Ekspozita “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar” ka bërë bashkë ballinat e gazetave të 17 e 18 shkurtit të vitit 2008. “Kosova”, “Pavarësia”, “Shteti” janë tri fjalët më të përdoruara në ballinat e kohës përderisa fotografitë kapin turma qytetarësh që festojnë. Brezat që vijnë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës mund të gjejnë rrëfimet e ditës së parë të Kosovës së pavarur bashkë me historinë e arritjes deri në atë ditë.
Imazhet e përzgjedhura për ballina janë thuajse të gjitha të momenteve festive. Bashkë krijojnë një mozaik me mënyra të ndryshme festive. Qe festa më e madhe e Kosovës dhe s’kishte se si të paraqitej ndryshe.
Gazetarët duhej të ishin në terren dhe të dokumentojnë ditën historike, atë kur Kosova u bë shteti më i ri në botë më 17 shkurt 2008. Ishte ngjarja më e rëndësishme për popullin e Kosovës dhe njëkohësisht ngjarja më me peshë për të cilën raportuan ata që kishin fatin të ushtrojnë profesionin atë ditë.
“Qëlluam brez me fat” do të shkruante atë ditë gazetari tashmë i ndjerë Ganimet Klaiqi, në murin historik të nënshkrimeve të “Kohës Ditore”.
Kjo fjali në mënyra të ndryshme manifestohet në secilën balline të gazetave që janë ekspozuar të hënën në hollin e amfiteatrit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Ekspozita “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar” ka bërë bashkë ballinat e gazetave të 17 e 18 shkurtit. Asokohe, Kosova numëronte goxha gazeta dhe dokumentimi i ditës së festës së madhe ishte mbuluar, duke dokumentuar leximin e Deklaratës së Pavarësisë, zbulimin e monumentit NEWBORN e shumë ngjarje të tjera. Biblioteka Kombëtare e Kosovës i ruan të gjitha. E në përvjetorin e 17-të ka zgjedhur t’i ekspozojë ato.
“Kosova”, “Pavarësia”, “Shteti” janë tri fjalët më të përdoruara në ballinat e kohës përderisa fotografitë kapin turma qytetarësh që festojnë. Janë edhe dy numra të gazetës së parë të pavarur të vendit, “Koha Ditore”. Një tjetër me ballinën “Kosova shtet” që ishte numër special i asaj dite mungon. Akademik Bardh Rugova, asokohe zëvendëskryeredaktor i “Kohës Ditore” e tash kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ka kujtuar kohën kur përgatiteshin numrat e gazetës që jepnin lajmet për Pavarësinë. Ka kujtuar se pas dy kafeve në mëngjesin e asaj dite kishte shkuar në punë. Ka kujtuar edhe se një ditë më herët kishte rregulluar një dhëmb. Më pas ka shtuar se derisa po lexohej Deklarata e Pavarësisë kishte nisur t’i dhimbtë dhëmbi. Simbolikisht ka treguar se momentin e ka përjetuar me dhimbje, pasi dhimbja ishte e madhe për të arritur deri në ditën kur Kosova u bë shtet.
“Pata shkruar një ditë më parë një shkrim për Kushtetutën e vitit 1974 dhe një tjetër për historinë e Kosovës. Të dyja do të gjenin vend në atë numër special të gazetës që do ta shpërndanim falas. Në mëngjes me kryeredaktorin Agron Bajrami patëm vendosur për titullin: ‘Kosova shtet’ për numrin special dhe ‘Shteti pret njohjen’ për numrin e zakonshëm”, ka thënë ai. Gazetarinë e asaj kohe e ka përshkruar të ndryshme nga ajo e sotme. Ka thënë se ajo shërbente për të përshkruar realitete e jo për të konstruktuar narrativa. Sipas tij, ekspozitat e tilla shërbejnë si akt krenarie për diçka që është sakrifikuar ndër breza.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha ka kujtuar kohën kur bashkë me mësuesit kanë braktisur shkollën për të dalë në rrugë në kërkim të lirisë, në protestat në sheshin e qytetit. Këtë e ka përshkruar si një nga përjetimet më të fuqishme të gjeneratës së saj.
