The Artnews – Në dhomën e përpunimit të Policisë Metropolitane të Londrës (MET) nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për të vendosur të gjitha objektet e konfiskuara. Kutitë futeshin dhe nxirreshin me kujdes nga ekspertët, një e nga një, duke zbuluar statuja, fragmente, afreske, parzmore dhe të tjera. MET kishte thirrur një ekip global specialistësh për t’i renditur dhe identifikuar ato.
Dy ditë hulumtim, analiza forenzike, fotografi të skenës së krimit dhe një vlerësim arkeologjik paraprak rezultuan në regjistrimin e 323 eksponateve nga Heritage Crime Task Force (HCTF), (Task-forca për Krimet në Trashëgimi) e krijuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
MET për herë të parë mësoi për këto objekte gjatë verës, kur hetuesja Sophie Hays nga Njësia e Artit dhe Antikiteteve mori një telefonatë nga një individ që ofronte t’i dorëzonte artefaktet që kishte në posedim, disa prej të cilave i kishte ruajtur për më shumë se një dekadë. Edhe për një detektive me përvojë, skena që pa ishte befasuese: objekte të panumërta të shpërndara në rafte, kuti dhe madje edhe qese plastike. Oficerët nuk dhanë detaje të mëtejshme se si individi, i cili nuk është i arrestuar, kishte përfunduar me kaq shumë artefakte; ata theksuan vetëm se synojnë të inkurajojnë njerëzit të dorëzojnë pronën kulturore të vjedhur që ajo të mund të kthehet te pronarët e ligjshëm.
Njësia e Hays është një nga më të vjetrat në MET, e formuar në vitin 1969 për të luftuar grabitjet e dhunshme që synonin koleksionistë të pullave me vlerë të lartë. Ndërsa Londra u shndërrua në tregun e dytë më të madh të artit në botë – me vlerë mbi 10 miliardë dollarë dhe 18% të tregut global – fokusi i njësisë u zhvendos te rrjetet kriminale që shfrytëzojnë dobësitë, thotë udhëheqësi i detektivëve Mark Hoddinott, drejtues i njësisë. Sot, njësia përbëhet nga dy detektivë me kohë të plotë nën drejtimin e Hoddinott.
Përballë një sasie të madhe të mundshme antikitetesh, ekipi konkludoi se vlerësimi i origjinës dhe autenticitetit kërkonte ekspertizë të gjerë të specializuar. Për të mos larguar detektivët nga hetimet e tjera, ata thirrën HCTF të OSBE-së, organizata më e madhe rajonale e sigurisë me 57 shtete anëtare, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Hays thotë se HCTF u tregua shumë e shpejtë. Deri në nëntor, kur objektet iu dorëzuan zyrtarisht MET-it, specialistët e HCTF ishin pranë tyre për të asistuar. “Kjo pjesë është vërtet fillimi, ka shumë për të bërë”, thotë Hays. “Pjesa më e vështirë vjen pas”.
“Çfarë po ndodh tani është një hetim i përbashkët me qëllim riatdhesimin”, thotë Walter, duke shtuar se ekspertë të tjerë do të përfshihen muajt e ardhshëm për të gjurmuar origjinën e objekteve duke përdorur metodat standarde të forenzikës së trashëgimisë kulturore, përfshirë ekzaminimin e shenjave të veglave, si dhe analiza të tokës, florës dhe faunës.
HCTF nisi si projekt-pilot në vitin 2016, thotë Walter, me qëllim që organet e rendit dhe institucionet e trashëgimisë të kuptonin përmasat e trafikimit me pronë kulturore dhe “thjesht t’i sillnin këto agjenci të flisnin me njëra-tjetrën”. Suksesi i tij çoi në shndërrimin në program zyrtar të OSBE-së në vitin 2021, tani me 80 oficerë nga 46 vende dhe organizata. I krijuar për të ndihmuar shtetet pjesëmarrëse që të forcojnë aftësinë e tyre për të luftuar trafikimin e artit dhe antikitetëve dhe lidhjet e tij me krimin e organizuar, terrorizmin dhe pastrimin e parave, anëtarët kanë sekuestruar mbi 3 mijë 400 eksponate me vlerë mbi 150 milionë eurosh gjatë tre vjetëve të fundit. “Kërkesat për asistencë po rriten”, thotë Walter.
