Të shtunën mbrëma “Autostrada…” ka rrumbullakuar plot një dekadë veprimtari dhe ka festuar aktivitetet e saj gjatë kësaj periudhe. Si përherë me ngjarje, pos atraktive edhe produktive e edukuese, 10-vjetorin e ka shënuar duke zgjeruar hapësirat në të cilat vepron. “Autostrada” si organizatë tani ka edhe një tjetër hangar e një hapësirë për shfaqje e performanca në ambient të hapur. Kjo nënkupton zgjerimin e hapësirave, në veçanti për përgatitjet e edicionit të ardhshëm të Bienales. Vetë hapësira kryesore e Qendrës për Art Bashkëkohor është identitet i punës së “Autostradës...”
Në shtator të 2014-s, “Autostrada Biennale” do të nisej si ngjarje e nevojshme për shkëmbim kulturor midis rajonit dhe botës. Do të zhvillohej si urë lidhëse e skenës vendore artistike me atë ndërkombëtare e Prizrenin e Kosovës do ta bënte një shenjë në hartën e qendrave të artit bashkëkohor. Suksesi i ngjarjes për vite me radhë është i padiskutueshëm.
Të shtunën mbrëma “Autostrada…” ka rrumbullakuar plot një dekadë veprimtari dhe ka festuar aktivitetet e saj gjatë kësaj periudhe. Si përherë me ngjarje pos atraktive dhe produktive e edukuese, 10-vjetorin e ka shënuar duke zgjeruar hapësirat në të cilat vepron.
“Autostrada” si organizatë tani ka edhe një tjetër hangar e një hapësirë për shfaqje e performanca në ambient të hapur. Kjo nënkupton zgjerimin e hapësirave, në veçanti për përgatitjet e edicionit të ardhshëm të Bienales. Vetë hapësira kryesore e qendrës për art bashkëkohor është identitet i punës së “Autostradës...”.
Transformimi nga një depo e kampit ushtarak gjerman e kthyer në qendër arti për 10 vjet ka mbledhur komunitetin artistik për të zbërthyer vepra arti. Emra të shquar të artit sot kanë krijuar veprat e tyre aty edhe për edicionet e Bienales. Interieri është produkt i punës së ekipit dhe i vetë aktiviteteve në kuadër të programeve edukuese.
Por hapësirës me shumë funksione tani i janë shtuar edhe Hangari II, Teatri i Hapur dhe Rezidenca për Artistë. Kanë qenë risia e jubileut të “Autostradës...” e me inaugurimin e tyre është festuar një dekadë aktivitet, sukseset dhe arti bashkëkohor vendor në përgjithësi.
Dhjetë vjet më parë do të themelohej nga tre të rinj nga Prizreni për ta zhvilluar jetën artistike e kulturore të qytetit. Vatra Abrashi, Leutrim Fishekqiu dhe Barış Karamuço do të ngrinin platformën për ekspozimin e realizimin e artit nëpërmjet të cilit trajtohen nevojat e komunitetit.
Hangari tjetër që organizata ka tani në posedim mundëson organizimin e punëtorive me dru, metal e tekstil. Aty janë edhe zyrat e ekipit të produksionit, depoja për vepra të artit, si dhe salla multifunksionale për aktivitete të ndryshme.
Rezidenca për artistë është hapësira ku artistët e programeve të “Autostradës...” mund të zhvillojnë hulumtimet e tyre.
Vatra Abrashi ka thënë se zgjerimi i “Autostradës...” me këto hapësira nënkupton edhe zgjerimin e programit të saj, midis të tjerash është edhe arti performues.
“Në mes të dy hangarëve e kemi edhe teatrin e hapur, është hapësirë e madhe që neve na mundëson të organizojmë edhe programe të ndryshme në natyrë, performanca, shfaqje teatrale, përveç një lidhjeje e bukur midis dy hangarëve do të ketë edhe aktivitete të shumta që do të organizohen aty”, ka thënë Abrashi për KOHËN.
Është parë e emocionuar në fjalimet e ceremonisë së inaugurimit të këtyre hapësirave, ndërsa treshja themeluese është shprehur krenare me njëdekadëshin produktiv dhe sukseset e Bienales.
“’Autostrada Biennale’ ka filluar si një ide e guximshme e cila në fillim është parë si ide skeptike në sensin që po nis në një qytet që nuk ka galeri dhe a thua vallë do të ketë audiencë për art bashkëkohor. Por ne kemi qenë shumë insistues, konsistent që me një qasje të duhur, me përfshirje të komunitetit, audienca do të krijohet. Ne jemi shumë të lumtur që ‘Autostrada Biennale’ po ndodh në Prizren, në Kosovë. Kemi njerëz që e duan dhe mbështetin artin dhe falë kësaj mbështetjeje jemi këtu”, është shprehur Abrashi.
Ka thënë se duke e nisur ngjarjen në qytetin pa galeri, iniciativa që i përcillte ishte “arti te njerëzit” si e kundërta e “njerëzit tek arti”.
