Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Autostrada Hangar” paralajmëron program vjetor

Ekipi i “Autostrada Biennale” i është përveshur punës për të institucionalizuar projektin e “Autostrada Hangar”. Nëpërmjet një video-tregimi, kanë bërë të ditur se kjo hapësirë në Prizren do të jetë në shërbim të komuniteteve të ndryshme të të rinjve. Qëllimi është që “Autostrada Hangar” do të jetë institucion i artit bashkëkohor në Prizren, i cili do të fillojë me program të saj vjetor. Sipas video-tregimit, kjo hapësirë multifunksionale do të jetë vend i cili do t’i plotësojë nevojat e komuniteteve të ndryshme duke e konsideruar prodhimin e artit si formë të qëndrueshme e të mësuarit dhe shkëmbimit.

“’Autostrada Hangar’ synon të gjenerojë bashkëjetesë midis komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si ekip dhe do të angazhohet për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal dhe programe të zhvillimit të shkathtësive, për të fuqizuar të rinjtë e Kosovës dhe të rajonit”, shkruhet në njoftimin e ekipit të “Autostrada Biennale”.
Aty sqarohet se si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, “Autostrada Biennale” funksionon me dy shpejtësi. “Njëra është ekspozita fizike që zhvillohet çdo dy vjet nga viti 2017, tjetra është hapësira jonë e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozimit në ish-bazën ushtarake të KFOR-it gjerman, tani Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren”.
Përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, qëllimi i tyre është të zhvillojnë modele të reja të krijimit kulturor që do të inkurajojnë brezin e ri të mendojë në mënyrë kritike për artin dhe të bëhet pjesë e procesit të krijimit dhe instalimit të veprave artistike.

“Infrastruktura e re e krijuar me mjete dhe pajisje të ndryshme, laboratorin teknologjik, hapësirën e ekspozitës, pavijonin e gjelbër, bibliotekën, barin dhe kuzhinën, hapësirën e përbashkët pune dhe ambientet e tjera, do t’i plotësojnë nevojat e komuniteteve që operojnë në fushën e industrisë kreative dhe kulturore, por edhe më gjerë”, shkruhet në njoftim.

Aty bëhet e ditur se për më tepër, hapësira me dy studiot e saj, atelenë dhe laboratorin e teknologjisë, përmes programit të saj të edukimit do të angazhojë ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin. “Më konkretisht, do të ketë punëtori të vazhdueshme për zhvillim të shkathtësive në: formësim, dizajnim dhe prodhim të drurit, metalit dhe tekstilit; komunikim dhe multimedia; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; dhe punëtori për 3D modelim dhe 3D printim”, shkruhet në njoftim.

Ajo hapësirë u përdor si një prej ambienteve kryesore gjatë edicionit të tretë të “Autostrada Bienale”, por tash do të kthehet në funksion me program vjetor.

Vitin e kaluar “Autostrada Biennale” e ka zbërthyer formulën se për ata që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, gjetja e mënyrave për të realizuar dhe ndarë punën e tyre me publikun është kthyer në formë rikuperimi dhe mbijetese. “Çka nëse një rrugëtim...”, ishte titulli i ekspozitës së “Autostradës...” në edicionin e tretë.