Kulturë

“Ajo” e More Raçës me rrëfimin për dhunën në familje udhëton nëpër botë

Fundjavën e ka përmbyllur para publikut italian, kur u shfaq në “Alessandria Film Festival” që përfundoi të dielën, por filmi “Ajo” i More Raçës nuk ndalet. Janë 5 festivale brenda 3 muajsh në të cilat tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Ky film i shkurtër kosovar, që shpërfaq historinë e dhunës në familje të shoqëruar nga guximi i një vajze të re për të shpëtuar veten dhe nënën e saj, do të shfaqet e rishfaqet para audiencës amerikane, aziatike, gjermane e spanjolle, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ajo” do të jetë pjesë e festivalit të filmit të gruas “Beirut International Women Film Festival”, “Cascadia International Women Film Festival” , në festivalin gjerman të kategorisë A, “International Short Film Festival Oberhausen”, “Short Shorts Film Festival & Asia” dhe “San Sebastian Human Rights Festival”.

Festivali i filmit të gruas në Bejrut është organizim i përvitshëm që mëton ta promovojë një imazh pozitiv të grave dhe t’i vërë në pah përpjekjet e tyre për ndryshime shoqërore. Kryeqyteti i Libanit do të jetë nikoqir i edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Gruas me fillim nga dita e 22-të e prillit deri më 28, ku filmi kosovar “Ajo” është në mesin e 37 filmave të shkurtër të përzgjedhur për kategorinë ndërkombëtare.

Prej ditës së 5 prillit për shtatë ditë me radhë është përzgjedhur që të shfaqet në festivalin “San Sebastian Human Rights Film Festival”, që do të mbahet në qytetin bregdetar spanjoll San Sebastian. Festivali i Filmit të të Drejtave të Njeriut në San Sebastian është iniciativë e projektit “Hapësira për Projekt Kulturor të Paqes” dhe ka për qëllim të nxitë vetëdije më të lartë, debate dhe informacione për të drejtat e njeriut përmes kinemasë dhe shprehjeve artistike e kulturore dhe vlerave si: solidariteti, respekti për jetën, paqja, liria dhe drejtësia shoqërore.

Tjetri në radhë është festivali treditor i filmit të gruas “Cascadia”, që mbahet prej 11 prillit në Bellingham 0të Washingtonit. Për regjisoren Raça është hera e dytë që do të prezantohet atje, ngase në vitin 2016 ishte pjesë e festivalit me filmin “Home”.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen për herë të dytë në këtë festival, ndër të tjera, për faktin se ky festival amerikan ka në fokus kineastet gra”, ka thënë Raça.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)