Me tri pjesë shfaqjesh dhe shpjegimet për to, është shënuar dita e fundit e “Kosovo Theatre Showcase” dhe si tërësi në njëfarë forme e ilustron krejt natyrën e kësaj ngjarjeje. Në atë që është cilësuar si lexim e diskutim, “Shfaqje të reja, botë të reja” është dëshmuar krejt procesi deri te produkti final që e sheh publiku në skenë. Dhe për pesë ditë të “Kosovo Theatre...” pos shfaqjeve që kanë shënuar këtë vit skenën vendore, pjesëmarrësit e prezantuesit kanë sjellë këndvështrime të ndryshme për botën e teatrit
“Shfaqje të reja, botë të reja” ka qenë ngjarja ku publiku i “Kosova Theatre Showcase” ka pasur mundësinë të shohë disa skena të shkurtra të shfaqjeve “Lear in Tulsa”, “The shadow garden” dhe “Where’s Mr. President?”
Por nuk qe kjo oferta e vetme, të shtunën në ditën e fundit të edicionit të pestë të ngjarjes, e cila, pos shfaqjeve, ofron edhe platforma të tjera për njohjen e botës teatrore. Në “Dodonë” ka dëgjuar më shumë rreth mënyrave dhe motiveve që dramaturgët Steven Morris, Sara Hehir dhe Agnesa Mehanolli kanë shfrytëzuar për të arritur deri te produkti i tyre final.
Tri shfaqje si dëshmi për format teatrore
Qe historia e familjes Bogujevci nga Podujeva ajo që dramaturgen Sara Heir e kishte motivuar për ta shkruar veprën “The shadow garden”, një skenë e shkurtër e së cilës u luajt nga aktorët Aurita Agushi, Albulena Kryeziu- Bokshi, Donikë Ahmeti, Gentrit Shala dhe Ermal Sadiku.
Shfaqja nis me fëmijët që rrinë të fshehur pas mureve teksa herë pas here qesin kryet për të parë se çfarë ka përpara tyre. Në mes të skenës qëndron një çarçaf klasik tavoline, brenda së cilit janë fshehur ca lodra, ndërsa tutje tij janë ca balona. Skena shfaq fëmijët teksa luajnë lojëra të ndryshme, herë improvizime të një martese, herë të dikujt që bëhet sikur gatuan e herë fëmijë që luajnë së bashku me konop apo edhe që kacafyten rreth lodrave.
Megjithatë e tërë loja e tyre përfundon atëherë kur njëri nga fëmijët shpërthen një balon, i cili në këtë rast asocon me bombën. Lë të vdekur tre nga fëmijët që gjendeshin më afër balonës. Ndonëse kjo është vetëm një nga skenat e shfaqjes, ajo në të vërtetë synon t’i pasqyrojë pasojat që lufta lë te familjarët e mbetur. Ka të bëjë me masakrën e 28 marsit të 1999-s, ku Saranda Bogujevci, sot deputete, humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave.
“Në vitin 1999 punoja si mësuese klasore në Massachusetts, kështu që më ra të takoja refugjatët kosovarë që vinin në atë kohë. Më vonë dëgjova për të cilën më vonë edhe e takova dhe dëgjova për historinë e familjes Bogujevci”, shpjegoi para publiku Sara Heir, e cila ka shkruar tekstin e kësaj shfaqjeje.
Megjithatë rruga deri te shkrimi i kësaj drame ishte i gjatë. Heir kishte dëgjuar për familjen Bogujevci, por ajo kishte arritur të takohej me Saranda Bogujevcin, njërën nga të mbijetuarat masakrës ndaj familjes Berisha, vetëm para rreth pesë vjetësh, ndërkaq shkrimin e saj e kishte nisur gjatë periudhës së pandemisë.
“Unë kalova disa vjet duke bërë kërkime. Fola me familjen Bogujevci dhe u mundova të marr sa më shumë nga familja dhe të mësoj sa më shumë rreth ngjarjes dhe më pas e shkruaja gjatë periudhës së pandemisë. Tekstin ia tregova edhe Sarandës sepse unë kurrë nuk desha ta bëja këtë vetëm për vete, por në bashkëpunim me ta dhe në të vërtetë ata ishin shumë mikpritës”, ka bërë të ditur Heir, e cila ka shtuar se ajo që donte të shfaqte, kishte të bënte me faktin që në të vërtetë historia nuk harrohet asnjëherë, por ajo mbetet midis të mbijetuarve të familjes.
Shfaqja tjetër në “Shfaqje të reja, botë të reja” ka pasur të bëjë me një adaptim radiofonik të “The War of the Worlds” nga H. G. Wells, i cili përshkruan pushtimin marsian të New Jereseyt, realizuar nga Orson Welles, transmetuar drejtpërdrejt në Radio CBS më 30 tetor të vitit 1938. Ditën e nesërme, disa nga dëgjuesit e radios e kishin keqkuptuar këtë shfaqje radiofonike si diçka të vërtetë dhe kështu ajo kishte shkaktuar një tollovi mbarëkombëtare me njerëz që vraponin në polici për të kërkuar ndihmë dhe ballina të tëra gazetash që shkruanin për ngjarjen.
