Në kodrat e fshatit Butovc të Prishtinës, Driton Selmani me “Nobody Saw This Coming” të dielën sjell ndërhyrje të papritur: një dru i vetëm palme, i vendosur në tokat e “On Top Residency”, që me hijen e vet lëvizëse krijon një rreth të zi. “’Nobody Saw This Coming’ është një trup i huaj në gjykim shkencor, një farë që e sfidon dheun që e mban, një ekzistencë që duket e papranueshme për vetë tokën atje lart”, ka thënë ai.
Në botën e artistit bashkëkohor Driton Selmani, realiteti nuk është i pandryshueshëm, përthyhet, vihet në dyshim dhe shpesh shndërrohet në metaforë. Atij i mjafton një objekt i zakonshëm për ta kthyer në deklaratë dhe një hapësirë e thjeshtë është boll që ai ta shndërrojë në terren pyetjesh.
Këtë herë, në ekspozitën “Nobody Saw This Coming”, Selmani sjell një ndërhyrje të papritur: një dru i vetëm palme, i vendosur në tokat e “On Top Residency”, që me hijen e vet lëvizëse krijon një rreth të zi, një “black circle” që sjell në mendje supermatizmin modernist, por të rrënjosur në një kontekst krejt tjetër.
Ekspozita, kuruar nga artisti Fatmir Mustafa-Karllo dhe e organizuar nga “Instituti Epifani”, do të hapet të dielën e 26 tetorit. Në thelb, ajo është një reflektim mbi qëndrimin e artit në një vend ku shpesh perceptohet si i huaj, një vepër që “nuk përket”, por megjithatë qëndron, si një trup i vendosur mbi një tokë që e refuzon, por që megjithatë e mban.
Në hapësirën ku do të prezantohet ekspozita, në verën e 2022-tës, në kuadër të projektit “NSK Territory Prishtina”, artisti Fatmir Mustafa-Karllo dhe kolektivi slloven IRWIN patën ngritur flamurin e NSK-së (Neue Slovenische Kunst – Arti i Ri Slloven) dhe hapësira e kufizuar në një prej kodrave të fshatit Butovc të Prishtinës simbolikisht qe shpallur shtet i pavarur. Pat qenë i tillë për tre muaj.
Sipas Selmanit, frymëzimi për këtë projekt lidhet ngushtë me vetë natyrën e hapësirës.
“Ftesa për bashkëpunim erdhi nga ‘On Top’. Vetë manifesti i kësaj hapësire më tërhoqi: një reagim i gjallë ndaj humbjes së habitatit, i kthyer në platformë reflektimi dhe qëndrese. ‘On Top’ nuk është vetëm vend, por edhe vetëdije – një përpjekje për t’i rikthyer tokës kuptimin e saj origjinal, përtej ndërtimit dhe zhurmës. Një kurim idesh para se të fillojë gjithçka tjetër”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.
I njohur për qasjen e tij konceptuale dhe ironike, ai shpesh ndërhyn në hapësira publike për të testuar kufijtë midis ideve dhe formave. Ai përdor tekstin, simbolikën dhe absurditetin e përditshëm për të ndërtuar dialog me kohën, kujtesën dhe përkatësinë. Punët e tij shpesh nisin nga përvoja personale, por përfundojnë duke shtruar pyetje universale për mënyrën se si jetohet dhe se si kuptohet realiteti. E në këtë vepër, sipas tij, palma shfaqet si një trup që mbillet për ta testuar tokën ku qëndron.
“’Nobody Saw This Coming’ është një trup i huaj në gjykim shkencor, një farë që e sfidon dheun që e mban, një ekzistencë që duket e papranueshme për vetë tokën atje lart. Ajo nuk mbillet për dekor, por për të sfiduar vetë humusin. Është shenjë këmbënguljeje, një figurë që e mban hijen si dëshmi të kalimit të kohës, një kujtesë që nuk pranon të shuhet”, ka shpjeguar ai
Për Selmanin, “qëndrimi” është në vetvete akt rezistence. “Marrëveshje të padukshme” e ka quajtur ai kufirin mes të mundshmes dhe të pamundshmes, një vijë që është “e vendosur nga dikush tjetër”. Sipas tij, perceptimin nga rrëmbimi kolektiv e zhvesh vëzhgimi individual.
“Disa ide nuk duhen shkruar, ato duhen mbjellë, që koha t’i lexojë vetë”, ka shtuar ai, duke treguar se procesi i krijimit ka qenë një bashkëbisedim i gjatë me kuratorin.
“Kishte një ndjesi domosdoshmërie në këtë rrjedhë. Energjitë e kohës na shtyjnë të marrim pozicione që flasin për vetë momentin – për atë që shfaqet e që zhduket. Këtë herë, koha matet me hijen që lëviz ngadalë, në sinkron me një realitet që shpesh duket si një ‘glitch’, jo si një rrjedhë”, ka thënë Selmani.
Ekspozita “Nobody Saw This Coming” është pjesë e një vizioni më të gjerë të “On Top Residency”, që synon të krijojë një park skulpturor në të ardhmen, me qëllim të krijimit të një hapësire ku veprat nuk zhduken me të përfunduar një ekspozitë, por mbeten forma të përhershme të dialogut mes artit, tokës dhe komunitetit.