“Pasi nuk ka pasur galeri qyteti, kemi gjetur alternativa të ndryshme për ta shndërruar qytetin në muze të hapur me hapësira publike, shtëpi të vjetra, objekte të trashëgimisë kulturore. E gjithë kjo na ka bërë edhe më kreativë për të gjetur forma. Duke punuar me të rinj e kemi parë që duhet edhe më tej ta vazhdojmë vizionin tonë. Kjo ka bërë që të punojmë çdo dit me përkushtim të madh për ta krijuar qendrën e artit bashkëkohor ‘Autostrada Hangar’”, ka thënë Abrashi.
Dhe ashtu kishte ngjarë. Në edicionet e “Autostrada Biennale”, veprat e artit të artistëve vendorë e ndërkombëtarë u vendosën nëpër gjithë qytetin, përfshirë Qendrën Historike duke krijuar një lloj dialogu me artin bashkëkohor. Në edicionin e katërt qe edhe një lloj alarmi kur njëra prej tri veprave të artistes turke Gözde Ilkin e vendosur në një shtëpi të vjetër në rrugën “Tahir Meha” u zhduk me shkatërrimin e shtëpisë.
Ajo i ishte përgjigjur më së miri temës “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë” në edicionin ku ngjarja ishte vlerësuar si “ekspozitë që na bën e na zhbën, çfarë na thur me njëri-tjetrin e çfarë na shthur” e kuruar nga polakja Joanna Warsza dhe turkja Övül Ö. Durmuşoğlu.
Megjithatë, nuk ka pasur ndonjë hap drejt themelimit të galerisë së qytetit. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, nga skena e “Autostradës...” ka premtuar se galeria do të bëhet. Por nuk ka dhënë kurrfarë detaji.
“Hapin e parë ‘Autostrada…’ e ka vënë kaherë, këta janë hapat e tjerë ku do të ndërtohet edhe galeria, u premtoj publikisht se do ta kemi në qytetin e Prizrenit. Për mua është kënaqësi sa herë vij këtu, sepse shoh që vizioni, puna dhe përkushtimi japin sukses. ‘Autostrada Biennale’ na bën të gjithëve krenarë që jemi të Prizrenit, sepse tërheq vëmendje, krijon një mundësi, jep vlerë të shtuar dhe është fat për mua si kryetar i Komunës, bashkë me ekipin tim, që kemi kë ta përkrahim”, ka thënë Totaj.
Bashkëthemeluesi i “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, ka thënë se ngjarja ka qenë kontribut për emancipimin e gjeneratave, veçmas në prodhimtari. Është shprehur se i mburr kjo hapësirë prodhuese e veprave të artit bashkë me faktin se në kohën kur po zhvillohen luftërat në botë, një ish-hapësirë ushtarake është shndërruar në qendër arti.
“Në kohën kur luftërat në botë po shumohen, kur bashkëpunimet janë të një niveli më të ulët, ne po tregojmë një shembull të madh në Kosovë që ish-bazat ushtarake po shndërrohen në hapësira dhe shtëpi për edukim, prodhim dhe për art e kulturë. Është mesazh i fortë për të gjithë botën. Në vend se të investohet në armë dhe luftëra të reja, ne në paqen tonë po i sjellim bazat ushtarake në një kontekst komplet tjetër, për rini, art e kulturë”, ka thënë ai.
Bashkëthemeluesi tjetër, Barış Karamuço, i ka ftuar të pranishmit që edhe më tej të bëhen pjesë e “Autostradës...” si hapësirë ku të rinjtë e vendit mund të ushqejnë shpirtin e tyre dhe vizionin e ngjarjes.
“Në Kosovë kemi qenë me vite prapa, nuk kemi mundur të kemi vizion për të ardhmen dhe si ‘Autostrada Biennale’ gjithmonë kemi besuar në njëri-tjetrin dhe e kemi shtyrë këtë vizion që tre të rinj mund të krijojnë një qendër për art bashkëkohor dhe që mund të jenë shembull për Kosovën”, ka thënë ai.
“Autostrada Biennale” është “institucionalizuar” si e vetmja ngjarje e artit bashkëkohor në Prizren. Ndër vite ka bërë shumë miq, pos individë edhe institucione të rëndësishme që e përkrahin misionin e saj.
Midis tyre, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës dhe atë të Gjermanisë.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se madje edhe në krahasim me vitin e kaluar, te “Autostrada...” ka parë transformim të theksuar.
“Kam parë zhvillim të theksuar prej vitit të kaluar, keni krijuar hapësirë të mrekullueshme kreative. Mendoj se kjo është histori e mrekullueshme të tregohet dhe ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim për të krijuar një hapësirë kulturore. Dhe në fund dua të them se të hënë do të inaugurojmë partneritetin klimatik Kosovë-Gjermani ku si projekt i parë kemi financuar panale solare në një prej hangarëve. Dua që autostrada dhe ekipi të jenë të suksesshëm edhe për dhjetë vjet të tjerë”, ka thënë ambasadori Rohde.
