Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ansambli evropian në pritje të kompozitorëve ballkanikë

Prishtinë, 23 tetor – Kompozitorë të gjashtë shteteve ballkanike – Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – do të kenë mundësinë që të bëhen pjesë e një bashkëpunimi ndërkombëtar nëpërmjet veprave të tyre. Festivali DAM dhe ansambli “Oerknal” nga Holanda prej sot (e martë) hapin thirrjen për “Konkursin Ballkanik të Kompozitorëve në Prishtinë”

Konkursi i krijuar nga Dardan Selimaj, themelues dhe udhëheqës artistik i festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM Fest” dhe Rreze Kryeziu-Breznica, drejtoreshë ekzekutive e këtij festivali, ka për qëllim krijimin e një platforme bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga gjashtë vende të Ballkanit me një ansambël evropian të muzikës së re.

Sipas njoftimit, me udhëzime nga dirigjenti dhe kompozitori amerikan Gregory Charette, ky program do t’ju mundësojë kompozitorëve të përzgjedhur të punojnë direkt me instrumentistë nga “Oerknal” përgjatë një jave me punëtori dhe prova të cilat do të organizohen në Prishtinë.

“Kompozitorët e përzgjedhur duhet të shkruajnë një vepër prej 6 deri në 10 minuta për ansambël me këtë formacion: flaut, klarinetë, piano, perkusione, dy violina, violë dhe violonçel. Kompozitorët janë të lirë të shkruajnë për ansambël më të vogël, derisa vepra është e shkruar për të paktën 5 instrumentistë të përfshirë në listën e vënë në dispozicion”, shkruhet në njoftim.

Muzikologia, Rreze Kryeziu-Breznica, për konkursin që do të jetë i hapur deri më 10 janar të vitit që vjen, ka thënë se nuk është organizimi i parë që si “DAM Fest” e bëjnë në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare. Sipas saj, “DAM” gjithmonë e ka pasur mision bashkëpunimin kulturor (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).