Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Bekim Fehmiu do të kujtohet vetëm me “Mbledhësin e puplave” në Prizren

Dhjetëvjetori i vdekjes së aktorit shqiptar me nam botëror, Bekim Fehmiu, nuk do të thotë asgjë për institucionet e shtetit. Asnjë aktivitet nuk është paralajmëruar për të shënuar ditën e 15 qershorit, kur edhe bëhen fiks 10 vjet prej kur Fehmiu nuk jeton më. Ishte pasditja e së martës në qershor të vitit 2010, kur Fehmiu u gjet pa shenja jete në banesën e tij në lagjen “Zvezdara” në Beograd. Sipas autoriteteve të atjeshme policore, bëhej fjalë për vetëvrasje me plumbin e shkrepur nga pistoleta e tij. Ky përvjetor do të shënohet vetëm nga festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

Ministria e Kulturës nuk ka organizuar asgjë. Pos saj, as edhe një institucion tjetër. Sipas Rregullores për ndarjen e çmimeve në kinematografi, çmimi për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, dhe çmimet e tjera ndahen në një ceremoni solemne, çdo vit më 1 qershor, në ditën e lindjes së aktorit. Por Ministria e Kulturës nuk e ka bërë këtë para dy javësh e nuk do ta bëjë as sot (e hënë). Ministria e Kulturës konkursin për çmimet në fushën e kinematografisë e kishte hapur më 27 prill. Për një muaj konkursi ka qëndruar i hapur për të propozuar kandidatët për çmimin për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” dhe kandidaturat për çmimet vjetore në kinematografi. Vitin e kaluar në ditën e fundit të korrikut laureat i Çmimin për vepër jetësore ishte shpallur Azem Shkreli – post mortem.

Të dielën gazeta i ka drejtuar pyetje ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, nëse do të mbahet ndonjë aktivitet për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Fehmiut, por ajo nuk është përgjigjur.

Përvjetori i Fehmiut do të shënohet vetëm në Prizren.

“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta e aktorit të njohur të filmit dhe teatrit Bekim Fehmiu, do të shfaqim filmin e Aleksandar Petrovic ‘MBLEDHËSIT E PUPLAVE’, fitues i çmimit Grand Prix në festivalin Cannes, 1967”, shkruhet në njoftimin e “Dokufest”. Aty shkruhet se me Bekim Fehmiun si protagonistin kryesor, filmi shpalos tensionet e një komuniteti rom, ku një shitës lokal i puplave dashurohet me një vajzë shumë më të re në moshë. Filmi do të shfaqet të hënën, më 15 qershor në KEJ, përballë Lidhjes së Prizrenit, duke filluar nga ora 19:00.

“Mbledhësit e puplave” në KTV për përvjetorin e vdekjes së ikonës

Në përvjetorin e vdekjes së aktorit Bekim Fehmiu, në ekranin e KTV-së, sot e hënë në orën 21:30, vjen filmi “Mbledhësit e Puplave”. Prodhimi i vitit 1967, konsiderohet njëri prej filmave më të rëndësishëm të kinematografisë jugosllave, e paraqitja e Fehmiut në rolin e Borës konsiderohet si një prej më të dalluarve të aktorit shqiptar në ekranin e madh. Tetorin e shkuar, Kohavisioni ka transmetuar tetë filma të aktorit në kuadër të programit “E diela me Bekim Fehmiun”, në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar dan”, fuqizuar nga “Integra”, dhe kjo për t’i dhënë mundësinë audiencës së re për ta njohur aktorin me nam.

“Ceremonia do të nisë me hedhjen e luleve në Lumbardhin e Prizrenit - si shenjë nderimi ndaj figurës së aktorit të shquar i cili la gjurmë të përjetshme në kinematografinë vendore dhe atë botërore - dhe do të pasohet nga aktori Xhevdet Doda, i cili do të lexojë disa fragmente nga libri ‘E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme’ i Bekim Fehmiut’, shkruhet në njoftimin e “DokuFestit” për ngjarjen që shënohet në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit. Para dhjetë vjetësh hiri i trupit të Fehmiut ishte hedhur në Lumbardh.

Edhe “Një lule për Bekimin” nderimi i vetëm për aktorin shqiptar të përmasave botërore Kulturë “Një lule për Bekimin” nderimi i vetëm për aktorin shqiptar të përmasave botërore

Për disa vjet në Kinemanë ABV në Prishtinë aktori është kujtuar në atë që është emëruar “këndi i Bekim Fehmiut”. Aty vendosej një pako cigare, një kafe dhe një gotë ujë. Ishte vendi ku Fehmiu qëndronte më së shumti gjatë vizitave që i bënte Prishtinës.

“Salla nuk është duke punuar. Tash kemi telashe, për gjithçka duhet marrë leje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, ka thënë një prej punonjësve të Kinemasë ABC.

Milazim Salihu, i cili ishte mik i ngushtë i Fehmiut sa herë që ai vinte në Prishtinë, ka thënë se institucionet nuk kanë bërë asgjë që ta kujtojnë atë në 10-vjetorin e vdekjes.