjet e fundit për me i filluar xhirimet për njërin dhe për të aplikuar me tjetrin”, ka thënë Rizvanolli.

Për pjesëmarrje në filma shqiptar ka thënë se përvojat i ka pasur të mira edhe pse përkrahja institucionale për kinematografi lë për të dëshiruar.

“Në Kosovë dhe Shqipëri nuk kam punuar aq sa kisha pasur qejf, natyrisht që do të doja të më jepej shumë më tepër rasti, mirëpo ndonjëherë edhe e kuptoj se është edhe largësia që ndonjëherë e bën të vetën edhe buxhetet janë shumë më të vogla. Herën e fundit kam punuar te një film i cili është xhiruar në Shqipëri i cili vjen si bashkëpunim në mes Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka përfunduar Rizvanolli.

Pos filmave, Rizvanolli ka luajtur edhe në seriale të ndryshme përfshirë “The Diplomat”, “Incognito” e “Judas”.