“Tell me where I am from?” (Më trego nga cili vend jam) ishte realizuar në kohën kur Driton Selmani jetonte në Angli. Ishte i frustruar nga fakti se Kosova nuk figuronte si vend në shumë hapësira, veçanërisht në ato virtuale. Vepra e tij, e ekspozuar në kryeqytetin e Estonisë, vazhdon të mbetet aktuale
“Harta e Evropës në të cilën Kosova figuron me ngjyrë të kaltër, pra si det, është akoma e freskët sot, ashtu siç ishte edhe në kohën kur është realizuar”, ka theksuar artisti Driton Selmani. Flet për veprën e tij “Tell me where I am from?” (Më trego nga cili vend jam) të vitit 2012. Vepra – e përbërë prej nëntë vizatimeve në letër dhe qëndisjes me gjilpërë në pëlhurë – është cilësuar si aktuale edhe në Estoni. Është pjesë e “Tallinn Print Triennia” që këtë vit ka ardhur me titullin “Warm. Checking Temperature in Three Acts” (Ngrohtë. Kontrollimi i temperaturave në tri akte). Edicioni i 18-të nisi më 22 janar dhe do të përfundojë më 27 mars të këtij viti. Bashkë me Selmanin në këtë ngjarje ekspozohen veprat e 26 artistëve të vendosura në shtatë lokacione të ndryshme në Tallinn.

Trienalja e kuruar nga Róna Kopeczky, sipas përshkrimit në komunikatën për media, fillimisht jep një pamje të politikave radikale, politikave kulturore dhe kthimeve sociale që kanë ndikuar në Evropën Qendrore dhe atë Lindore dhe po ashtu mbishkruan këto ndryshime në një perspektivë më globale nëpërmjet lentave të absurditetit universal.
“Projekti u jep zë artistëve bashkëkohorë që vijnë apo që veprojnë në Evropën Qendrore dhe atë Lindore që reflektojnë thellë dhe në mënyrë kritike në çështjet me rëndësi si rritja e politikës së krahut të djathtë, prioritetet e gabuara globale, kolapsi i demokracive, tkurrja e lirisë – si në jetë ashtu edhe në art – dhe ndjenja e përgjithshme e frikës dhe e armiqësisë së kushtëzuar që mbizotëron sot”, është shkruar në komunikatën për media.

Po aty shkruhet se titulli reflekton mbi mekanizmat nëpërmjet të cilëve nocionet pozitive zhvendosen dhe rrëshqasin drejt një interpretimi më negativ në varësi të konteksteve ose situatave të reja në të cilat përdoren.
“Më saktë, sesi kuptimi origjinal e pozitiv i fjalës ‘ngrohtë’ – një ndjenë e këndshme, ndjenja e një temperature mjaft të lartë ose të rehatshme, një ndjenjë që tregon entuziazëm, dashuri ose mirësi – është bërë një shenjë paralajmëruese e trazirave politike, acarimit shoqëror, simptomave të ndryshimit klimatik dhe pandemisë globale, dhe për këtë arsye edhe një sinjal i paqëndrueshmërisë globale në aspektin natyror dhe social.
“Në përputhje me këtë zhvendosje mashtruese të kuptimit, ‘ngrohtë’ synon të jetë një reflektim bashkëkohor mbi gjendjen thellësisht absurde globale dhe mbi disonancat e gjendjes njerëzore”, vijon tutje shkrimi. Duke ftuar artistë nga skena e artit bashkëkohor që të paraqesin vepra të reja, por edhe të mëhershme, sipas përshkrimit, ekspozita shtrihet në tri cikle: “The Nation Loves It” (Kombi e do këtë), Pickle Politics (Politikat e pakëndshme) dhe “The Science of Freedom” (Shkenca e lirisë).

Selmani ka treguar se vepra “Tell me where I am from?” është realizuar në kohën kur ai jetoi në Angli.
“Isha i frustruar nga fakti që vendi im ishte çdo herë i lënë anash, kur dëshiroja që të porositja gjëra në ‘Amazon’ apo të rezervoja një biletë aeroplani, prandaj i pyeta disa kolegë të studimeve dhe artistë që ta vizatonin se ku ishte Kosova pa shikuar më parë në hartë”, ka thënë ai. Seria e tyre e vizatimeve ishte qëndisur më pas në hartën e punuar nga nëna e artistit.
Edicioni i parë i “Tallinn Print Triennial” u mbajt në vitin 1968, atëherë me emrin “Present Day and Graphic Form”, ku morën pjesë Estonia, Letonia dhe Lituania. Ishte menduar fillimisht si bienale, por praktika e punës kishte bërë që ajo të kthehej në trienale. Që atëherë e deri më sot e rëndësishme mbetet që të përfshihen veprat e artistëve së paku nga tri vende të Baltikut.
Selmani ka përfunduar studimet master në artet bashkëkohore në “The Arts University Bournemouth” të Anglisë. Hulumtimi i tij artistik përshkruhet si një “nismë” eksperimentale e vazhdueshme, dhe ka një lidhje të ngushtë me kompleksitetin e ndodhur në identitetin e tij kulturor. Ai përdor një gamë të gjerë të burimeve personale, historike, sociale dhe politike, për të ndërtuar hapësira të reja të “dyshimit” si mjet për të shpalosur një gjuhë të ndjeshme dhe të drejtpërdrejtë.