Teksa autoritarizmin dhe poltronizmin i identifikon si dukuri shkatërrimtare të demokracisë, Belul Beqaj me librin e tij ”Autoritarizmi dhe poltronizmi si rrënues të demokracisë” demaskon në përpjekje për vetëdijesim dhe ngreh alarmin për pasojat prej tyre
“Autoritarizmi dhe poltronizmi si rrënues të demokracisë” i politologut Belul Beqaj është studim kompleks për faktorët kryesorë që çojnë në këto dy dukuri dhe jo vetëm. Që në hyrje të librit, Beqaj qartëson se e para përkufizohet si imponim i vullnetit, ndërsa e dyta si përpjekje e kontrollimit të veprimeve dhe mënyrave të përjetimit të synimeve dhe ambicieve të njerëzve të tjerë. Thënë shkurt – të nënshtruarve.
Beqaj librin – i cili është përuruar të premten në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë – ia ka dedikuar vëllait të tij, pedagogut e krijuesit Faik Beqaj, i cili vdiq në moshën 43-vjeçare më 1994, e të cilit i ishte rrezikuar jeta nga binomi autoritar-poltronist. Me thënien e tij e ka hapur librin.
“Autoritarianët nuk lartësohen nga meritat personale, por nga poltronët e nënshtruar, që e mbështesin politikëbërjen e tillë vullnetarisht”, ka shkruar Beqaj. Ka vlerësuar se gjithë dukuritë negative sot në Kosovë vijnë pikërisht nga këto dy dukuri, të cilat rrezikojnë demokracinë e vendit.
“Ne jemi të vetëdijshëm se po ndodhin shumë procese negative, lufta kundër korrupsionit, dukuritë negative në drejtësi, çështja sesi të kalojë Gjykata Speciale, sesi u rrit numri i veteranëve të rrejshëm, çështja e demarkacionit, domethënë ne jemi marrë me manifestimet e diçkaje që nuk ka pasur një shkak, për çka unë mendoj se shkaku i gjithë këtyre dukurive që i përmenda, burimin e kanë pikërisht në binomin autoritar-poltrunist. Ky është shkaku i gjithë problemeve që po rrezikojnë demokracinë”, ka thënë Beqaj, i ka vlerësuar se sa më shumë poltronë të ketë, aq më shumë ka edhe autoritarë dhe anasjelltas.
Libri synon audiencën e studentëve dhe studiuesve të shkencave politike, por edhe publikun e gjerë kosovar dhe të interesuarit për arsyet që shpjegojnë fenomenet aktuale në Kosovë.
Edhe
Beqaj flet për shenjat e autoritarizmit të Qeverisë Kurti
Autori flet pa doreza, duke dëshmuar guximin e tij e vendosmërinë qytetare, me gjuhë të afërt e të kuptueshme për të gjithë, me shembuj konkretë jep shpjegime të qarta të mendimeve të tij.
Bekim Baliqi recensent i librit, ka thënë se në një rrafsh më pak filozofik e artistik, por pragmatik e publicistik, Beqaj e trajton këtë dukuri edhe në shoqërinë kosovare, duke u munduar që këtë binom ta pasqyrojë si fenomen të vazhduar të politikës në Kosovë.
“Si një lloj sjelljeje dhe veprimi devijues nga normalet apo si marrëdhënie sadomazohiste në politikë”, ka thënë ai. Libri, sipas tij, nuk është i kufizuar në kuadro politike e partiake, ideologji apo individë, në të flitet qartë me identitete e fakte, që kryesisht janë marrë publikimet e mediumeve.
Baliqi ka thënë autori nuk i lë lexuesit tërësisht të zhgënjyer nga kjo gjendje e rëndë dhe pothuajse e pashpresë, pasi, sipas tij, ai ofron pikëpamjet e tij për alternativë se si mund të dilet nga ky rreth vicioz.
“Kush është më mirë se vetë autori dëshmitar i këtyre sprovave, duke vazhduar të jetë vëzhgues mendjemprehtë, i paanshëm dhe i pakompromis i zhvillimeve politike në Kosovë gjatë dekadave të fundit”, ka thënë Baliqi, ligjërues i shkencave politike në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
Edhe
Kabashi-Ramaj: Kosova rrezikon rrëshqitjen drejt autokracisë
Profesori dhe hulumtuesi shkencor në lëmin e menaxhimit të hulumtimit dhe zhvillimit të kapaciteteve të projekteve ndërkombëtare, Edmond Hajrizi, ka thënë se “Autoritarizmi dhe poltronizmi si rrënues të demokracisë” e shtyn lexuesin të reflektojë e të shtrojë pyetje.
Në gjithsej 16 kapituj, secili nga ta trajton çështjen e autoritarizmit dhe poltronizmit nga këndvështrime dhe dimensione të ndryshme. “Sinonime” të këtyre dukurive, sipas autorit, janë akademikë, politikanë, gazetarë, udhëheqës të pozitave të ndryshme e pronarë biznesesh. Për këtë libër, Beqaj për dy vjet ka punuar në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, i cili jo vetëm i shkruar në mënyrë elektronike, mirëpo u rikthye në këto ambiente në formë fizike.
Drejtori i këtij institucioni, Munish Hyseni, ka thënë se ky është studimi i parë origjinal i këtij lloji.
“Ky libër pos tjerash ka për synim zbërthimin e shkaqeve dhe pasojave e këtyre dy fenomeneve shumë të dëmshme shoqërore”, ka thënë Hyseni, i cili këto dukuri i ka cilësuar si deformuese të politikës, pushtetit e të demokracisë, por edhe si ndikues i fuqishëm i nënshtrimit qytetar.
Edhe
Kriza institucionale po cenon të drejtat e qytetarëve, thotë Avokati i Popullit
Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka vlerësuar se autori ka prekur në mënyrë brilante mendimet dhe se qasjen në të kaluarën e përshkruan një realitet të viteve të tranzicionit në Kosovë, por që në anën tjetër definon kritikën si një anë të të mësuarit e jo si armiqësi.
“E lexova librin dy herë, por e kisha problem të nxjerr diçka të veçantë, pasi që çdo gjë kishte aq kuptim dhe gërshetonte mendime. Është interesante sesi në këtë libër sa gjen mendime filozofike, gjen psikologji, sociologji, moral, etikë, mbi të gjitha edukim e arsim. Në përmbledhje të gjithë kësaj sheh se libri është tipik karakter i Belul Beqajt”, ka thënë Gërxhaliu.