SHATK: Shehu, shembëlltyrë për brezat e artistëve të rinj

SHATK: Shehu, shembëlltyrë për brezat e artistëve të rinj

12 mars 2017 16:23

Me rastin e vdekjes së aktorit Hadi Shehu (1949 – 2017), Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës u shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij të shumtë.

“Në këto çaste të rënda për ju, ne të gjithë jemi pjesë e dhimbjes, pikëllimit, përshpirtjes dhe përkujtimit tonë të përbashkët për njeriun dhe artistin e madh, i cili, falë jetës dhe veprës së tij të gjatë krijuese, që në gjallje u shndërrua në një nga ikonat e teatrit dhe të kinematografisë sonë kombëtare”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të SHATK-së.

Si një nga aktorët më të shquar të skenës sonë teatrore dhe filmike, aktori Hadi Shehu, për plot 40 vjet, prej vitit 1976 e këndej, me mbi 170 rolet e tij, përkatësisht me pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij skenike, identifikohet kryesisht me Teatrin e Gjakovës, ndërkohë që, me disa nga kryerolet e tij filmike, ai vlerësohet si një nga yjet e televizionit dhe të kinematografisë sonë kombëtare, thuhet në telegram.

“Me emrin, jetën dhe veprimtarinë e tij artistike e publike identifikohet edhe një periudhë e gjatë dhe e rëndësishme e drejtimit të Teatrit Popullor të Gjakovës, të cilin ai, prej vitit 1981 – 1996 dhe më pas prej vitit 1999 - 2006, e udhëhoqi dhe e menaxhoi në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm”, thuhet aty.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se vdekja e aktorit Hadi Shehu është një humbje e madhe për artin tonë teatror dhe kinematografik.

“Emri, jeta dhe vepra artistike e Hadi Shehut përfaqësojnë jo vetëm shkëlqimin e tij si aktor dhe njeri i teatrit e i filmit, por, me vlerat dhe përmasat e saj, edhe një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e artit skenik, televiziv dhe filmik kombëtar. Me ngjyrimet, shkëlqimin dhe me gamën e gjerë të roleve të tij të shumta, aktori Hadi Shehu do të vazhdojë të jetë shembëlltyrë për brezat e artistëve tanë të rinj. Vepra e tij e madhe artistike e krijuese është dhe do të mbetet një testament i jashtëzakonshëm frymëzues për ne të gjithë”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Telegramit i është bashkëngjitur edhe një biografi e detajuar për aktorin, e hartuar nga regjisori Bekim Lumi.

Aty tregohet se Hadi Shehu (1949 - 2017) u lind në Gjakovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Më 1969 u punësua në Qendrën për Kulturë në Gjakovë. Fillimisht, vetëm për një vit, i ndoqi studimet për Gjeografi – Histori në SHLP të Gjakovës. Studimet për Aktrim i filloi më 1972, ndërkaq, për shkak të shërbimit ushtarak, i kreu më 1976 në SHLP të Universitetit të Prishtinës, në Prishtinë, në klasën e prof. Faruk Begolli. Krijimtarinë artistike si aktor profesionist e filloi në Teatrin Popullor të Gjakovës. Prej vitit 1981 – 1996 ishte drejtor i këtij teatri. Në vitet 1996 – 1999, për shkak të masave të dhunshme të regjimit serb, e larguan nga pozita e drejtorit. Në këtë pozitë ishte edhe pas mbarimit të luftës, gjatë viteve 1999 – 2006. Në cilësinë e aktorit ka luajtur rreth 170 role në teatër, film dhe televizion.

Në Teatrin Popullor të Gjakovës ka luajtur në shfaqje e role të ndryshme, nga të cilat veçohen: “Fisheku në pajë” (Gjeloshi), “Epoka gara Gjyqit” (Sulejman Vokshi), “Pjata e drunjtë” (Lon Denisoni), “Dragoi i Dragobisë” (Bajram Curri),”Pirrua” (Pirrua), ”Armiku i popullit” (Dr. Stokmani), “Monserati” (Monserati), “Halili e Hajria” (Halili), ”Unë Halil Garria” (Halil Garria), “Pylli” (Tragjiku), “Babai” (Adolfi), “Agu” (Zari), “Njeriu me top” (Mato Gruda), “Tartufi” (Tartufi), “Dasma e trojeve tona” (Plaku), “Antigona” (Kreonti), ”Katër epoletat” (Njeriu me Shkop të Verrdhë), “Monedha e Gentit” (Mbreti Gent), “Një varr për majorin e mbretit” (Narratori) etj. Në role të ndryshme në po këtë teatër ka luajtur edhe në shfaqjet: “Babai im kullak socialist”, “Elena Gjika”, “Quo Vadis”, “Parfumeria”, “Gjakova një luftë ndryshe” etj. Përveç në Gjakovë, në cilësinë e aktorit mysafir, ka luajtur edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në shfaqjet: “Pallati i ëndrrave” dhe “Korridoret e tmerrit”, në Teatrin Kombëtar të Tiranës në shfaqjen “Shfaqja e fundit”, në Teatrin e Pejës në shfaqjen “Unë burri i vjehrrës” etj. Më 2015, në Teatrin e Gjakovës, ka luajtur rishtas në rolin e Lon Denisonit në shfaqjen “Pjata e drunjtë”, me të cilën ai e ka përmbyllur publikisht krijimtarinë e tij artistike skenike.

Krahas teatrit, prej viteve ’70 e këndej, ka luajtur edhe në filmat: “Si të vdiset” (1972), “Kur pranvera vonohet” (1979), “Era dhe Lisi” (1979), “Gjurmë të bardha” (1980), “Përroi vërshues” (1983), “Pikniku” (1986), “Era e mollës” (1995), “Kur shpirti ndërron jetë” (2001), “Azem Galica” (2011). Ka luajtur gjithashtu në video – filmat: “Buka e hidhur”, “Rruga pa kthim”, “Fantazmat lodrojnë”, “Vrasësit bëjnë dasëm natën”, “Qëndresa”, “Burgu i mërgimit”, “Oda e Junikut”, “Aksioni i armëve”, “Netët e Zullum-Madhit”, “Jeta e një toke” etj. Ka luajtur edhe në disa filma të metrazhit të mesëm, të tillë si: “Tre veta”, “Etja dhe uji i Zemzemit” etj. Gjatë viteve të ish Jugosllavisë është nderuar me çmime të ndryshme, të tilla si: “Shpërblimi i Dhjetorit”, “Medalja e Punës”, “Çmimi për të Arriturat Artistike” (Beograd) për rolin e Betim Kosovës në filmin “Kur pranvera vonohet”, “Shenja e Artë” (Trebinje), si dhe me mirënjohje të shumta në festivale të ndryshme. Në vitet e pasluftës është nderuar me këto çmime: “Çmimi për Vepër Jetësore” (2005) nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, “Statuja e Nënë Terezës” në spektaklin televiziv “Me shumë dashuri” (2008) në Tiranë (Shqipëri), “Medalja Presidenciale e Meritave” (2013) nga Presidenca e Republikës së Kosovës, “Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore” (2012) nga MKRS etj. Vdiq në Gjakovë më 12.03.2017.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme