Ishte dita e tetë e muajit qershor në vitin 2008, kur UNESCO-ja kishte vendosur që qytetin e bukur të Beratit ta përfshinte në listën e trashëgimisë botërore si “shembull i rrallë i karakterit arkitektonik tipik për periudhën osmane”.
Për ekspertët e kësaj organizate, Berati paraqet një shembull të bashkekzistencës së bashkësive të ndryshme fetare e kulturore ndër shekuj.
Pikërisht në 13-vjetorin e hyrjes së vendbanimit të mbiemërzuar si “qyteti i 1001 dritareve” në listën e trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit, punonjës të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kombëtare në Berat kanë shpërndarë guida në monumentet e qytetit.
Siç bëjnë me dije mediat lokale, DRTK ka shpërndarë edhe materiale promocionale në shërbim të turizmit lokal.
Nëpërmjet një afishimi të bërë në faqen e vet në Facebook, kjo Drejtori ka vlerësuar se Berati, si një muze i gjallë në natyrë, renditet ndër qytetet më të bukura në botë dhe destinacionet më kryesore për t’u vizituar nga turistët në çdo periudhë të vitit. Sipas afishimit, Berati është vendi “ku në mënyrën më perfekte ndërthuren monumentet e kulturës me monumentet e natyrës, tradita me mikpritjen dhe vlerën e shtuar të këtij qyteti - harmoninë fetare”.
“Pas një viti të vështirë ku jeta duket se ka rifituar ritmin e humbur, rrugicat e kalldrëmta dhe banorët me mikpritjen e tyre në bujtinat tradicionale janë në pritje të mijëra vizitorëve për të rrëfyer histori njerëzore dhe për t’ia dhënë frymëmarrjen e duhur ekonomisë lokale”.
Edhe
Portat e shtëpive unike të Beratit në restaurim
Ndërkohë në faqen zyrtare të UNESCO-s, në kapitullin për qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës, jepet edhe një përshkrim i karakteristikave kryesore të qytetit të nëntë për nga popullsia në Shqipëri.
“Ai paraqitet si një kështjellë e njohur në vend si kala, pjesa më e madhe e së cilës u ndërtua në shekullin e 13-të, ani pse zanafilla e saj kthehet pas në shekullin e 4-t para erës sonë. Hapësira e kalasë ngërthen kisha të shumta bizantine, veçmas nga shekulli i 13-të, ashtu sikundër edhe xhami të ndryshme të ndërtuara gjatë periudhës osmane që filloi më 1417”.