Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Beqaj flet për shenjat e autoritarizmit të Qeverisë Kurti

Politologu Belul Beqaj ka folur rreth librit të tij të quajtur “Autoritarizmi dhe poltronizmi si rrënues të demokracisë”.

Politologu Belul Beqaj ka folur rreth librit të tij të quajtur “Autoritarizmi dhe poltronizmi si rrënues të demokracisë”.

Ai në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se shkak i rrezikimit të demokracisë nuk është korrupsioni.

Sipas tij, shkaku i mirëfilltë qëndron në sinergjinë që e ka autoritarizmi dhe poltronizmi si i tillë.

Beqaj ka thënë se gjatë gjithë kohës është menduar që vetëm autoritarizmi është i rrezikshëm, duke shtuar se nuk ka autoritarizëm pa poltronizëm.

Ai ka folur edhe për shenjat e autoritarizmit te Qeveria Kurti. Ai ka thënë se janë bërë ndryshime në bllok në borde, pa vlerësuar performancën dhe pa respektuar rregulloren.

Sipas tij, kjo qeveri ka premtuar që do të qeverisë me duar të pastra, por puna e komisionit hetimor për energjinë tregoi se nuk është e gatshme të jetë bash transparente ashtu siç premtoi.

“Nuk është dashur të bëhet rezistencë për formimin e komisionit për energji. Mirë që u bënë dy komisione, por nuk është dashur të rezistojnë”, ka thënë ai. “Çështja e autoritarizmit është i lidhur me poltronizmin. Është shumë e vështirë të ndahen këto dyja. Kjo do të nxisë debate dhe nuk do të thotë që nuk mund të kritikohet kjo që po them unë. Libri ka 16 kaptina. Dukuritë e Prontos, veteranëve të luftës, Gjykatës Speciale janë manifestime te shkaku që e ka burimin te binomi autoritar poltronist”, ka thënë ai.

Beqaj ka thënë se sa më shumë që ka poltronë, ka më shumë që të ketë autoritarë dhe do të eliminohen ata që me dinjitet i nënshtrohen konkurrencës.

Sipas tij, rreziku nuk është se këta e shtrijnë pushtetin, por i eliminojnë të tjerët që janë më të mirë se këta.

Ai ka thënë se çështja e poltronëve dhe autoritareve në sistemin pluralist ndryshon prej sistemit monist.

“Për ndërrimin e pushteteve, populli e kuptoj se ka nevojë që të bëhet një ndryshim. Ndryshimi i madh ka të bëjë me largimin e krahut të luftës dhe atyre të të ashtuquajturës rezistencë paqësore. Por mbetet detyrë e imja se ndryshim i madh i pushteteve ka ndodh por ndryshimi është në kualitetin e politikbërjes. Populli që ka reaguar e ka dëshmuar vetën se nuk mund të vazhdojë me politikanët që e kanë sjellë Kosovën në këtë situatë”, ka thënë ai.

Beqaj ka përmendur rastin e Perusë së viteve 1990-ta nën udhëheqjen e Alberto Fujimorit.

“Në Peru që ishte në një kaos, paraqitet një kandidat aksidentalisht për president, një profesor universiteti, me prestigj dhe i pa implikuar në kaosin që po ndodhte. Ndodhi befasia. Ky që ishte autosajdar, Fujimori, bëhet president. Pushteti është një lloj opiumi. Çfarë ndodh, ai që ishte zotëri siç themi ne, në vitin e parë kapi prokurorinë, të dytin gjykatën, të tretin shërbimin sekret, të katërtin bëri koalicion me oligarkët, vitin e pestë me krimin e organizuar e të gjashtin me mediat. Për dy mandate ndodhi e njëjta gjë që kishte ndodhur me ata që e çuan shtetin në kaos e anarki”, tha Beqaj në Interaktiv. “’S’besoj se kjo do të ndodhë në Kosovë. Por, pyetët se çfarë mund të ndodhë”.

Artikuj të ngjashëm