Amfiteatri i Durrësit, monumenti 2700-vjeçar, më i madhi që romakët ndërtuan jashtë Romës, do të vazhdojë të zbulohet më tej si një zemër e hapur e Durrësit antik dhe modern, falë projektit për rivitalizimin e tij, besuar arkitektit të mirënjohur Stefano Boeri, kanë raportuar të premten mbrëma mediat shqiptare.
Ky projekt tejet i rëndësishëm me ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm dhe ekonomi, është fryt i bashkëpunimit midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Bashkisë së Durrësit për hartimin e një vizioni të ri për Durrësin si qytet me potencial të jashtëzakonshëm zhvillimor.
Projekti është prezantuar të premten mbrëma në mjediset e Amfiteatrit, nga arkitekti Stefano Boeri me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministres së Kulturës, Elva Margariti, kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, dhe qytetarëve durrsakë.
Kryeministri Edi Rama – i cili është në fushatë intensive zgjedhore për zgjedhjet për kryetarë bashkie të së dielës – në fjalën e tij gjatë ceremonisë së prezantimit të projektit, citohet të ketë thënë se Amfiteatri madhështor do të vazhdojë të zbulohet duke shfaqur “një përmasë monumentale të historisë mijëravjeçare të qytetit, ku do të vazhdohet të ndërtohet me vizion, ambicie, aftësi e përkushtim një motor i fuqishëm ekonomik për ‘Shqipërinë 2030’”. Projektin e ka cilësuar si sfidues e kompleks.
“Është një projekt i cili vetvetiu është afatgjatë, jo vetëm për arsye financiare, por edhe për arsye të ngadalësisë që imponon ecja ‘si mbi vezë’, për shkak të kësaj pasurie që është ende e mbuluar dhe duhet zbuluar me kujdes, ashtu sikundër edhe për shkak të domosdoshmërisë së qasjes së butë dhe me përfitim dhe jo me humbje për banorët dhe të zotët e godinës që rrethojnë amfiteatrin”, citohet të ketë thënë kryeministri Rama. Sipas tij, një projekt si ky garanton vazhdimin e punës së nisur disa vjet më parë me zbulimin e një pjesë të kësaj pasurie kolosale, por shtrihet në vazhdim si një projekt i një gjenerate dhe përbën një pasqyrë të një ambicie të madhe.
“Sepse realisht ecuria e këtij projekti do të jetë një tjetër element shtysë për ekonominë, turizmin, artin e kulturën jo thjesht të qytetit të Durrësit, por në nivel kombëtar”, ka thënë ai, raporton Agjencia Telegrafike e Lajmeve. Sipas ATSH-së, Rama ka vënë në dukje se ajo që e bën Durrësin gjithmonë e më të rëndësishëm në hartën e zhvillimit të përgjithshëm të vendit është fakti se Durrësi, për shkak të pozicionit, potencialit e trashëgimisë, ka një peshë specifike që do të shkojë duke u rritur me impaktin kombëtar në të gjitha nivelet.
Edhe
Muzeu Arkeologjik i Durrësit rihapet në vjeshtë me mbi 2400 artefakte
“Prandaj investimet në Durrës nuk janë investime në një zonë të kufizuar apo nga një bashki, por janë investime që sjellin impakt shumë më të gjerë se sa vetë impakti në Bashkinë e Durrësit. Kjo i bën qytetarët e Durrësit përfituesit e drejtpërdrejtë të parë dhe kryesorë, por pa diskutim kjo sjell përfitim edhe për të tjerët që nuk janë qytetarë të Durrësit”, ka thënë Rama. Rama ka thënë se element tjetër është dimensioni i artit dhe kulturës.
“Kemi pasur shumë dëshirë të bëjmë më tepër për sportin. Kemi bërë aq sa kemi mundur, pasi pengesat kanë qenë të jashtëzakonshme e të befasishme dhe na kanë detyruar të bëjmë spostime të vëmendjes dhe fondeve. Vetëm tani na është dhënë mundësia të hedhim një hap të rëndësishëm për projektin e sportit. E njëjta gjë vlen dhe për artin dhe kulturën. Këtë vit kemi një financim që është më i larti i të gjitha viteve për kalendarin e artit e kulturës në vijën bregdetare dhe Durrësi zë vendin kryesor”, ka thënë Rama.
Kryeministri informoi se ky program është hartuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ajo e Kulturës, ku peshën kryesore e ka Agjencia Kombëtare e Turizmit. Sipas tij, ky është vetëm fillimi i një përpjekjeje që çdo vit do të rritet hapësira dhe pesha e aktiviteteve kulturore dhe artistike, duke u dhënë mundësi banorëve të qyteteve kryesore si fillim që të kenë qasje edhe më shumë, por duke e çuar edhe në pika periferike. Kryeministri po ashtu deklaroi se një skenë ultramoderne lëvizëse e operës do t’i sjellë premierat e operës edhe në sheshet e qyteteve të tjera të vendit. Kjo, sipas tij, për t’u dhënë mundësi shumë më tepër qytetarëve ta konsumojnë edhe këtë lloj produkti.