“Në vitin 2008, Historia e Kosovës ktheu faqen dhe shndërrimi i realitetit politik e historik ndodhi përpara syve me një shpejtësi marramendëse. Prandaj, sot, në këtë ditë, me këtë ekspozitë, duam të rikujtojmë një të kaluar të afërt dhe përpjekjen e madhe të vendit në luftën e tij për pavarësi dhe ëndrrën e madhe për paqe”, ka thënë Rogova-Gaxha. Sipas saj, ekspozita përqendrohet në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje historike nëpërmjet pamjeve nga shtypi shqiptar i kohës, si një mënyrë efektive dhe e fuqishme për të shprehur ngjarjet historike të asaj periudhe dhe për të pasuruar kujtesën kolektive.
“Por pavarësia nuk është vetëm një status politik – ajo është një përgjegjësi. Përgjegjësia për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, ku mbizotëron sundimi i ligjit, barazia dhe mirëqenia për të gjithë”, ka thënë Rogova-Gaxha. Sipas saj, krahas festës në këtë ditë me gëzim duhej edhe përkushtim për të punuar secilën ditë për një Kosovë më të mirë e më të fortë.
“Le të jemi të bashkuar në vizionin tonë për të garantuar një të ardhme më të ndritur për brezat që vijnë”, ka thënë ajo.
Brezat që vijnë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës mund të gjejnë rrëfimet e ditës së parë të Kosovës së pavarur bashkë me historinë e arritjes deri në atë ditë.
“Shteti i Kosovës njihet së pari nga Franca, SHBA dhe Britania e Madhe, më 18 shkurt”, është titulli paralajmëruar i ballinës së gazetës “Zëri” më 16 shkurt, përderisa një editorial me titull “Bërja e historisë” i publicistit Blerim Shala, i cili në këtë gazetë ka qenë kryeredaktor e më pas edhe botues. Të premten e 22 shkurtit do të botohej edhe një numër i gazetës së parë të Kosovës, “Rilindja”. Po në shkurt të vitit 1945 do të botohej edhe numri i parë i saj në Prizren, duke u shndërruar në një prej institucioneve të vendit që sapo kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore.

“Kosova shpalli Pavarësinë, bota e njeh shtetin më të ri”, shkruhet lart në ballinë. E në pjesën e poshtme bëhej me dije se: “17 shkurti 2008 është dita më e madhe shqiptare pas 28 nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë”.
Në ekspozitë janë shpalosur edhe disa prej teksteve të ditëve të para pas Pavarësisë. Qe koha kur shteti kishte nisur hapat e parë të konsolidimit si Republikë me mbikëqyrje ndërkombëtare.
“Dhjetë ligje për një orë”, mban titullin artikulli i Agron Halitajt në “Koha Ditore” ku tregohet se si Kuvendi kishte miratuar me shpejtësi ligjet që konsideroheshin si më të rëndësishmet për funksionalitetin e shtetit.
“Projektligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Projektligji për privilegje dhe imunitete diplomatike, ai për shtetësinë, policinë, inspektoratin policor, dokumentet e udhëtimit, përdorimin e simboleve shtetërore, zonat e veçanta të mbrojtura, vetëqeverisjen lokale dhe projektligji për kufijtë administrativë komunal të martën kanë votuar në ‘paket” dhe kanë marrë shumicën absolute të votave të deputetëve”, shkruhet midis tjerash në atë artikull. Sulmet e serbëve në dy pikat kufitare të shtetit të ri u pasqyruan po ashtu. Në një tjetër tekst tregohet për një marrëveshje të lëvizjes pa viza midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe tregohet për presionin miqësor që i bënte Shqipëria asaj që sot është Maqedonia e Veriut për njohjen e Kosovës. Shkrimet e saj kohë rrëfejnë për misionin e sundimit të ligjit - EULEX që po zinte vend në Kosovë e për shtimin e institucioneve të reja në shtetin e pavarur. Gazetat janë përplot me informacione që u hyjnë në punë studiuesve të tashëm e atyre të ardhshëm. Por pas 17 vjetësh, Kosova nuk posedon më asnjë gazetë të shtypur. E ekspozita e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës midis të tjerash ka kthyer vëmendjen edhe te rëndësia e shtypit. Ka treguar se dokumentimi i ngjarjeve në letër ka tjetër peshë. Atë të arkivimit të historisë.