Kulturë

Albina dhe familja Kelmendi në “Eurovision”, fitore me polemika

Ka qenë viti 1971, kur “Family Four” përfaqësoi Suedinë në “Eurovision”. U rikthye aty edhe më 1972. Tridhjetë vjet më vonë, më 2002, grupi i famshëm “The Kelly Family” – i njohur për hitin “Fell in Love with an Alien”, ia mësyu ta përfaqësojë Gjermaninë. Nuk ia doli me “I wanna be loved” dhe më pas disa nga anëtarët e grupit akuzuan se u mashtruan.

Por gjysmëshekulli pas “Family Four” e dy dekada pas “The Kelly Family”, është Albina me familjen e saj Kelmendi që do ta përfaqësojë Shqipërinë në garën më të madhe evropiane të këngës. Kënga titullohet “Duje”, por jo të gjithë e kanë dashur këngën e saj. Së pari juria. Ka qenë vota e publikut që e ka çuar atje. Triumfi në mesin e 26 pjesëmarrësve, të enjten mbrëma në natën finale pas tri netëve gjysmëfinale, erdhi me votat e publikut nga Shqipëria e Kosova në edicionin e 61-të të Festivalit të Këngës” në Radio Televizionin Shqiptar. Kelmendi teksa mora çmimin, shprehu mirënjohjen e saj dhe premtoi përfaqësim në mënyrën më të mirë të mundshme.

Por në fakt kënga ngjalli jo pak polemika në mesin e komunitetit artistik, nëse kjo ka qenë kënga e duhur për përfaqësim të Shqipërisë në edicionin e 67-të të “Eurovisionit”, që do të mbahet në majin e vitit të vjen, në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar.

“Duje”, e cila erdhi nën një formacion të përfshirjes së të gjithë familjes Kelmendi, muzikalisht e si performancë skenike dha mesazhin e ruajtjes së familjes. Me tekst të Erjona Rushitit e kompozim të Enis Mullajt, kënga nis me zërin e fuqishëm të Albina Kelmendit, për të vazhduar me inkuadrim të zërave përcjellës. Nga mesi i këngës në skenë mbizotërojnë zërat e dy prindërve. Ka pak edhe dridhje zëri në frazat popullore.

Kjo ishte hera e parë në histori të Festivalit që vendimin s’e mori juria profesionale, por publiku. Se me sa vota ka triumfuar kënga e familjes Kelmendi nuk u bë me dije gjatë transmetimit. Ndërkaq Genc Salihu, Alma Bektashi, Zhani Ciko, Rita Petro, Elton Deda dhanë verdiktin e tyre për tri çmimet e para të festivalit.

Elsa Lila me këngën e dedikuar vajzës së saj “Evita” arriti që të marrë çmimin e parë. Nën emocione, këngëtarja që ka karrierë në skenë shumë vjet, ka thënë se e ka të vështirë të përmbledhë historinë që e rikthen pas në vite.

“Gjithë kjo falë jush, inspirimit tuaj, dashamirësisë së jurisë dhe një orkestre të mrekullueshme, falë një stafi të palodhur dhe vajzës sime që më dha kaq inspirim! Ju falënderoj nga zemra për emocionet që më keni dhënë gjatë Festivalit. Jam shumë e lumtur që ju e pëlqyet këngën, e perceptuar dhe jam e lumtur që edhe pse nuk kanë kaluar as dy ditë, ju e këndoni", u shpreh Elsa Lila, pasi u ngjit në skenën e madhe për të marrë çmimin.

“Duje” arriti të marrë çmimin e dytë të jurisë. Ndërkaq çmimi i tretë iu dha grupit “2 Farm” me këngën “Atomike”. “Dhuroni sa më shumë dashuri”, ishte mesazhi i tyre.

Nga të gjithë këngët garuese, 16 artistë kanë shkelur më herët në skenën prej së cilës del emri i përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision”, ndërkaq dhjetë nga artistët e bëjnë sefte.

