(Jerusalem Post) – Arkeologët në Londër prezantuan një nga koleksionet më të mëdha të afreskeve romake të zbuluara ndonjëherë në kryeqytetin britanik, duke zbardhur vepra arti që kishin qëndruar të fshehura për më shumë se 1800 vjet. Ekipi i ekspertëve rindërtoi me përpikëri mijëra fragmente suvaje, duke zbuluar zbukurime madhështore që dikur stolisnin një vilë luksoze romake në Southwark. Zbulimi dëshmon për sofistikimin artistik dhe shkëlqimin e Londiniumit antik.
Një përpjekje arkeologjike e udhëhequr nga Muzeu i Arkeologjisë në Londrës (MOLA) rikonstruktoi këto afreske.
“Kjo është një nga grumbullimet më të mëdha – nëse jo më e madhja – e suvave dhe pikturave murale romake që kemi gjetur ndonjëherë në Londrën romake”, ka thënë Han Li, specialist i materialeve ndërtimore në MOLA.
Vila daton nga shekulli I ose II, e ndërtuar menjëherë pas themelimit të Londrës nga romakët në vitin 43, gjatë një periudhe zhvillimi të shpejtë të qytetit të ri. Ekspertët besojnë se ndërtesa madhështore mund të ketë qenë rezidencë e një familjeje të pasur ose një lloj hoteli për udhëtarë të pasur, duke reflektuar pasurinë e zonës. Ekipi i MOLA-s e përshkroi vendndodhjen si “Beverly Hills i Londrës romake”, duke theksuar statusin e saj si një periferi e pasur në zhvillim të shpejtë në periudhën e hershme romake.
Rikonstruktimi zbuloi piktura murale të detajuara që përshkruanin instrumente muzikore, zogj, lule dhe detaje të pikturuara me kujdes. Këto dizajne ishin të destinuara për të pasqyruar statusin dhe shijen e rafinuar të pronarëve të ndërtesës. Më shumë se 120 kuti me copëza të pikturuara, arkeologët zbuluan atë që duket të jetë shembulli i parë i njohur i një ndërmarrjeje piktorësh në Britaninë romake. Fjala latine “fecit”, që do të thotë “ai ose ajo e bëri këtë”, u identifikua në një fragment, duke ofruar një lidhje të prekshme me një nga artistët pas afreskut.
Han Li shpjegoi sfidat e procesit të rikonstruktimit.
“Duhet të jesh shumë i kujdesshëm, sepse mund t’i bashkosh copëzat vetëm disa herë para se suvaja të dëmtohet dhe të fillojë të zhvishet”, ka thënë Li. “Kështu që duhet të jesh pothuajse i sigurt para se të bashkosh copëzat se kjo është ajo që përputhet me tjetrën”. Detyra u komplikua nga brishtësia e pjesëve të vjetra, shumë prej të cilave rrezikonin të shpërbëheshin në pluhur. Copëzat nga mure të ndryshme ishin përzier gjatë shembjes së ndërtesës, duke e bërë rikonstruktimin të ngjashëm me zgjidhjen e një “puzzle” shumë të vështirë.
Fragmentet u zbuluan në vitin 2021 në një pronë në zhvillim, “Liberty” në Southwark, një zonë prej 20 mijë metra katrorë që në të ardhmen do të përfshijë banesa, restorante, dyqane dhe zyra. Zona ka dhënë edhe zbulime të tjera, përfshirë mozaikë të ndërlikuar dhe një mauzole të rrallë romak, duke ndihmuar në kuptimin e historisë romake të Londrës.
Afresket zbuluan dy veçori që nuk ishin identifikuar më parë në Britani: një mbishkrim në alfabetin grek dhe një fragment që përmbante gjurmë të ndërmarrjes së artistit. Ekipi ende shpreson të gjejë pjesën që mungon, e cila do të zbulonte emrin e artistit.
“Ka dëshmi për atë se kush ishin artistët, por identitetet e tyre të sakta do të mbeten një mister derisa të gjendet pjesa që mungon me emrat e tyre”, ka thënë Li.
Ndikimet artistike të dukshme në afreske shtrihen përtej Britanisë, duke marrë frymëzim nga dekorimet murale të gjetura në pjesë të tjera të Perandorisë Romake, veçanërisht nga Lioni në Francë dhe Kölni në Gjermani. Shkencëtarët po i krahasojnë afresket me të tjera të zbuluara në Britani dhe Evropë për të parë nëse të njëjtët artistë mund të kenë punuar edhe diku tjetër.
“Për shkak të grumbullit të madh dhe tërësisë së suvave tona murale, tani mund të bëjmë shumë më tepër në nivel ndërkombëtar”, ka thënë Li.
Zona ku u gjet vila u përshkrua nga Andrew Henderson-Scharf nga MOLA si një lagje e gjallë dhe e pasur në fazat e hershme të periudhës romake.
“Në njëfarë kuptimi, ishte realisht një periferi për më të pasurit – si Beverly Hills i Londrës romake”, ka thënë Henderson-Scharf.