Zyrtarja për marrëdhënie me publikun në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jennifer Lawson, ka thënë se aktivitetet e “Autostradës...”përkthehen në prosperitet dhe mirëqenie për njerëzit në Kosovë dhe se institucioni është partner i Ambasadës në punën si realizim i aspiratave që iu përgjigjen atyre të SHBA-së.
“Sa shumë punë është bërë në dhjetë vjet dhe e di se ky sukses nuk ka qenë i lehtë. Keni tejkaluar një numër të madh të sfidave dhe keni sfiduar shumë zona komforte, e keni hapur gjithë këtë rrugë nga shkëndija e një ideje për themelimin dhe rritjen e institucionit. Ju keni rritur burimet, edukimin, aftësitë e ndërtimit dhe kapaciteteve, keni krijuar dhe inovuar dhe me të drejtë keni fituar njohje globale, një arritje jo e lehtë”, ka thënë ajo.
Kaherë nga themeluesit është potencuar se “Autostrada Biennale” funksionon me dy shpejtësi. Njëra është ekspozita fizike që organizohet çdo dy vjet që nga viti 2017 dhe tjetra është hapësira arsimore, prodhuese dhe ekspozuese “Autostrada Hangar” në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren – ITP.
Drejtori i këtij institucioni, Hans Juergen Cassens, është shprehur krenar që “Autostrada...” është pjesë e tyre.
“Derisa po rritemi secilën herë si institucion tani jemi më shumë se 53 entitete të ndryshme në Park. Autostrada është mbajtja e fortë si industri kreative. Nuk ka një vizitor të ITP-së që nuk e dërgojnë në ‘Autostrada...’, të paktën për një kafe dhe për të shfaqur transformimin e mrekullueshëm të këtij hangari “, ka thënë ai.
Organizata filantropike gjermane “Allianz Foundation” është një prej parterëve e mbështetësve të “Autostradës...”. Nino Klingler nga kjo organizatë ka thënë se në punën e tyre kanë hasur kryesisht me zvogëlim të hapësirave kulturore nëpër Evropë. Por e kundërta, sipas tij, ka ngjarë me atë në Prizren.
“Në ‘Allianz Foundation’ kemi një zonë në të cilën fokusohemi që quhet ‘Zvogëlimi i hapësirave’. Çfarë do të thotë kjo. Gjithandej Evropës dhe përtej, hapësirat për shoqërinë civile dhe për kulturë po tkurren, po tkurren edhe në kuptimin politik. Ka shumë polarizim, shtypje të zërave dhe opinionit, ka më pak hapësirë për pluralizëm, debate, shprehje dhe lëvizje të lira. Këto hapësira po zvogëlohen në kuptim konkret dhe shpesh edhe në atë fizik”, është shprehur Klingler duke thënë se hapësirat kulturore sot po rrënohen, shkatërrohen e sulmohen ndërsa mbështetjet po ndalen.
“Unë vij nga Gjermania ku partia ekstremiste e krahut të djathtë për herë të parë prej vitit 1932 fitoi zgjedhjet. Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë gjë. Dhe kur vij këtu, shoh një hapësirë që nuk ka pësuar zvogëlim, në fakt po zgjerohet, po rritet. Dhe menjëherë e pyes veten sesi mund të mësoj nga kjo. Çfarë po bën drejt Autostrada që plot njerëz po dështojnë ta bëjnë atë si duhet”, ka thënë ai më tej.
Në agjendën e ngjarjeve ka qenë edhe hapja e ekspozitës së 10-vjetorit ku janë prezantuar punët gjatë kësaj periudhe. Aty janë imazhet dhe shpjegimet për secilin edicion, përfshirë edhe ekspozimin e maketit të hapësirave të “Autostradës...” tash. Aktivitetet e së shtunës mbrëma janë mbyllur me sesion me muzikë elektronike nga Adrian Berisha, “B2B”, Erleta Kadrija dhe Agostino Quaranta”. Ndërsa programi në dy ditët në vijim po organizohet në formën e një samiti me organizatat partnere të “Autostradës...”.
Të dielën është inauguruar vepra artistike permantente e Neda Saeedit, janë zhvilluar punëtori, ndërsa ka pasur edhe performanca me muzikë elektronike. Janë zhvilluar edhe panelet e diskutimit me temat “Restore Culture” dhe “From mountain to mountain: exchanges on culture, food and living territories”.
Të hënën (sot) do të zhvillohet një punëtori në fushën e produksionit, do të shfaqet filmi “Mamma Perdonami” i artistes Genny Petrotta nga Italia, si dhe paneli i diskutimit me temë “Community collaboration in artistic production”.
Derisa “Autostrada Biennale” është zgjeruar sa i përket hapësirës në të cilën ushtron aktivitetin, punimet për edicionin e pestë të saj që do të kurohet nga Erzen Shkololli veçse kanë nisur. Eksploron një tjetër rrëfim nëpër veprat e artit bashkëkohor vitin e ardhshëm.