Me një skenografi krejt të thjeshtë e larg ekstravagancës, shfaqja “Balava” shtjellon problemet familjare. Mospërputhjet në mendime midis brezave shpërfaqen për rreth një orë në shfaqjen ku luajnë aktoret me nam Mirjana Karanoviq e Jasna Gjuriçiq.
Dy vajzat që portretizohen nga Jovana Beloviq e Isidora Simijonoviq ju rrëfehen nënës dhe tezës së tyre. E ëma paraqitet të jetë një grua e fortë e shumë e vendosur sa i përket mendimeve të saj goxha tradicionale. Drama familjare shtjellon imtësisht dallimet midis gjeneratave e mentaliteteve. Me tekst të Dunja Matiq e regji të Jovana Beloviq, “Balava” ka hapur edicionin e sivjetmë të “Kosovo Theatre Showcase”. Mosmarrëveshjet familjare qojnë situatën deri në abort.
Sipas aktores Arta Muçaj shfaqja e së martës mbrëma ishte një realizim tejet i mirë.
Muçaj mendon se bashkëpunimet midis Kosovës dhe shteteve të tjera sa i përket shkëmbimeve kulturore duhet të jenë më të shpeshta.
Jeton Neziraj i cili udhëheqë me qendrën “Multimedia” e cila organizon “Kosovo Theatre Showcase”, thotë se planet për edicionin e tretë ishin të shumta por janë tkurrur shkaku i pandemisë.
Sipas tij, sivjet ngjarja është zgjeruar sa i përket prurjeve të shfaqjeve nga vendet e rajonit.
Shfaqja nga Serbia që është dhënë në teatrin “Oda” në Prishtinë, sonte do të jepet në teatrin “Adriana” të Ferizajt.
Në mesditën e së mërkurës, aktoret Mirjana Karanoviq e Jasna Gjuriqiq kanë qenë paneliste në diskutimin mbi rolin e teatrit në ngritjen e çështjeve të rëndësishme shoqërore. Në diskutimin e moderuar nga kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, dyshja ka shpalosur pikëpamjet në raport me rolin e artit dhe artistëve në shoqëri.
Karanoviq në të kaluarën ka pritur shumë më shumë nga vetja sa i përket ndikimit në shoqëri por tash ka hequr dorë nga ai iluzion.
“Shfaqjet ishin tema të seancave të deputetëve dhe intelektualëve. Sot kjo nuk ekziston. Ekziston një trend që gjithçka të paraqitet si sipërfaqësore. Një objekt i madh mbulohet me pëlhurë. Temat sipërfaqësore mbulojnë temat e rëndësishme”, shprehet Karanoviq.
Jasna Gjuriçiq mendon se secili aktor duhet të ketë kujdes së çfarë luan në skenë pasi ajo është një hapësirë publike ku kumtohet diçka.
“Teatri nuk mund ta shpëtoj botën. Por janë disa hapa të vogël te ne në skenë dhe te publiku. Është një ndërveprim. Unë dhe Mirjana kemi kujdes se çfarë materiali zgjedhim për të punuar. Përmbajtja është shumë e rëndësishme”, thotë Gjuriçiq.
“Kosovo Theatre Showcase” do të vazhdojë deri në fund të javës dhe do të sjell shfaqje, diskutime e ngjarje të tjera që kanë të bëj me teatrin.