Ishte mu kjo ngjarje e cila e kishte frymëzuar dramaturgen e re kosovare, Agnesa Mehanolli, për ta shkruar dramën “Where’s Mr. President?”
Në rolin e prezantueses së emisionit, aktorja Verona Koxha fton në skenë presidentin e shtetit. Por çudia qëndron se presidenti nuk është njeri, por është një qen. Me vete “presidenti” ka marrë edhe përkthyesin, i cili luhet nga aktori Kushtrim Sheremeti. E tërë skena zhvillohet në formë pyetje- përgjigje: prezantuesja shtron pyetje, më pas dëgjohen ca përgjigje të dhëna me “ham ham” dhe në fund përkthyesi, i cili bën të ditur se çfarë po thotë presidenti.
Përveç karakterit abstrakt, shfaqja u përcoll nga të qeshura të shumta, të cila vinin si rezultat i komunikimit të kafshës dhe përkthyesit të tij. Megjithatë shfaqja nuk ishte menduar asnjëherë për teatër, ndonëse ajo nuk kishte arritur të jepej as në radio.
“Dramën e kam shkruar në vitin 2018, katër vjet më parë. Pasi e përfunduam shfaqjen, menduam se çka nëse e lëshojmë në radio më 17 shkurt dhe çka nëse ne u bëjmë një rreng njerëzve se presidenti është zhdukur dhe t’u japim atyre ca çaste humori”, ka shpjeguar Mehanolli, e cila shtoi se një gjë e tillë nuk u realizua asnjëherë.
Meqenëse në skenë u dha vetëm një pjesë e saj, Mehanolli ka shpjeguar edhe mesazhin që kjo shfaqje synon.
“Ajo që desha të them nuk ishe që qeni është më i mirë se njeriu, por që mund të kishte edhe më keq sesa cilido njeri që mund të qëndronte në krye të shtetit”, ka shpjeguar ajo.
Ishin përsëri aktorët Kushtrim Sheremeti dhe Verona Koxha ata të cilën teksa mbanin tekstet në duar, interpretuan një pjesë të shkurtër të shfaqjes së tretë, “Lear in Tulsa”, të shkruar nga dramaturgu Steven Morrison nga ShBA-ja.
Skena ndërtohet nëpërmjet dialogut që zhvillohet midis dy aktorëve. E tërë ajo që mund të kuptohet nga kjo pjesë e shkurtër e shfaqjes qe se ata diskutonin rreth gjendjes politike në të cilën gjendej Amerika dhe bindjeve që kishin ata rreth kësaj. Megjithatë siç shpjegoi më pas edhe dramaturgu Morris, “shfaqja është një histori e një vendi që ha veten të gjallë, si te ‘Mbreti Lir’ i Shakespeareit ku familja e ha vetën të gjallë”.
Me tri pjesë shfaqjesh dhe shpjegimet për to, është shënuar dita e fundit e “Kosovo Theatre Showcase” dhe si tërësi në njëfarë forme e ilustron krejt natyrën e kësaj ngjarjeje. Në atë që është cilësuar si lexim e diskutim, “Shfaqje të reja, botë të reja” është dëshmuar krejt procesi deri te produkti final që e sheh publiku në skenë. Dhe për pesë ditë të “Kosovo Theatre...” pos shfaqjeve që kanë shënuar këtë vit skenën vendore, pjesëmarrësit e prezantuesit kanë sjellë këndvështrime të ndryshme për botën e teatrit.
“Kosovo Theatre Showcase” si shteg bashkëpunimesh
Kanë qenë 70 mysafirë të ftuar nga 20 vende të ndryshme të botës, si dhe një program i dendur me aktivitetet teatrore, ky ka qenë edicioni më i madh i Kosovo Theatre Showcase”.
“Kjo ishte hera ime e parë në ‘Kosovo Theatre Showcase’. Takimi i parë me teatrin kosovar dhe ishte vërtet një gjë e re për mua dhe mendoj se ishte organizuar shumë mirë. Ndihem shumë e mirëpritur dhe gjithashtu shumë e veçantë”, ka thënë Anja Krans, e cila punon si menaxhere e programit ndërkombëtar në “Performing Arts Fund” në Holandë.
Por gjatë këtyre ditëve sa i kishte rënë t’i përcillte shfaqjet e Kosovës, Krans ka ardhur në përfundim se teatri kosovar nuk mundet pa politikën.
