Kulturë

Artisti konceptual Driton Selmani u rreket rrugëve të Kosovës

Para disa vitesh, artisti kosovar Driton Selmani e pa që vendi i tij gati gjithmonë po mungonte në harta: kur duhej porositur gjëra nga Amazon-i, për shembull, apo kur duhej blerë bileta në internet, shkruan sot Camilla Caraccio në Koha Ditore.

Ky fakt u bë frymëzim për veprën e tij pasuese “Tell me where I am from?” (2012) me të cilën ai u kërkonte miqve të tij ndërkombëtarë – nga Brazili, Qiproja, e nga Mbretëria e Bashkuar – ta vizatonin Kosovën pa shikuar në ndonjë hartë ekzistuese. Skicat që dolën ishin sa argëtuese aq edhe domethënëse, dhe kapnin natyrën transicionale të këtij shteti, i cili për një kohë të gjatë kontestohej e “tjetërsohej” në periferinë e Evropës. Vetë Selmani e përshkruan veprën e tij si “hartë pa hartë” – dhe ajo mbetet po aq aktuale sot sa ishte edhe para shtatë vjetësh.

Identiteti dhe kujtesa e konfliktit janë pjesë përbërëse e artit bashkëkohor të Kosovës, dhe Selmani këtu nuk bën përjashtim. 31-vjeçari u lind në Ferizaj, dhe kaloi nëpër periudha nga më të ndryshmet – siç ishte shembja e Jugosllavisë dhe dhuna e tmerrshme e cila shpërtheu në vitin 1998 ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe ushtrisë serbe, që çoi në bombardimin e Serbisë nga forcat e NATO-s dhe, dikur, edhe në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. (Shkrimin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore).