Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Hidden in the plain sight” për një skenë arti që do vëmendje

Të tilla botime, veçmas për artistë të gjeneratës së tij, janë të rralla jo vetëm në Kosovë. Por “Hidden in plain sight” e përkthyer si “E fshehur në fushë të hapur” mëton të mos jetë vetëm një adresë ku të tjerët mund të gjejnë rrugëtimin artistik të Driton Selmanit, mirëpo shkon më tej: është reagim mbi indiferencën ndaj skenës artistike kosovare në rrafshet ndërkombëtare

Fokusi në mesazhin dhe jo në përmbajtjen materiale të veprës, ndërlidhja e fuqishme midis publikes dhe artit, vija e hollë mes personales dhe politikës, revolta për ndarjet të “atyre” e “këtyre” në stadin ndërkombëtar dhe natyrshmëria e sensit të gati çdo vepre, janë kryetema e krijimeve të Driton Selmanit, të përmbledhura në botim me titullin simbolik “Hidden in plain sight”.

Me frymëzime nga viti 2008 e deri te 2020, vepra e cila iu promovua publikut mbrëmjen e së martës në “Kino Armata” të Prishtinës, në 200 faqe, vjen si një lloj ekspozite në libër e krijimtarisë së artistit të artit pamor bashkëkohor.

E përkthyer si “E fshehur në fushë të hapur”, vepra mëton të mos jetë vetëm një adresë ku të tjerët mund të gjejnë rrugëtimin e Selmanit, mirëpo shkon më tej, si reagim mbi indiferencën ndaj skenës artistike kosovare në rrafshet ndërkombëtare.

Redaktuar nga Lora Sariaslan e me shkrime edhe të autoreve Linda Gusia, Nita Luci dhe Hana Ostan Ožbolt, kjo vepër nuk mbetet në shinat e të qenit diçka personale, mirëpo merr me vete vrullin kolektiv dhe nevojën e promovimit në rrafsh të huaj të veprave të artistëve të dëshmuar vendorë, duke qenë gjithmonë të revoltuar për kufizimet lokale e politike karshi pakufizueshmërisë së krijimit artistik.

E gjitha kjo shprehet nëpërmjet vizatimeve, skicave, instalacioneve, së bashku me dokumentimin e detajuar të ekspozitave të tij, në kapitujt “Bisedë me Driton Selmanin”, “Index”, një CV të veprimtarisë artistike të Selmanit, “Biografia e vetes dhe gjërave” e shkruar nga Nita Luci dhe Linda Gusia, si dhe “Vendet që lëmë pas” nga Hana Ostan Ožbolt.

Edhe “How To Tilt Time?” si pyetje me porosi reflektimi e paqeje Kulturë “How To Tilt Time?” si pyetje me porosi reflektimi e paqeje

Në secilën prej tyre bëhet një përshkrim i gjatë i veprave të artistit – të cilat kanë shëtitur në Danimarkë, Austri, Itali, Gjermani e në vende të tjera – për të nxjerrë në dritë përmes fjalëve frymëzimet e tij.

Esenca e të qenit artist në Kosovë

“Çka për pjesën ekzistenciale e të qenit artist në Kosovë?”, është pyetja e parë e cila shtrohet nga redaktorja me banim në Amsterdam, e cila ka qenë kuratore në Muzeun e Arteve Moderne në Stamboll, asistente – kuratore në Muzeun e Artit në Dallas dhe pjesë e shumë ekspozitave të tjera.

Përgjigjja në këtë pyetje duke qenë pjesë e një shteti ku krijimi nuk merr sa duhet vëmendje institucionale as në rrafshin lokal e as nuk njihet në atë ndërkombëtar, vjen natyrshëm, duke shpërfaqur mirë kushtet e vështira: “Kur nuk shoh asgjë, më duhet të imagjinoj diçka”, është “arma” e Selmanit.

E biseda me Driton Selmanin – e paraparë të zhvillohej fizikisht – u bë e shkruar përmes metodës së filozofit francez Gilles Deleuze, “Abededaire”, e cila i ka fillet që nga 1988-a. Në 38 shkronja, mes gërshetimeve të alfabetit të gjuhës shqipe e asaj angleze u shpalosën këndvështrimet për çdo fjalë që ndizte “dritën jeshile” në mendjen e Selmanit. “Amerika”, “Balanca”, “Censura”, “Çatia”, “Dhimbja”, “Ëndrrat”, “Graviteti”, “Karma” e “Metafora” ishin disa prej tyre.