“Ajo që kuptova është se teatri nuk bën dot pa politikë këtu. Është gjithmonë tema politike dhe nëse nuk dini asgjë për të kaluarën, atëherë do ta keni shumë të vështirë për t’i kuptuar ato. Kjo gjithashtu e bën edhe më të vështirë për t’i përshtatur ato në një kontekst tjetër, jashtëballkanik”, ka konstatuar Krans, e cila ka thënë se në të vërtetë shumë tekste janë shkruar shumë mirë, se ka një cilësi vërtet të lartë të dramaturgëve, por përsëri përkthimi dhe adaptimi i tyre përbën problem.
Përshtypje tejet të mirë “Kosovo Theatre Showcase” i ka lënë edhe Ivanaka Apostolovës, producente programi dhe dramaturge nga Maqedonia e Veriut.
“Nuk kam për synim të jem e sjellshme, jam shumë e sinqertë. Më pëlqeu shumë dhe jam shumë e lumtur që më në fund arrita të vij në Kosovë dhe të marr pjesë në edicionin e pestë. Më pëlqeu veçanërisht aktrimi, ishte jashtëzakonisht profesional. Dua të them kishte kaq shumë aktorë të talentuar që të them të drejtë nuk më ka rënë që t’i shoh tash e sa kohë”, ka vlerësuar Apostolova.
Ndër të tjera ajo ka vlerësuar edhe vendet ku u luajtën shfaqjen teksa Prishtinën e ka cilësuar vend frymëzues për krijime të pasura skenike.
“Një nga shfaqjet e mia të preferuara është “Ora e vdekjes”. Më pëlqen gjithashtu t’ju komplimentoj për vendndodhjet tejet frymëzuese, ku u luajtën disa nga shfaqjet. Ju keni shtëpi shumë të bukura dhe për mua është interesante e gjithë Prishtina si një skenë e hapur. Është diçka mes kaosit dhe kozmopolitizmit dhe është një sfidë për shprehje dhe skenarë shumë artistikë”, ka thënë ajo. “Ora e vdekjes”, nën regji të Ilir Bokshit, është luajtur në ish-objektin Burgut të Prishtinës. Objekti i institucionit kryesor të teatrit në Kosovë, Teatri Kombëtar i Kosovës, është i mbyllur.
Apostolova, që e njeh historinë e Kosovës, ka vënë theksin edhe te mënyra dhe natyra e shfaqjeve që jepen në teatrin e Kosovës.
“Një tjetër nga të preferuarat e mia ishte ‘Kosovo for dummies’ dhe shfaqja hapëse “Babai dhe babai”. Ishte shumë emocionuese me aktrim tejet delikat. Më pëlqen shumë që artistët e teatrit në Kosovë janë shumë kritikë, nuk janë propagandues dhe për këtë jam e befasuar. Ata kanë distancë kritike dhe ekspozojnë shumë anë të problemeve dhe kjo më pëlqen”, ka thënë ajo, teksa ka shtuar se, sa i përket bashkëpunimeve ndërkombëtare, teatri kosovar qëndron para atij maqedonas.
Por përveç të tjerave “Kosovo...” ka ndikuar edhe në krijimin e bashkëpunimeve të reja që pritet të realizohen në të ardhmen.
“Para së gjithash, më pëlqeu shumë se skena ishte shumë e gjallë dhe goditëse dhe ishte befasuese për mua ta shihja diversitetin e saj. Për disa shfaqje tashmë veçse i kam kontaktuar regjisorët e tyre, sepse disa prej tyre mendoj se mund të përkthehen edhe në Izrael. Më lanë shumë përshtypje organizatorët. Ata arritën të sjellin në festival një numër shumë mbresëlënës të delegatëve dhe mendoj se do të ketë bashkëpunim artistik mes nesh”, ka thënë Roy Horovitz, regjisor, aktor, profesor teatri dhe kryetar i “International Exposure of Israeli Theatre”.
Natasha Tripney, e cila është redaktore në “The Stage” të Londrës dhe bashkëthemeluese e “Exeunt”, ka vlerësuar posaçërisht shfaqjen “Ora e vdekjes”.
“Më pëlqeu përzierja e stileve dhe temave që u prezantuan gjatë këtij edicioni. Veçanërisht u befasova me shfaqjen që u mbajt në Muzeun e Burgut të Prishtinës, ‘Ora e vdekjes’, si për shkak të mënyrës se si po përdorte një hapësirë ekzistuese për të treguar historinë e asaj hapësire, por edhe për shkak se është një vepër prezantuese e dy dramaturgeve të reja, të cilat m’u dukën shumë interesante si e eksploronin temën”, ka thënë Natasha Tripney, e cila kohë pas kohe boton edhe në mediat e njohura, si “The Guardian”, “Time Out”, “The Independent”, “Lonely Planet”.
Në ditën e fundit të aktiviteteve, në kuadër të “Kosovo Theatre Showcase” u dhanë edhe shfaqjet “Memorandumi”, “Stiffler” dhe “Our son” në regji dhe skenar të Patrik Laziq nga Serbia, e cila trajton martesat ndërmjet gjinive të njëjta.