Përveç punës së ndërhyrjes së shpejtë, si rasti i Londrës, Task-forca fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve rajonale, duke trajnuar grupe të ndryshme, nga policia dhe personeli ushtarak deri te prokurorët dhe profesionistët e trashëgimisë.
Agjenti Special David Keller nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (HSI), anëtar i Task-forcës që prej fillimit të saj, thotë se trajnimi është thelbësor dhe ka kontribuar drejtpërdrejt në shpëtimin e pronës kulturore.
Në shkurt 2023, Keller udhëhoqi trajnimin e HCTF në Bullgari mbi partneritetet ndërkufitare të inteligjencës për kundër-trafikimin e artit dhe antikiteteve, ku morën pjesë edhe oficerë të vijës së parë nga Ukraina. Vetëm disa muaj më vonë, Shërbimi Kufitar i Shtetit të Ukrainës ndaloi një tentativë për të kontrabanduar 18 vepra arti, një sukses që ia atribuoi trajnimit.
SHBA-ja është tregu më i madh i artit në botë dhe luftimi i trafikimit të paligjshëm të veprave të artit dhe antikiteteve dhe kthimi i objekteve të vjedhura mbetet shqetësim madhor. Është bërë “një obsesion” për Keller që nga viti 2010, thotë ai. Tani si një nga ekspertët kryesorë të trashëgimisë kulturore në HSI, ai thotë se grupi global i specialistëve të HCTF ka ndihmuar ndjeshëm në shpejtësinë dhe cilësinë e hetimeve.
Në vitin 2024, një rast në Kaliforni që përfshinte një kultivues marihuane çoi në zbulimin e rreth një mijë veprave të artit, antikitetesh dhe objektesh kulturore në posedimin e tij. Keller u përball me detyrën e vështirë të identifikimit të tyre.
“Piktura e parë që hapa ishte një skicë nga Egon Schiele”, thotë ai. Brenda dy ditësh, ekspertë të HCTF nga e gjithë bota ishin online duke ndihmuar në identifikimin e artefakteve romake dhe egjiptiane, veprave nga Gustav Klimt, Andy Warhol e të tjerë.
“Kishim ndoshta 40 ose 50 persona online”, thotë Keller. Ndërsa skica e Schieles u konfirmua shpejt si blerje e ligjshme, probleme të prejardhjes dolën në pah me objekte të tjera.
Vernon Rapley, kryetar i Komitetit Ndërkombëtar të ICOM për Sigurinë e Muzeve dhe ish-drejtues i Njësisë së Artit dhe Antikiteteve të MET, është një tjetër trajner. Ai fokusohet në ndarjen e informacionit, një fushë ku, siç thotë, si organet e rendit ashtu edhe profesionistët e trashëgimisë shpesh hasin vështirësi. Ai thekson rëndësinë e qarkullimit të shpejtë dhe të hapur të të dhënave për objektet e vjedhura.
“Mund të duket tepër e qartë, por në fakt nuk bëhet shpesh”, thotë ai. Muzetë dhe lokalitet e trashëgimisë, sidomos në zonat e konfliktit, shpesh janë “të turpshme” për të raportuar vjedhjet, nga frika e dëmtimit të reputacionit ose ekspozimit të dobësive. “Disa nuk kanë zgjidhje, si ‘Louvre’, dhe shikoni çfarë ndodh: media e mbulon ngjarjen dhe në thelb i thotë botës se Louvre është i pambrojtur dhe i lehtë për t’u vjedhur”, thotë ai. Megjithatë, qarkullimi i hapur rrit shanset e rikuperimit.