Në pamundësi të pjesëmarrjes fizike në promovimin e librit për shkak të COVID-19, redaktorja Lora Sariaslan dhe autorja Hana Ostan Ožbolt u paraqitën përmes një lidhjeje direkte, teksa krah Selmanit fizikisht ishin Nita Luci dhe Linda Gusia.

Sipas redaktores Lora Sariaslan, krijimtaria e tij, e cila në këtë vepër erdhi mes retrospektives dhe aktuales, fokusohet te “kufijtë dhe rendi”.

“Ka qenë sfiduese, por kjo vepër u bë realitet. Në fund të ditës kjo monografi nuk është e vlefshme apo interesante për lexuesin sa është vetë artisti”, ka thënë ajo gjatë diskutimit.

Veprat e njohura të ciklit “Love Letters”, të cilat zanafillën e kanë prej vitit 2018, përtej të qenit “art në qese” janë “të ylberta” për Sariaslan.

“Vepra vjen nga konteksti personal dhe lokal, por teksti i saj është i varur në prezantim ndërkombëtar. Instalacionet dhe materialet e saj janë zemra e krijimeve artistike”, ka thënë.

Për titullin simbolik “Hidden in plain sight” ajo thotë se është munduar ta ndërlidhë me temën e veprave dhe kontekstin lokal.

“Kam menduar se duhet të jetë diçka e ndërlikuar, të krijojë pikëçuditje dhe të tregojë pozicionin e Kosovës”, ka përfunduar Sariaslan.

Image
Me frymëzime nga viti 2008 e deri te 2020, “Hidden in plain sight” në 200 faqe vjen si një lloj ekspozite në libër e dekodim i krijimtarisë së artistit të artit pamor bashkëkohor Driton Selmani (Foto: Kino Armata)

Dekodimi i pasurisë së artit bashkëkohor

Protagonisti i kësaj vepre, Driton Selmani, ka thënë për KOHËN se përtej pjesës artistike të tij është edhe përmbledhja e shkrimeve analitike, këndvështrimeve, interpretimeve antropologjike e sociale.

“Pika e përbashkët e këtyre shkrimeve janë artisti dhe punët e tij, tendenca e katër autoreve për të lexuar, dekoduar dhe shpalosur e hequr pluhurin pasurisë së artit bashkëkohor”, ka thënë ai, duke shtuar se për këtë pjesë me modesti e përjashton veten.

E kur ky libër kalon në biblioteka, librari e shtëpi, për të kjo bëhet një “pasqyrë serioze e artistëve”.

“Unë shpesh tentoj të mos dukem shumë në sipërfaqe”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se vjen nga një vend që “nuk duket në hartat gjeopolitike dhe nga një skenë e artit që shpesh neglizhohet”.

Sipas tij, komuniteti kalon edhe nëpër stigmatizime e stereotipizime deri edhe në racizëm.

“Shpesh jemi të fshehur edhe në fushë të hapur. ‘Hidden in plain sight’ nuk jam unë, por një skenë e tërë e artit që do më shumë fokus”, ka thënë Selmani.

Edhe Driton Selmani në zbërthim urgjencash të së tashmes aterron në Vjenë Shtojca për Kulturë Driton Selmani në zbërthim urgjencash të së tashmes aterron në Vjenë

Ka shtuar se artistët dhe sportistët shpesh hapin dyer në qarqe politike e sociale sesa vetë politikanët.

“Ne kemi bërë një përzgjedhje të veprave, që sipas nesh kanë prodhuar diskurs dhe trashëgimi në diskutime rreth rolit të artistit dhe artit bashkëkohor, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet ku janë prezantuar si të tilla”, ka thënë ai duke shtuar se kurrë nuk ka qenë ithtar i një botimi të tillë, por që e çmon bashkëpunimin me emra eminentë.

Ekspozita “Places we leave behind” u “rikthye” në vepër përmes analizës së autores Hana Ostan Ožbolt, e cila ka qenë edhe kuratore kur u hap në “Asociacionin e Shkrimtarëve Sllovenë”. Gjatë diskutimit ajo përmendi njohjen e parë me Selmanin dhe shpalosi këndvështrimet e saj për artin bashkëkohor të tij.