Profesoresha universitare, Besa Luzha, ka thënë se “Duje” ka përmbajtje folkloristike, veçmas nga tradita muzikore e Kosovës. Sipas saj, ajo fillon me thirrje që vazhdon si këndim i Malësisë, i përpunuar në format të muzikës së popullarizuar.

“Shija e publikut që e votoi këtë këngë mund të mos përkojë me shijen e votuesve të ‘Eurovisionit’, kështu që mbetet të shihet si do të kalojë”, ka thënë Luzha. Sipas saj, kënga s’del jashtë normave të përfaqësimit të shteteve të ndryshme në “Eurovision”. Ka përmendur Greqinë, Ukrainën, Turqinë e Izraelin si disa prej shteteve që përfaqësohen me këngë të folklorit. Ndërkaq për mesazhin ka thënë se ndërlidhet me ruajtjen e dashurisë e familjes.

“Një palë e gjykon këtë mesazh si diçka tradicionale, patriarkale që po nxit gruan të pajtohet me fatin e saj dhe të sakrifikojë për të ruajtur familjen. Ky mesazh është i kundërt me atë që grupi tjetër promovon: kundërshtimi i pranimit të nënshtrimit për hir të familjes”, ka thënë Luzha, ndër të paktat që ka pranuar të flasë për këngën. Nja dhjetë muzikantë, instrumentistë e kompozitorë i ka kontaktuar KOHA të premten, por nuk kanë pranuar ta komentojnë këngën.

Luzha ka thënë se grupi që s’e ka përkrahur Kelmendin për këtë fitore, ka shije avangarde e progresive.

“Fakti që këndoi e tërë familja është më tepër simbolike, përforcim i mesazhit për rëndësinë e familjes. Ka aty pak edhe këndim harmonik që e mbush këngën, me ngjyra të ndryshme të zërave dhe në skenën e ‘Eurovisionit’ kemi parë paraqitje skenike me grupe, statiste”, ka thënë ajo, duke i konsideruar debatet si të mirëseardhura për shkak të shijeve të ndryshme. “Interpretimi i saj është i bukur, brenda zhanrit të këngës. Aranzhmani është po ashtu në rregull për llojin e këngës së përzgjedhur”, ka thënë Luzha.

Gazetarja Anta Muçaku pas ndarjes së çmimeve ka shpërndarë një video sekuencë të mbështetjes së Elsa Lilës ndaj Albina Kelmendit në “The Voice of Albania” vite më parë. Ka kritikuar Kelmendin që s’e ka falënderuar Lilën në skenën e RTSH-së.

“Po mos të qe për Elsa Lilën dikur, ndoshta Albina Kelmendin sot nuk do e njihte kush, ose ndoshta-ndoshta ajo gjithsesi do kishte shpërthyer me talentin e saj! Kushedi…”, ka shkruar ajo në rrjete sociale. “Nuk e di çfarë mund të ketë ndodhur mes tyre në prapaskenat e ‘The Voice’, por këto që Elsa Lila ka bërë e ka thënë për Albinën në skenë kur ajo ishte ende krejt e panjohur, janë shumë. E padyshim e kanë ndihmuar të hidhte hapat e parë dhe të sigurt drejt publikut”.

Një koment tjetër ka bërë aktivisti nga Shqipëria, Kristi Pinderi.

“Mendoj se kjo Albina mund të përfaqësojë të gjitha mejhanet në Kosovë a Shqipëri bashkë. Por Shqipëria e vërtetë ndihet e përfaqësuar nga Elsa”, ka shkruar Pinderi.

Shqipëria në “Eurovision” debutoi më 2004 me Anjeza Shahinin. Albina Kelmendi është e treta këngëtare nga Kosova që përfaqëson Shqipërinë në “Eurovision” pas Rona Nishliut me “Suus” dhe Linda Halimit me “World”. Sivjet fituese e Garës Evropiane të Këngës qe Ukraina me “Stefania” nga “Kalush Orchestra”.