“Me Dritonin kam qasje më personale, sepse ne bashkë me Loran jemi të lidhur shumë”, ka thënë ajo, duke e ngritur një rrafsh më emocional të promovimit.

Përvojën e saj të para katër vjetëve, drejtoresha e “Ulay Foundation” e ka vlerësuar si të mrekullueshme.

“Për mua ka qenë interesante ta bëj bashkë punën e dikujt që vjen nga shteti më i ri në Evropë”, ka vlerësuar ajo.

Hana Ostan Ožbolt ka thënë se ka qenë e fascinuar nga puna e Selmanit dhe e mënyrës së integrimit të objekteve.

“Selmani nuk e bën të dukshme rrëmujën, por po shihet, vlerësohet, gjykohet se sa mirë ai performon nën vështrimin e saj”, shkruan ajo në libër.

Leximi i margjinave, përjashtimit dhe kufijve

Ndërkaq aspektin antropologjik dhe social të krijimeve të tij e sollën dy profesoreshat e Universitetit të Prishtinës, Nita Luci dhe Linda Gusia.

“Jemi të interesuar kohëve të fundit për teoritë që flasin për margjinën, përjashtimin e kufijtë”, ka thënë Luci për KOHËN, teksa ka shtuar se pikërisht këto kalojnë në veprat e tij. “Por më tepër ishim të interesuara për një histori të racializimit dhe pabarazive strukturore, ekonomike, që jo vetëm mbahen në mend, por se si ato mendohen prej gjeneratave të cilat jo domosdoshmërisht i kanë përjetuar”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur mënyrën se si materialet prej të cilave Selmani krijon nuk kanë rëndësi të madhe aq sa ka funksioni i ri të cilin ua jep.

“E kanë një lloj poetike që kemi menduar që është e rëndësishme ta vëmë në pah, sepse aspekti emocional e poetik mendojmë që është pjesë e çfarëdo politike”, ka thënë Luci.

Sipas saj, disa prej pyetjeve që shtrohen kanë të bëjnë me relacionin mes personales dhe politikes. “Edhe te puna e Dritonit e shohim këtë si prej qeseve të plastikës të cilat kalojnë prej njëfarë shkrimi prej gati letrave të dashurisë shndërrohen në përditshmëri dhe kalojnë në gjëra të tjera, qoftë të ndotjes, pabarazisë ekonomike, titulli i tekstit tonë është edhe biografi e sendeve”, ka thënë profesoresha në Departamentin e Antropologjisë.

Për Linda Gusinë, arti bashkëkohor përbëhet nga vija e hollë mes “banales dhe simbolikës që fshihet”, ndërkaq pjesa më e rëndësishme sipas saj është se “te puna e Dritonit shihet akti balancues”.

“Shumë prej punëve të Dritonit janë publike, intervenime, objekte të përditshme dhe duken si të zakonshme, për shembull mesazhet në qeset e plastikës”, ka thënë Gusia, duke shtuar se ai punon me materiale që i ka në duar gjithsecili. Nga krijimtaria e tij, sipas saj, mund të lexohet shumëçka.

“Mendoj që ajo intimja, e zakonshmja, e bën të veçantë Dritonin”, ka përfunduar ajo.

“Hidden in plain sight” nuk kaloi pa u mbështetur edhe nga drejtuesit e institucioneve kulturore. Këshilltari politik në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liburn Jupolli, ka thënë për KOHËN se Driton Selmani përmes veprave ka sjellë fakte që ndërlidhen me aspekte politike.

Edhe Driton Selmani me “Screenshots of Now” vë në dyshim nocionin e së tashmes Shtojca për Kulturë Driton Selmani me “Screenshots of Now” vë në dyshim nocionin e së tashmes

“Mendoj që është artist shumë i veçantë edhe se si i trajton konceptet edhe për formën se si i realizon”, ka thënë Jupolli, duke shtuar se ato bëjnë “bujë sociale”.

Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, përkrahjen e botimit të kësaj vepre e vlerësoi si “projekt out of the box”, duke u ndërlidhur me promovimin e saj në “Manifesta”, bienalen nomade të artit që në mot vjen në Prishtinë.